Disa banorë të “Lagjes së Trimave” ndjehen të diskriminuar me ndarjen e ndihmës së Qeverisë prej 100 000 den. Ata shprehen për Portalb se ndihmat keqpërdoren dhe se komisioni përgjegjës nuk i ka regjistruar të gjitha shtëpitë.
“Si banorë të kësaj lagje, më konkretisht të rrugës ‘Rushit Shaqiri’ jemi të pakënaqur për shkak se ndihmat humanitare nuk po ndahen ashtu siç e do rendi, por po keqpërdoren. Qeveria e Maqedonisë ka ndarë nga 100 000 den. për rehabilitim për të gjitha familjet nga të tre rrugët, që janë larguar nga ana e policisë atë ditë, kurse komisioni përgjegjës nuk i ka regjistruar të gjitha shtëpitë. Vetëm në rrugën tonë ka 21 familje, që nuk kemi pranuar asnjë denarë e që kemi qenë të ngujuar për më se 12 orë ditën e konfliktit, kurse në mesin e 16 familjeve të kësaj rruge që i kanë marrë nga 100 000 den. Ka edhe familje të cilat jetojnë në perëndim e të cilët nuk kanë qenë këtu kur ka ndodhur konflikti, vetëmse kanë ardhur për të parë gjendjen disa ditë pas 9 majit. Biles ka raste që dy anëtarë të së njejtës familje i kanë marrë nga 100 000 den. Kurse ne nuk kemi marrë asgjë. Nuk e kam të qartë a Qeveria i ka fajet për mosndarjen e atyre 100 000 denarëve apo Komisioni që është dashur t’i verifikojë familjet ?!”- deklaroi banori Nezir Murtezi për Portalb.
Nga ana tjetër, Zejnulla Ganiu, anëtar në Komisionin për verifikimin e dëmeve, për Portalb sa i përket verifikimit të dëmeve tha se verifikimi ka qenë publik dhe transparent.
“Kanë qenë 2 grupe punuese: 1 grup i vlerësimit të dëmeve dhe grupi tjetër ka verifikuar qëndrueshmërinë e shtëpive, për secilën shtëpi a është për banim ose jo. Verifikimi ka qenë publik dhe transparent, të gjithë banorët kanë qenë këtu dhe kemi pasur bashkëpunim. Paraprakisht i kemi pyetur të gjithë banorët dhe ato kanë qenë të kënaqur. E mandej verifikimi ka kaluar në Qeveri.”
Për ndryshe në “Lagjen e Trimave”, ku më 09 maj u zhvillua përleshja e përgjakshme mes forcave të sigurisë së Maqedonisë dhe një grupi të armatosur, shtëpitë e dëmtuara janë në rrënim e sipër. Më poshtë mund të shihni disa pamje aktuale nga lagjia. /Portalb.mk