Myslimanët në Republikën e Maqedonisë, si dhe e tërë bota islame, nesër e feston Fitër Bajramin. Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut.
Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.
Si çdo ditë ashtu edhe ditën e Bajramit një mysliman është i obligueshëm të falë namazin e Bajramit.
Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 6:10 minuta. Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman e ka për detyrim të japë sadakatulfitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.
Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëritjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.