Site icon PORTALB

Titulli nuk duhet të keqinformojë

[Recension: RDK e hapur për bashkëpunim me PDSH-në]

Media ka përgjegjësi të madhe për informimin publik dhe duhet të jetë sa më e saktë, duke lënë sa më pak hapësirë për keqkuptime dhe keqinterpretime. Teksti që po i bëhet recension është korrekt dhe përmban informacion të thjeshtë nga mbledhja e kryesisë partiake të RDK-së, duke transmetuar të integruar komunikatën e tyre pas mbledhjes. Megjithatë, titulli nuk është i saktësuar dhe precizuar deri në fund dhe lë hapësirë të madhe që të keqkuptohet nga lexuesit.

Linku deri te artikulli origjinal: RDK e hapur për bashkëpunim me PDSH-në

Data dhe koha e publikimit: 07.07.2015

Data e recensionit: 16.07.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Titulli, i tillë siç është formuluar, lë hapësirë që të mos kuptohet drejtë dhe përbënë konfuzion për lexuesit. Në asnjë rresht as nga lajmi, por as nga komunikata e RDK-së, nuk thuhet se RDK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me PDSH-në, por bëhet fjalë për bashkëpunim me Lëvizjen për Reforma në PDSH, që është subjekt krejt tjetër politik.

Menjëherë pas thirjes për koalicion që bëri lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, RDK ka zhvilluar mbledhje e Kryesisë Qendrore të saj ku është vendosur që të hartohet dhe nënshkruhet platformë me Lëvizjen Reforma PDSH ndërsa pastaj do të jetë e hapur për bashkëpunim me gjitha partitë tjera subjektet politike, transmeton Shqipmedia.

Titulli i tillë është konfuz aq më tepër kur duket se vjen vetëm një ditë pas deklaratës së liderit të PDSH-së Menduh Thaçi, se do të kërkojë koalicion me RDK-në dhe Lëvizjen Besa.

Mediat nuk duhet të harrojnë misionin e tyre primar, informimin e drejtë dhe të saktë të lexuesve të tyre. Për të përmbushur këtë mision, duhet që sa më shumë të jetë e mundur të anashkalojnë titujt dhe fjalitë me më tepër kuptime, në mënyrë që të mos lënë hapësirë që lexuesit të interpretojnë gabimisht lajmin.

Exit mobile version