Site icon PORTALB

Komunaleci në Gostivar kërkon pagesat e ujit për të dhënë leje varrimi!

Komunalec Gostivar

Komunalec Gostivar

Qytetarët e komunës së Gostivarit ankohen se për të varrosur personat e vdekur, nga Komunaleci Gostivar kërkohet të jenë të paguara faturat e ujit. Ata në Portalb ankohen se ky institucion i detyron menjëherë të paguajnë edhe shumën e ujit gjë që nuk ndodh në asnjë komunë tjetër, pasi që edhe vet pagesat e ujit skadojnë pas 1 viti.

“Nëse vdes në Gostivar vendi i varrimit paguhet rreth 300 euro plus një shumë prej 20-25euro për mirëmbajtje të varrit për çdo vit dhe përsëri Ndërmarrja Publike Komunale nuk të jep leje nëse nuk i ke shlyer borxhin ndaj ujit. Ata të detyrojnë menjëherë të paguash edhe shumën e ujit gjë që nuk ndodh në asnjë komunë tjetër, pasi që edhe vet pagesat e ujit skadojnë pas 1 viti”, thonë për Portalb disa qytetarë që duan te mbesin anonim.

Ata madje thonë se nuk ekziston një ligj i tillë i cili të detyron të paguash borxhin e një shërbimi tjetër.

“Po edhe nuk ka ligj i cili të obligon për një shërbim të paguash borxh të shërbimit tjetër. Kështu manipulohen në ndërmarrjen publike Gostivar, dhe nuk të pyesin a ke ose s’ke, a ke rast vdekje dhe nuk e ke mendjen aty. Lexuam krejt buletinat që ka sjell komuna e Gostivarit dhe askund nuk obligohet që për vendin e varrimit të jesh i detyruar të paguash borxhin. Njeri nuk din në ato momente a të merret me vdekjen ose me kërkesat jashtë ligjore të Komunalecit të Gostivarit, kjo nuk ndodh në asnjë komunë tjetër. Por atyre nuk u intereson, se për këta nuk ka zot nuk ka ligj”, thonë qytetarët e revoltuar.

Ata madje kanë ngritur procedurë penale kundër Komunalecit Gostivar.

Redaksia Portalb disa herë tentoi që të komunikonte me dikë nga Komunaleci i Gostivarit, mirëpo morëm përgjigje që personat adekuat për përgjigje të këtyre pyetjeve nuk ndodhen në zyrë.

Exit mobile version