Site icon PORTALB

Kur përton të mendosh…

Parim Marku

Parim Marku

Po reflektoja sot, derisa dëgjoja lajmet lidhur me atë se si i krijojmë bindjet. Reflektimin e nisa që dje, derisa isha spektator i shfaqjes me tematikë hollokaustin e cifutëve gjatë historisë së re. E lidha me dy momente kryesore: e para, që cifutët punojnë shumë në aspektin e krijimit të empatisë dhe mbajtjes gjallë të kujtimit lidhur me dhimbjen e tyre nacionale. Kjo shfaqje ishte vetëm një demonstrim i kësaj pyetjeje. Trupa teatrore kishe ardhur nga Polonia në Maqedoninë e vogël për të prezentuar botëkuptimin polako-cifut të viteve para dhe pas luftës si dhe idetë antisemite, por gjithmonë duke mbajtur një baraspeshë në vetë përmbajtjen e tekstit me të cilën i mundësonte spektatorit të krijojë bindjen e vet nëpërmjet eksperiencës së një grupi njerëzish që kanë jetuar në atë kohë. Momenti i dytë ishte derisa dëgjoja lajmet sot. Pas një kohe shumë të gjatë abstinence nga Siteli, sot më tërhoqi mënyra se si ai gazetari i famshëm dhe aspak simpatik, Llatas prezentonte lajmet apo më mirë impononte botëkuptimet e veta lidhur me cështjen e rrahjes së shpeshtuar të gazetarëve. Ajo që më bëri të vazhdoj të dëgjoj brockullat e tij, ishte mendimi që më inspiroi për të bërë këtë shkrim: si i krijojmë bindjet tona, mendimet tona, perceptimet tona. Apo më mirë, cilin spin mendor duhet besuar më shumë: atë të Llatasit apo atë të tjetrit gazetar nga xhepi i SDSM-së apo BDI-së?

Reflektimi më solli në konkludimin që bindjet mund të vijnë nga dy burime: reflektimet dhe eksperienca vetjake, ose nga bindja e verbër e fjalës së tjetrit. Besimet, apo bindjet e vetëkrijuara ju takojnë njerëzve të hapur dhe që nuk përtojnë të mendojnë. Mbi të gjitha, ju takojnë njerëzve që dyshojnë, që preferojnë argumentimin dhe debatimin mbi pranimet e verbuara të fjalëve të tjerëve, ekspertëve, politikanëve, hoxhallarëve… Bindjet e krijuara si pasojë e sugjestionit të tjetrit ju takojnë njerëzve që kanë nevojën për të patur kontrollën, për përtacët e mendimit por edhe të njerëzve që bijnë vendimet shpejt. Njerëzit që ndjekin bindjet e autoritarëve i ndjekin vetëm si pasojë e karizmës së fuqisë, pa patur nevojë për argumentimin e atyre bindjeve.

Në rastin tim dua të besoj që i takoj grupit të parë, megjithëse e pranoj që shpeshherë ndikohem nga bindjet e të tjerëve si pasojë e mënyrës në të cilën ato të vërteta më servohen në momente dobësie dhe përtacie intelektuale. Në një botë të shpejtë si e jona, ku gjithcka bëhet shpejt, shkurt dhe pashijuar, humbet vullneti për të krijuar mendimin dhe bindjen personale të ardhur nga reflektimi apo përvoja. Prandaj është edhe tendenca jonë që të besojmë në atë që na servon jeta jonë e shpejtë, nëpërmjet bisedave nëpër kafene, diskurseve politike, lajmeve, opinionit të tjerëve të parashtruar në formë statusi në Facebook…

Këtu edhe qëndron sekreti i krijimit të opinionit publik të cilin kaq mirë dijnë ta shfrytëzojnë, përdorin e keqpërdorin ata që tentojnë të mbajnë nën kontroll popullin. Duke iu servuar atyre më të lehtën, duke iu imponuar atyre bindjet e veta nëpërmjet gazetarëve filigranistë të manipulimit me fjalën, krijojnë autoritet dhe bindje në sajë të interesit momental. Përderisa opinioni publik krijohet në këtë mënyrë të lehtë, demokracia në vendin tonë do të jetë një koncept i largët dhe i pakapshëm, i pakuptueshëm. Përderisa mendja e publikut të jetë dembele, këto politikanë manipulatorë do t’i kemi përmbi kokë. Përderisa i lejojmë Llatasit apo Muhametit e të tjerëve si ata të ndikojë mendjen tonë, intelegjencën tonë, bindjet tona, nuk do të mund të zhvillojmë debate të mirëfillta, do të mbetemi të humbur në mediokritetin e autoritetit dhe bindjeve të imponuara nga individë që nuk shkëlqejnë me karizmë lidershipi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version