Site icon PORTALB

20 vjet më pas, drejtësia ende mungon për Srebrenicën

20 vjet më pas, drejtësia ende mungon për Srebrenicën

Mijëra familjeve të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdon t’u mohohet drejtësia, e vërteta dhe kompensimet, tha Amnesty International të shtunën, në 20 vjetorin e fillimit të masakrës ku humbën jetën mbi 8 mijë burra dhe djem.

“Dy dekada pasi bota mbylli sytë ndërsa kryhej krimi më i rëndë në tokë evropiane që nga viti 1945, familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdojnë të presin drejtësi”, tha John Dalhuisen, Drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën Amnesty International, transmeton VOA.

Dalhuisen shton se nevoja që autoritetet e Bosnje-Hercegovinës të pranojnë atë që ndodhi dhe për të kompensuar nuk duhet të zbehet, por është më urgjente se kurrë.

“Sa më shumë të zgjasë mosndëshkimi i fajtorëve dhe të vdekurit mbeten në varre masive, aq më shumë kjo plagë e dhimbshme do të thellohet duke nxitur ndasi të rrezikshme dhe të vazhdueshme etnike”, thotë ai.

20 vjet pasi forcat serbe hynë në Srebrenicë, një “zonë e sigurt” e Kombeve të Bashkuara, duke vrarë 8 mbi mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, fati dhe vendndodhja e mbi 1 mijë vetëve mbetet i panjohur.

Eshtrat e pothuajse 7 mijë viktimave të gjenocidit të Srebrenicës janë nxjerrë, identifikuar dhe varrosur, mes së cilëve ato të 421 fëmijë, një foshnje të sapolindur dhe një gruaje 94 vjeçare. Procesi i kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të rreth 1 mijë vetëve ende vazhdon.

Amnesty International thotë se Ligji për Personat e Zhdukur nuk është zbatuar kurrë plotësisht, duke i lënë familjet e personave që nuk janë gjetur pa qasje në kompensim. Megjithëse një ligj është miratuar që në vitin 2004, ende nuk është krijuar një fond për mbështetjen e familjeve të të zhdukurve.

Në deklaratën e saj, organizata thotë se politikat dhe ligjet zyrtare nuk e pranojnë gjenocidin dhe as programet shkollore nuk përmbajnë referenca ndaj krimeve të Srebrenicës. Procesi i pajtimit nuk ka përparuar dhe ndasitë e brendshme etnike, vazhdojnë.

Me gjithë ndjekjet penale të arkitektëve kryesorë të gjenocidit të Srebrenicës, Radovan Karaxhiq, Ratko Mladiq dhe Slobodan Milosheviq, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe dënimet e 74 të tjerëve, ende vazhdojnë të ketë çështje të shumta të pazgjidhura. Ndjekja penale e krimeve nën ligjin ndërkombëtar brenda vendit po bëhet me hapa shumë të ngadaltë.

AI thotë se shumica e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gëzojnë mosndëshkimin, pasi e dinë se pa vullnet politik ata nuk do të vihen para përgjegjësisë. Po ashtu organizata thotë se qeveria nuk ka vepruar me ritmin e duhur për të zbatuar strategjinë kombëtare për krimet e luftës dhe se duhet të garantohet mbrojtja e dëshmitarëve në mënyrë që ata të dëshmojnë pa u frikësuar.

“Srebrenica jo vetëm që është një kujtesë e dhimbshme e aftësisë së njerëzimit për të shkaktuar vuajtje por edhe e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar gjenocidin që po kryhej hapur”, tha John Dalhuisen.

Ai shton se duhet të merren pa vonesë masa për të lehtësuar vuajtjen e atyre që ende presin të vërtetën dhe drejtësinë, pasi “pa përgjegjësi, drejtësi dhe kompensim, nuk mund të arrihet kurrë një pajtim i qëndrueshëm”.

Exit mobile version