Site icon PORTALB

Jahjaga: Kosova e përkushtuar për implementimin e marrëveshjeve të Brukselit

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot nga komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori Francesco Figliuolo, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, Jahjaga u prit me nderime të larta ushtarake nga garda e nderit e KFOR-it dhe më pas zhvilloi një bisedë të veçantë me gjeneralin Figliuolo, transmeton Telegrafi.

“Të dy bashkëbiseduesit folën për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse, për aktualitetin politik në Kosovë, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe ato socio-ekonomike. Presidentja Jahjaga është njoftuar nga gjenerali Figliuolo edhe për aktivitetet aktuale të forcave paqeruajtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, presidentja Jahjaga ka theksuar rolin e rëndësishëm të forcave të KFOR-it në ruajtjen dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës dhe në vendosjen e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.

Ajo thuhet të ketë thënë se Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe po promovon paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

“Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një demokraci në zhvillim dhe ajo është duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon, përfshirë edhe angazhimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që lehtësojnë jetën e qytetarëve, relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe i përafrojnë ato me integrimet euroatlantike”, theksohet në njoftim.

Po sipas njoftimit, komandanti i KFOR-it, gjenerali Francesco Figliuolo, duke falënderuar presidenten Jahjaga për vizitën dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë me forcat paqeruajtëse, tha se procesi i stabilizimit është në një trajektore pozitive. Ai tha se KFOR-i do të jetë i përkushtuar dhe vigjilent derisa zbatimi i marrëveshjeve të jetë i pakthyeshëm.

“Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Figliuolo theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen, marrë parasysh se forca paqeruajtëse KFOR është një prej institucioneve më të respektuara ndërkombëtare në mesin e popullatës së Kosovës”, përfundohet në njoftimin e Presidencës.

Exit mobile version