Site icon PORTALB

Bakllavatë e Gjylkës janë më të kërkuarat për Bajram në Kosovë (FOTO)

Bakllavat e Gjylkës

Nuk ka njeri në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë dhe më gjerë, që nuk i ka shijuar apo së paku që nuk ka dëgjuar për bakllavat e Gjylkës. Boshnjakja Gjylka Fetahoviq me familjen e saj, prej 20 vitesh përgatit bakllava të cilat janë më të kërkuarat për Bajram.

Gjylka është e lindur në Bijelo Polje të Malit të Zi, prej nga me familje është shpërngulur në Novi Pazar në Serbi, ku e ka përfunduar shkollën e mesme. Në Kosovë ka ardhur para 47 viteve, kur është martuar. Traditën e gatimit të bakllavave e ka sjell me vete nga vendlindja e saj por, me kohë, ajo e ka specializuar recetën  e saj unike.

“Kam ditur të bëjë përafërsisht, pastaj e kemi përsosur vet, diçka kemi futur tonën… ne ia japim recetën çdokujt por, ka diçka që nuk e tregojmë dhe ky është sekreti i biznesit tonë. Këtë e ka shpikur vajza ime , që të jetë një kombinim i bakllavës tradicionale dhe kësaj të shpejtës që po bëhet sot, pak i terim koret …  këtë sekret e ruajmë, kjo është diçka unike e jona” thotë Gjylka për Anadolu Agency (AA).

Për t’i holluar koret për një tepsi bakllave është e nevojshme gjysmë ore, thotë ajo.

“Një kilogram miell, një kilogram nisheste, gjysmë kilogrami arra, gjalpë shkon më shumë sepse poshtë mbetet ai qumështi, atë nuk e përdorim, por vetëm yndyrën. Me gjalpë furnizohemi nga Novi Pazari, Sjenica” thotë nikoqirja e jonë.

Nga pesë kore e përbëjnë një mbështjellje, ndërsa një tepsi ka shtatë mbështjellje. Pjekja zgjatë dy orë e gjysmë deri në tri orë, kurse për sherbet nevojiten dy kilogram sheqer.

“E hollojmë me sherbet, një herë, dy herë, pastaj kur e dorëzojmë nxjerrim edhe një shtresë sherbeti më të dendur, që bakllava të shkëlqejë … – Kur e holloni me sherbet, kur është e nxehtë apo kur ftohet? – Hedhet sherbeti i nxehtë në bakllavën e nxehtë por, jo bakllavën valë” thotë Gjylka.

Me gatimin e bakllavave ka filluar të merret si hobi, më pastaj, gjatë kohës së krizës ekonomike dhe inflacionit të madh të viteve të 90-ta,  këtë hobi e ka shndërruar në biznes familjar.

Në punë janë të përfshirë burri i saj i cili kryesisht i prenë dhe i bluan arrat, djali është menaxher, komercialist dhe furnizues, ndërsa vajza ka punuar deri sa nuk është martuar dhe nuk ka shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Tani ka një punëtore ndihmëse

Ajo i përgatit bakllavat klasike me arra, por edhe bakllavat me kadaif, recetën e të cilës e ka fituar si dhuratë nga Jordania. Kjo bakllava është e njohur ndryshe edhe si “çerdhja e zogut”.

Familja Fetahoviq, bakllavatë për Bajram fillon t’i përgatit së paku pesë apo gjashtë ditë më herët dhe përgatisin 200 deri 300 tepsia bakllava. Një tepsi e cila numëron 65 copë, pa skaje, kushton 30 euro. Kohëve të fundit, për shkak të krizës ekonomike, më shumë e më shumë klientë po blejnë nga gjysmë tepsie. Mirëpo, Gjylka thotë se punë ka gjatë tërë vitit sepse bakllavatë e saj porositën edhe për dasma, syneti dhe raste tjera.

“Bakllavatë tona shkojnë për  Amerikë,  Londër, shumë prej mërgimtarëve që vijnë këtu porositin, madje edhe atje kemi emër dhe kur i pyesin se çfarë me ju sjellë si dhuratë, ata thonë na sillni bakllavat e Gjylkës” thotë me shumë mburrje mjeshtrja e gatimit të bakllavave.

Tërë jetën e saj, ajo ka punuar në Ujësjellësin e Prishtinës ndërsa, gjatë një mandati katërvjeçar,  në periudhën e ish-Jugosllavisë, ka qenë edhe deputete e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Krahinës Autonome të Kosovës. Edhe pse ishte deputete në atë kohë, njerëzit nuk e kanë njohur por, tashmë si mjeshtre të gatimit të bakllavave, është bërë e njohur dhe siç thotë ajo, njerëzit këtu dinë ta njohin dhe çmojnë punën e sinqertë dhe kualitative. Ndër vite, ajo e ka ndërtuar emrin dhe sot, thekson ajo, mundohet që ta ruaj kualitetin dhe besimin e klientëve të saj.

Gjylka e cila rininë e saj e ka kaluar në Novi Pazar, thotë se Bajrami as që mund të paramendohet pa bakllavë dhe rikujton kohët kur atmosfera në prag dhe gjatë Bajramit ishte shumë festive.

“Furrat e bukës janë përplot me bakllava, aroma e përshkon tërë rrugën kur kaloni. Aty vetëm piqen bakllavatë dhe atëherë ndihet një atmosferë para festës. Për Bajram, njerëzit i vizitojnë njëri- tjetrin dhe më e rëndësishme është se njerëzit në prag të Bajramit vizitojnë varrezat. Ato janë kolonat e kolonat …pastrohen varrezat në prag të Bajramit dhe kjo është një festë e vërtetë” thekson Gjylka e cila shton se, sot është çdo gjë më ndryshe sepse po jeta ka një ritëm më të shpejtë dhenjerëzit po blejnë çdo gjë të gatshme.

Megjithatë, bakllavatë e gatshme as që mund t’i afrohen atyre të Gjylkës, mjeshtres së njohur në Prishtinë dhe jashtë kufijve të Kosovës.

Exit mobile version