Site icon PORTALB

Presion i paparë ndaj Thaçit për t’i bindur deputetët për Specialen!

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi gjendet në një presion të paparë nga ndërkombëtarët. Burime të Gazetës Blic kanë thënë se ditëve të fundit është shtuar presioni ndaj tij, për të bindur deputetët e PDK-së që ta votojnë Gjykatën Speciale.
“Ditëve të fundit është shtuar presioni i ndërkombëtarëve. Madje, i kanë dhënë ultimatum Thaçit që t’i bind deputetët e tij për ta votuar Specialen, para se Kuvendi të shkoj në pushim”, ka thënë burimi i gazetës.

Në anën tjetër, një deputet i PDK-së në kushte anonimiteti ia ka konfirmuar Gazetës Blic se një kolegë i tij deputet, që ka votuar kundër Gjykatës Speciale, sot është ftuar direkt nga kryetari i partisë, Hashim Thaçi. Ky deputet i ka thënë Gazetës Blic se Hashim Thaçi pas presioneve të shumta, ka nisur që t’i ftoj deputetët individualisht, në mënyrë që t’i bind ata që të votojnë pro Gjykatës Speciale.

“Hashim Thaçi nuk do të provoj që të bisedoj vetëm me tre deputetë, të cilët që nga fillimi kanë pasur qëndrim të qartë se nuk do ta votojnë specialen. Ndërkaq, ai do të mundohet që brenda pak ditësh t’i bind 10 deputetët tjerë të partisë që të votojnë pro”, tha ky burim.

Deputeti Fadil Demaku, i cili e ka votuar kundër Gjykatën Speciale, ka thënë se atë nuk e ka ftuar askush në takim.

“Jo nuk më ka ftuar askush. Mirëpo, unë e kam qëndrimin e qartë për këtë cështje. Nuk do të votoj për dhe pikë”, ka thënë Demaku.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj edhe me Nait Hasanin e Xhevahire Izmakun, të cilët votuan kundër, mirëpo këta të fundit nuk i janë përgjigjur fare në thirrjet e redaksisë.

Ndërkohë, as në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit nuk ka qenë në rend të ditës amendamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Gazeta Blic ka marrë vesh nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, se nuk do të riprocedohet në Kuvend ky amendament, pa i siguruar votat.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama ka thënë se zvarritja e themelimit të Gjykatës Speciale po ndodh për shkak të PDK-së.

“Zvarritja po ndodh sepse ende nuk janë siguruar votat. Deputetet e PDK -së ende nuk janë të gatshëm për ta votuar amendamentin kushtetues që i hap rrugë themelimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.

Sipas saj, kjo zvarritje është dëmshme pasi jemi vetëm para dy opsioneve, ta krijojmë ne ose ta bëjë OKB-ja.

“Këtë na e kanë bërë të qartë disa herë përfaqësuesit e shtetëve që na përkrahin, prandaj kushdo që po shpreson se ka një opsion të tretë- mosthemelimin, është duke shpresuar kot”, thotë ajo për Gazetën Blic.

Sipas saj, shtyrja për në shtator është gabim pasi këtë muaj, mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nuk është mirë që Kosova të jetë pjesë e fjalimeve apo diskutimeve se po refuzon drejtësinë.

Gjithçka në dorën e PDK-së

Në anën tjetër, analistët politik konsiderojnë se gjithçka është në dorën e PDK-së dhe të Hashim Thaçit. Arben Ahmeti, njohës i zhvillimeve politike në vend, ka thënë për Gazetën Blic se Isa Mustafa nuk mund ta themeloj Gjykatën Speciale, përkundër që është në postin e kryeministrit.

“Isa Mustafa nuk e bënë Gjyjatën Speciale. Krijimi i saj varet nga Hashin Thaçi. Natyrisht se lideri i PDK po e përdor këtë për të treguar fuqinë e tij politike. Varet nga ai dhe PDK nëse do ta krijojnë Gjykatën apo do ta çojnë vendin në zgjedhje”, ka thënë Ahmeti për Gazetën Blic.

Në fund të muajit qershor, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar që ta votonte në Kuvend amendamentin kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Ishin hiq më pak se 13 deputetë të PDK-së që i thanë jo Gjykatës Speciale. Prej tyre 7 votuan kundër, 2 abstenuan dhe 4 të tjerë i ikën votimit.

Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të mos ndryshojnë qëndrim. Ato po kërkojnë që të formohet një Gjykatë e vecantë për krime luftë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.

Exit mobile version