Site icon PORTALB

Dy shqiptarë pranojnë vrasjen e Ismail Lullit në Itali, për xhelozi

Ismail Lulli

Reagimi i banorëve të qytezës së Sant’Anxhelos në Vado, në Pezaro të Italisë, ishte i ashpër kur mësuan se dy të rinj shqiptarë ishin vrasësit e shqiptarit tjetër 17 – vjeçar, Ismail Lulli.

Ata tentuan të qëllojnë me gurë e sende të tjera të forta makinat që i transportuan nga policia lokale për në burgun e Pezaros, Igli Metën, 20 – vjeç dhe Marjo Memën, 19 – vjeç, dy të rinjtë që shihni në këtë foto.

Pas marrjes në pyetje për afro 14 orë nga policia, ata e pranuan se e kishin vrarë Ismail Lullin dhe se e kishin kryer krimin për motive xhelozie, transmeton TvKlan.

Igli Meta është autor i krimit. Mario Mema, bashkëpunëtor i tij.

Viktima, sipas policisë italiane, është ftuar nga dy shqiptarët e tjerë për t’u larë në lumë dhe e ka pranuar ftesën pas asnjë dyshim.

Në lumë kanë shkuar me makinën e Igli Metës. Sapo kanë zbritur, ka nisur agresioni. Duke qenë më i madh në trup se ata, 1 metër e 80 centimetra i gjatë, agresorët e kanë goditur në befasi, fillimisht në kokë dhe më pas Igli Meta i ka prerë fytin me thikë.

Trupin e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë hedhur në një rrëpirë, ku u gjet me duar dhe këmbë dhe të lidhura.

Mesazhi i fundit i zbuluar në celularin e 17 – vjeçarit të vrarë është dërguar të dielën në orën 16.00, pra me datë 19 Korrik, pikërisht kur e ëma e Ismailit denoncoi zhdukjen.

Në mesazh shkruhej: “Do të nis një jetë të re. Po shkoj në Milano. Mos më kërkoni”. Për hetuesit është e njëjta dorë që edhe e ekzekutoi të riun, ajo që ka çuar mesazhin, një përpjekje për të çfokusuar hetimet dhe vonuar kërkimet.

Igli Meta u kap duke fjetur në makinen e tij. Kishte me vete edhe një shumë parashë dhe sipas hetuesve, ai po përgatitej të kthehej në Shqipëri, për të humbur gjurmët.

Marjo Mema ka qenë i pari që ka pranuar të tregojë ngjarjen përpara hetuesve, që e mbërthyen me prova.

Motivi i vrasjes është xhelozia e 20 – vjeçarit Igli Meta, ndaj 17 – vjeçarit Ismail Luli. Megjithëse i lidhur me një bashkëmoshatare ai i shprehte simpatinë ish – të dashurës e së tij 19 – vjeçare, që ishte lidhur me Igli Metën.

Viktima, dy autorët dhe vajza 19 – vjeçare ndiqnin të njëjtën shkollë, Institutin e Hotelerisë. Igli Meta dhe Mario Mema, djem të dy muratorëve, ndodheshin në Itali prej 6 vjetësh me një leje qëndrimi të rregull.

Ismail Lulli jetonte në këtë komunitet prej disa vitesh, bashke me motrën dhe të emën.

Exit mobile version