Nuk i paguan borxhin FMN-së, mediat dhe shoqëria: Greqia falimentoi, Tsipras ende po luan

Grekët janë zgjuar duke gjetur vendin e tyre në pamundësi për të paguar detyrimet ndaj FMN-së.

Brenda dy ditëve të fundit, sheshi “Sintagma” priti dy mitingje të mëdha të qytetarëve, që mbështesin qeverinë dhe duan të votojnë në referendumin e së dielës kundër masave shtrënguese; por edhe të atyre, që frika e daljes nga Eurozona i bën të votojnë miratimin e reformave të propozuara, transmeton Top Channel.

Dyzimi, e për më tepër zhgënjimi, janë ndienjat që shprehin shumica e qytetarëve.

Të ndodhur për rreth 6 vite nën programe të rrepta masash shtrënguese, me disa periudha zgjedhore dhe qeveri, që nuk zgjidhën aspak çështjen e zhvillimit të ekonomisë; por edhe nën presionin e FMN-së, BQE-së dhe BE-së, që shpeshherë nuk binin dakord me reformat, apo me reduktimin e borxhit kolosal të Greqisë edhe tani; për grekët është e vështirë të zgjedhin.

“Qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhjet, ose të krijohet një qeveri uniteti. Nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër. Ne jemi të falimentuar, mbaruam. Nuk e shihni se çfarë po ndodh nëpër banka?”, thotë një qytetar grek.

“Vendi falimentoi që në vitin 2010. Qeveria pastaj, në vend që të vepronte siç duhej, solli FMN-në, teksa ne po jetojmë të falimentuar që nga viti 2010. Shpresoj që populli grek do të tregojë veten dhe do të votojë ‘Jo’ dhe kjo do të jetë diçka e mirë”, shprehet një tjetër qytetar grek.

Ndienja e pasigurisë është mëse e dukshme, duke parë radhë të gjata para ATM (bankomateve) sidomos të 600 mijë pensionistëve, që marrin sot vetëm 120 euro nga pensionet e tyre mujore, çmime të rritura të karburantit dhe mungesa në shumë pika shitjesh, si dhe disa artikuj të konsumit të përditshëm në supermarkete, që mbarojnë menjëherë.

Edhe shtypi grek, në përgjithësi përshkruan me nota të errëta ditën, kur Greqia nuk pagoi detyrimin ndaj FMN-së.

“Greqia, nën hijen e falimentimit, frikë për reduktimin e depozitave”, shkruhet në faqen e parë të gazetës “Ta nea”. Konservatorja “Eleftheros Tipos” ka si titull kryesor “Greqia falimentoi dhe Tsipras ende po luan”. Gazeta “Ethnos” thekson se “Ora zero për Greqinë, vendi i rrethuar nga mesnata”. Ndërsa proqeveritarja “Avgji” u jep kurajo mbështetësve të radikalëve të majtë, duke bërë thirrje se vota ‘Jo’ ndaj masave shtrënguese do të jetë një katalizator për marrëveshjen e re.

Lajme të ngjashme

Back to top button