Beteja e Tetovës për ajër të pastër

«Eco Guerilla» dhe «Nëna dhe fëmija» kundër gjigantit helmues: në Tetovë protestohet edhe në mbrojtje të ambientit

Nga Arben ZEQIRI

Tetovë

Neglizhenca e institucioneve kishte detyruar të rinjtë tetovarë që të vetorganizohen për një kauzë jo të zakonshme, por mjaft të rëndësishme. Për jetë a vdekje, por kësaj radhe jo me motive që zakonisht jemi mësuar t’i dëgjojmë. Tetovarët kësaj radhe kërkuan atë më thelbësoren, atë që ua kishte falë natyra, por ua kishin uzurpuar biznesi dhe politika: ajrin e pastër, shkruan dialogplus.

Fabrika «Jugohrom», përpunuese e hekurit, çelikut dhe legurave të tjera, funksionon që nga viti 1952, për më shumë se gjashtë dekada. Sipas ekspertëve të ambientit, ajo mbetet ndotësi më i madh për rajonin e Pollogut. Në vitin 2005, Qeveria e Maqedonisë detyroi ndotësit e ambientit të plotësonin standardet ekologjike me afat deri më 1 prill të vitit 2014. Por Jugohrom nuk ndërmori asnjë hap dhe me kërkesë të tyre Qeveria e Maqedonisë shtyu afatin deri më 31 tetor 2014. As kësaj radhe «Jugohrom» nuk e përmbushi kushtin për vendosjen e filtrave dhe Qeveria në vend që ta mbyllë fabrikën vendosi ta lejojë të punojë, edhe pse me kapacitet jo të plotë, edhe për dy vjet shtesë.

Por përgjysmimi i kapaciteteve nuk do t’i mashtronte tetovarët, të cilët vetë vendosën të vetorganizohen në një lëvizje që e quajtën «Eco Guerilla». «Mediat flisnin për ajër të ndotur në Shkup dhe Manastir, ndërkohë që matjet e kryera nga Ministria e Mjedisit tregonin që Tetova ishte disa herë më e ndotur se Shkupi dhe Manastiri. Kjo na bëri që të bashkonim forcat dhe mendjet një grup burrash e grash – disa prej të cilëve as që njiheshim personalisht para këtij organizimi. Qëllimi përfundimtar i lëvizjes «Eco Guerilla» është që të informojë dhe alarmojë qytetarët e Tetovës si fillim (por edhe të të gjithë vendit në të ardhmen) për rreziqet që vijnë nga ajri i ndotur dhe probleme të tjera mjedisore», thotë për «dialogplus» Arianit Xhaferi, një nga drejtuesit e «Eco Guerilla».

Qëllimin e parë, sensibilizimin e opinionit, aty e kishin arritur, por kjo nuk mjaftoi. Andaj drejtuesit e kësaj lëvizjeje, e cila shumë shpejt u mbështet edhe nga të gjitha grupmoshat e tjera dhe bashkësitë e tjera etnike në Tetovë, iu qasën rrugës gjyqësore për të nxjerrë para drejtësisë fajtorët kryesorë për ajrin e ndotur.

«Aktiviteti jonë vazhdon, por për momentin jemi duke u fokusuar në anën ligjore të këtij problemi. Kemi ngritur kallëzim penal ndaj ‹Jugohrom›-it, së shpejti do deponojmë padi ndaj ca përgjegjësve të tjerë në Ministrinë e Mjedisit, ndërkohë që kërkojmë të gjejmë dhe anë të tjera ligjore për të nxjerrë para drejtësisë fajtorët për këtë gjenocid ekologjik. Është e vërtetë se në vendin tonë dikasteri i drejtësisë është një nga më pak të besueshmit, por ne besojmë që ky rast, i cili është përtej interesave partiake, politike, apo nacionale të dikujt do t’i bëjë autoritetet e drejtësisë të ndërmarrin hapat e duhur për t’i dhënë kësaj çështjeje një epilog që do jetë në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve», thotë Xhaferi.

Kjo lëvizje është organizatore e protestave të shumta, të veçanta për nga mënyra e organizimit dhe rrjedhës. Ata kanë vënë në tapet ministra dhe zyrtarë shqiptarë, ndërsa protestat e tyre janë mbështetur edhe nga yje të estradës, figura publike nga Tetova dhe hapësirat e tjera shqiptare. Shpeshherë ka qenë edhe në fokus të akuzave me retorikë folkloriste, se shqiptarët kanë probleme më të mëdha. Por kjo nuk i gjunjëzoi ata. «Eco Guerilla» kundërshton edhe organizatat e tjera që në emër të ekologjisë përfitojnë donacione, por nuk arrijnë qëllimin.

«Është e vërtetë se në Maqedoni ekzistojnë padrejtësi të shumta në baza etnike, dhe Tetova është një nga qytetet që vuan mungesën e investimeve të huaja, mungesën e investimeve të shtetit në infrastrukturë, por nëse nuk mund të marrim frymë, nuk mund as të ngremë zërin për diçka tjetër. Gjithçka fillon tek ajri, tek frymëmarrja jonë. Për më tepër, tek shumica e qytetarëve ekziston bindja se ekologjia përbëhet nga ato «organizatat jeshile», të cilat mbjellin lule dhe pemë, dhe pastrojnë parqet për të realizuar një projekt me donacion. «Eco Guerilla» është organizatë më ndryshe nga «të gjelbrit» – jo rastësisht dhe logon e kemi të verdhë, sepse ne jemi në betejë me një ndotës toksik, dhe nuk kemi akoma luksin të mendojmë për lule e trëndafila», thotë Arianit Xhaferi.

