Organizata terroriste PKK herët këtë mëngjes në Bingol, në Turqinë lindore ka kryer një sulm me bombë në një tren pasagjerësh të njohur si “Trans Asya” i linjës së rregullt Ankara-Teheran, raporton Anadolu Agency (AA).
Prefekti i këtij rajoni, Yavuz Selim Kosger tha për AA se sulmi i këti mëngjesi ndaj trenit është kryer me minë të telekomanduar nga distanca duke u aktivizuar në hekurudhën mes stacionit Suveren dhe Genc. Në këtë sulm nuk kishte viktima në njerëz, por vagonat e mallrave të trenit dhe hekurudha janë dëmtuar në masë të madhe. Kosger tha se terroristët e PKK-së kanë vendosur një mjet shpërthyes të ndërtuar me dorë në binarët e hekurudhës duke e aktivizuar me telekomandë në momentin kur treni po kalonte.
Forcat turke të sigurisë kanë nisur një hetim dhe janë vënë në ndjekje të sulmuesëve, ndërsa treni vazhdoi rrugën e tij për në Iran. Paralelisht me këtë, të paktën tre pjestarë të ushtrisë turke janë vrarë në sulmin që ndodhi në Sirnak në juglindje të Turqisë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë turke ka thënë se terroristët kryen një sulm ndaj një patrulle ushtarake që siguronte rrugën përmes së cilës duhej të kalonte një karvan ushtarak, ndërsa nga sulmi u vranë tre ushtarë, duke përfshirë edhe një oficer.
Forcat turke të sigurisë kanë ndërmarrë masa të larta sigurie në vend dhe janë në ndjekje të sulmuesëve. Të paktën një terrorist i armatosur është vrarë në operacionet e deri tanishme.