Ushtarët paqeruajtës holandezë që u bënë bashkëfajtorë të gjenocidit në Serbrenicë në vitin 1995, nuk janë çliruar dot ende nga ndjenja e fajësisë dhe brejtja e ndërgjegjes.
Rob Zomer, në vitin 1995 ka qenë me detyrë në misionin paqeruajtës të helmetave blu në Srebrenicë, e shpallur si zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Për 20 vite me radhë Zomer, veshët i kumbojnë fjalët “vrasës, frikacakë”.
Në vitin 1995, 20 mijë vetë që kishin arritur të shpëtonin nga sulmet serbe, ishin strehuar në bazën ushtarake të forcave paqeruajtëse holandeze. Baza ushtarake ndodhej në Potoçari afër Srebrenicës.
Helmetat blu, numri i të cilëve ishte rreth 300, zgjodhën rrugën e mos-përdorimit të armëve përballë serbëve që ishin afër 2 mijë. Myslimanët u përdhunuan, u masakruan kolektivisht, kurse ushtarët e misionit paqeruajtës nuk bënë asgjë.
Madje në këmbim të lirimit të 14 pengjeve holandezë, serbëve iu dorëzuan 5 myslimanë. Ngjarjet lanë gjurmë të thella mbi ushtarët holandezë që në atë periudhë ishin me detyrë në Srebrenicë.
Shumica e tyre, ashtu si Roy Zomer morën mbështetje psikologjike. Kurse disa të tjerë nuk arritën ta kapërcejnë traumën pavarësisht mjekimeve që morën dhe zgjodhën rrugën e vetëvrasjes.
Gjykata holandeze me vendimin që mori vitin e kaluar arriti në konkluzionin që ushtarët e misionit paqeruajtës të Holandës në Bosnjë janë përgjegjës vetëm për vdekjen e 300 boshnjakëve që u ishin dorëzuar serbëve etnikë.