Site icon PORTALB

SHGM: Të ndalet urgjentisht dhuna ndaj gazetarëve

SHGM

SHGM

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit ku është ushtruar dhunë ndaj gazetarëve.

“Dhuna kundër gazetarëve në Maqedoni këtë javë eskaloi dhe mori përmasa dramatike. Jeta e gazetarëve është vënë seriozisht në pikëpyetje. Kërcënimet verbale me jetë, sulmet fizike nga personalitete publike dhe shkatërrimi i pronës private të gazetarëve, eskaloi me sulmin brutal ndaj pronarit të portalit Dokaz, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Kërkojmë menjëherë të ndërpritet dhuna ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave në të kundërtën dhunuesit do të inkurajohen dhe do të mund të kërcënojnë jetën e dikujt”, thuhet në reagimin e sotëm të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Nga SHGM-ja thonë se janë të bindur se këto sulme janë të orkestruara dhe kanë për qëllim të krijojnë frikë dhe pasiguri tek gazetarët me qëllim që të mos e kritikojnë pushtetin.

“Për katër vite SHGM ka regjistruar mbi 20 kërcënime dhe sulme fizike ndaj gazetarëve, prej të cilave pothuaj se gjysma kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërsa dhunuesit deri më tani nuk janë ndëshkuar. Rikujtojmë se pushteti ka obligim të sigurojë ambient për punë për gazetarët dhe në asnjë rast nuk guxojnë të tolerojnë dhunë. U bëjmë publikisht thirje funksionarëve më të lartë shtetërorë, Presidentin Gjorgje Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, kryeministrin Nikolla Gruevski, menjëherë të kërkojnë nga institucionet që ta parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve dhe sulmuesit ti nxjerrin para drejtësisë. Në të kundërtën, për pasojat tragjike ata do ti llogaritim përgjegjës”, thuhet mes tjerash në reagimin e SHGM-së.

Gjithashtu, SHGM-ja bën të ditur se do të dërgojë letër urgjente deri tek rtë gjitha organizatat ndërkombëtare në të cilat Maqedonia është anëtare fuqiplotë, siç janë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), si dhe deri tek Bashkimi Evropian dhe Qeveria amerikane, të cilat do të informohen se në Maqedoni ka politikë në mosndëshkimin e dhunës ndaj gazetarëve.

Exit mobile version