Site icon PORTALB

Gostivar, u prezantua projekti për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm

Gostivar, u prezantua projekti për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm

Gostivar, u prezantua projekti për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm

Sot, në lokalet e Këshillit të Komunës së Gostivarit, Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike “Komunalec”, në bashkëpunim me Departamentin Zviceran Federal për Çështje Ekonomike (SECO), prezantuan projektin për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin dhe 8 fshatra përreth.

Me këtë rast Micheal Dalin, menaxher i projektit nga kompania e specializuar zvicerane “SGI – Ingenierie S.A. tha: “Qëllimet e projektit janë të shumta, por synimi kryesor është përmirësimi i sistemit të ujit të pijshëm për qytetin e Gostivarit dhe tetë fshatra. Në veçanti aktivitetet e projektit do të rezultojnë për të pasur sistem të përmirësuar të ujit përmes krijimit të infrastrukturës së nevojshme. Po ashtu, kualitet të përmirësuar të furnizimit me ujë të pijshëm, kushte të përmirësuara për përdorim efikas të resurseve ujore, zhvillim të planit kryesor për ujë të pijshëm, por edhe parakushte të zgjeruara për përmirësime të ardhshme dhe të vazhdueshme të sistemit. Që të arrihen këto qëllime, aktivitetet e projektit janë ndarë në dy komponentë, siç janë punimet urgjente dhe formimi i planit kryesor për ujë të pijshëm”.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Memedali Xhaferi, theksoi se aktivitetet e ekspertëve do të përfshijnë ndërtimin e gypave ndërlidhëse në drejtim të sistemit për trajtim të ujit të pijshëm, ndërtimin e një ujëmbledhësi me kapacitet 2.000 m3 në afërsi të sistemit, si dhe implementim të masave urgjente për minimizim të humbjes së ujit.

“Është përgatitur master plani, po ashtu edhe planet për zgjidhjen e problemeve për furnizim me ujë të fshatrave Forinë dhe Çegran. Në fazën e përgatitjes është lidhja e anës së djathtë të tubacionit sjellës dhe kthyes me stacionin filtrues. Do të ndërtohet rezervuari në afërsi të stacionit filtrues, ankandi është hapur. Janë kryer punë ndërtimore për ujërat atmosferike në burimin e lumit Vardar dhe janë ndarë mjete për rregullimin e rrjedhës së lumit Vardar. Po ashtu bëhet edhe sanimi i kaptazhit në fshatin Vërtok, si dhe u hap rruga për qasje deri te rezervuari i ujit. Ekspertët e projektit do të realizojnë sistemin për monitorim të ujit dhe do të kryejnë mbrojtjen e ujit nga burimet. Janë kryer edhe investime të tjera”, tha mes tjerash drejtori Xhaferi.

Gjatë prezantimit, fjalë përshëndetëse mbajti shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Bashkim Hasani.

“Me investimin zviceran (SECO) me vlerë prej 2.7 milion franga u arrit të sigurohet master plani dhe të bëhet i mundur ndërtimi i rezervuarit të ri të ujit. Edhe Banka Evropiane për Investim ndau 1.5 milion euro për zëvendësimin e gypit kryesor të sistemit, i cili deri tani ka qenë me material prej asbesti. Me këto investime, qytetarët e Gostivarit do të furnizohen me ujë të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm për pije”, deklaroi Hasani./Portalb.mk

Exit mobile version