«Nëna dhe fëmijët»: «Jugohromi» rrezikon edhe Kosovën

Përkrah lëvizjes «Eco Guerilla», shumë shpejt në Tetovë u themelua edhe një lëvizje tjetër e drejtuar kryesisht nga nëna të reja. Fillimisht nëpër rrjetet sociale dhe më pas edhe përmes organizimeve publike, të shoqëruara nga fëmijët e tyre, nënat tetovare mbajtën disa ekspozita, marshe dhe bllokada rrugësh duke ndikuar kështu edhe më shumë në sensibilizimin e opinionit.

Me moton «Ndërrojmë lodrat me filtra», në një protestë ata kishin grumbulluar lodrat e fëmijëve të tyre, të cilat më pas ua kishin dhuruar fëmijëve në klinikën e Tetovës, që sipas pretendimeve të lëvizjes janë pikërisht viktimë e ajrit të ndotur. «Nëna dhe fëmija» u fokusuan edhe në grumbullimin e të dhënave mjekësore dhe statistikore që ndikuan edhe më shumë në vetëdijesimin e mbarë opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar.

«Motiv kryesor, që si nëna të ngremë zërin kundër ndotjes së ajrit, si dhe ndotësit më të madh të rajonit ishin shifrat alarmante të rritjes së numrit të sëmundjeve respiratore, rritjes së numrit të të prekurve nga kanceri që për tre vjet shkon në rritje prej 80 për qind, numri i aborteve spontane apo dështimeve të shtatzënisë, rritjes së mortalitetit etj. Motivi ynë fillestar ishte mbrojtja e shëndetit të fëmijëve. Qëllimi përfundimtar është që kjo fabrikë të vendosë filtra adekuatë me anë të të cilëve tymi dhe pluhuri që dalin nga oxhaqet e furrave të saj do të zvogëloheshin nga 30’000 tonë në ditë deri në 800 kilogram, gjë që do të arrihej po qe se fabrika, si dhe aparati qeveritar të respektonin ligjet dhe lejen e punës», thotë Narta Kasa – Iseni.

Nga kjo lëvizje thonë se nuk do të ndalen edhe me gjithë të dhënat nga matësit e ajrit, të cilat tregojnë rënie të ndotjes. Këto të dhëna, thotë Kasa-Iseni, vijnë për shkak të rrymimeve të ajrit, ndërsa pretendon se tani helmi i «Jugohrom»-it rrezikon edhe Kosovën. «Situata në Tetovë për shkak të stinës së verës në dukje flet për përmirësim, mirëpo kjo nuk do të thotë që helmimi është ndalur, përkundrazi, varësisht nga orientimi i erërave, tymi dhe pluhuri anojnë në anë të ndryshme, shpesh nga veriu duke përfunduar në Kosovë, e veçanërisht duke ndotur masivisht rajonin kufitar veriperëndimor mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ngaqë qëllimi nuk është arritur, leja e kësaj fabrike ka skaduar dhe Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap më të vogël, së paku të njohur për publikun kundrejt zgjidhjes së këtij problemi, aktivitetet tona do të vazhdojnë», thotë Narta Kasa – Iseni.

«Nëna dhe fëmija» ka vënë në lëvizje edhe ekspertë të ambientit dhe shëndetësisë, ka përpunuar të dhënat zyrtare dhe thotë se nuk do të dorëzohet edhe pas vendimeve të fundit të cilat, sipas tyre, janë më tepër për defokusim dhe jo zgjidhje të problemit. «Jemi të bindur dhe flasim me argumente mjekësore dhe statistikore që të jetosh me prezencë të grimcave PM 10 prej mbi 500 µg /m3 – 996 µg /m3 dhe të mos preket shëndeti do të ishte vetëm një mrekulli apo fat i pashoq. E vetmja që Qeveria ka bërë deri tani ishte iniciativa me të cilën fabrika «Jugohrom» është paraqitur për falimentim, mirëpo ai akoma nuk është bërë i qartë, i çfarë lloji është dhe për çfarë arsyesh po bëhet, kur dihen fitimi i qartë i fabrikës. Edhepse kjo firmë është paraqitur për falimentim, nga ana e drejtorit përgjegjës për çështjen e falimentimit në deklaratë për media u tha që mbetet akoma të vendoset nëse ky falimentim do të thotë ndërprerje e punës së fabrikës, apo jo. Derisa të procesohet aspekti administrativ i falimentimit, fabrika do të vazhdojë me punë të rregullt, pa filtra, me kapacitet të plotë, si dhe me prodhim të njëjtë të tymit e të pluhurit që emetohet në atmosferë nga oxhaqet e fabrikës», thotë Narta Kasa-Iseni nga lëvizja «Nëna dhe fëmija».

Një «X» për deputetët e zonës

Në shenjë pakënaqësie për mosangazhimin e tyre, drejtuesit e lëvizjes «Eco Guerilla» kanë reaguar ndaj deputetëve shqiptarë të zonës numër gjashtë, ku bën pjesë Tetova dhe rajoni i Pollogut, ku janë zgjedhur edhe dy liderët, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Protestat e lëvizjes «Eco Guerilla» dhe «Nëna dhe fëmija» kanë marrë mbështetje edhe nga artisë, yje të estradës, akademikë dhe figura publike të Tetovës dhe nga hapësirat e tjera shqiptare.

Foto: Nagip ISMAILI - NAGI

Lajme të ngjashme

Back to top button