-Dhuntitë e Ramazanit

Shkruan: Doc.dr. Husein Rizai

Të gjitha ibadetet në islam kanë cakun dhe synimin e tyre, pa marrë parasysh se a është kjo e njohur për ne ose jo. Sikurse Allahu i lartësuar që nuk ka krijuar asgjë pa synim, poashtu, Ai edhe nuk ka caktuar asgjë pa synim.

Çdo ibadet në islam i ka së paku dy funksione: i pari është rregullimi i raportit tonë apo i borxhit tonë ndaj Allahut të lartësuar, kurse i dyti është avancimi apo përmirësimi i raporteve tona ndërnjerëzore, gjegjësisht raporteve reciproke. Natyrisht, Allahi i lartësuar nuk është i nevojshëm për ibadetet tona – jemi ne ata që jemi të nevojshëm për ibadet dhe që kemi nevojë për Allahun e madhërishëm.

Transmetohet nga Ebu Hurejreja se Muhammedi a.s. ka thënë: Umettit tim për Ramazan u janë dhënë 5 gjëra të cilët umetet e mëparshme nuk i kanë pasur: 1. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu xh.sh është më e bukur se era e miskut (parfemit.) 2. Peshkujt që janë në det luten për ata të cilët agjërojnë. 3.Xhenneti zbukurohet për çdo ditë për agjëruesit, e Allahu u thotë shumë afër është koha kur do të vijnë të gjithë ata që kanë qenë të sinqertë në ibadetet e tyre. 4. Mbyllen shejtanët që mos u pengojnë agjëruesve. 5. Falen të gjitha gjynahet e agjëruesve në ditët e fundit të agjërimit. Sahabët e pyetën: O i dërguari i Allahut, mos është ajo nata e Kadrit? Jo, kjo është njësoj sikur një person i cili punon një muaj dhe në fund të muajit e merr rrogën.

1. Për pjesën e hadithit se era e gojës së agjëruest tek Allahu është më e bukur se sa era e miskut, dijetarët islamë kanë dhënë shumë mendime, por ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre.

a). Allahu xh.sh. si kundërvlerë dhe si shpërblim në ditën e gjykimit do t’i japë një erë shumë të bukur, e cila do të jetë më e bukur se sa misku apo parfumet. Ka disa hadithe që e vërtetojnë këtë hadith.

b). Në ditën e gjykimit, kur do të dalim prej varreve dhe do të ngrihemi të dalim para Allahut xh.sh për të dhënë llogari, ata të cilët kanë agjëruar gjatë jetës së tyre, si shenjë e agjërimit, prej gojës së tyre do të vijë një erë e bukur, më e bukur se sa era e miskut.

c). Ka kuptimin e kësaj bote, sepse njerëzve që agjërojnë nuk u vjen era e gojës, e këtë ua mundëson Allahu, sepse personin që agjëron e do Allahu dhe e duan njerëzit, dhe prej dashurisë së madhe, era e gojës së agjëruesit nuk pengon, nuk është e keqe, përkundrazi është e bukur dhe e këndshme.

Agjërimi është njëri nga ibadetet që Allahu e do më së shumti, e këtë më mirë e shohim nga hadithi i mëposhtëm: Agjëruesi largohet nga ngrënia, pija vetëm për mua, e Unë do ta shpërblejë atë…(ve ene exhzi bi). Cili mund të jetë ai shpërblim? A ka gjë më të bukur se sa takimi me Allahun?

Disa dijetarë, duke u bazuar në këtë hadith, e kanë ndaluar që të pastrohen dhëmbët me misvak në mbrëmje, për shkak se era e bukur nuk vjen prej gojës, por prej brendisë së njeriut (lukthit), i cili është i zbrazët dhe Allahu ia jep një erë të bukur.

2. Ndërsa, karakteristika e dytë është se në hadith thuhet se për agjëruesin bëjnë dua edhe peshkujt në det, që ka për qëllim të tregojë se për agjëruesin luten shume sende, dhe për ta shprehur shumën i ka përdorur peshkujt. Ka hadithe që tregojnë se edhe melaiket bëjnë dua për agjëruesin.

Një dijetar për këtë thotë: për atë se peshqit bëjnë dua tregon edhe ajeti kuranor (Merjem-96): ”Nuk ka dyshim se ata që bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t’u krijojë dashuri (në zemrat e tyre).

Në një hadith tregohet se nëse Allahu xh.sh. e don një rob i thotl Xhebrailit, Unë filanin e dua shumë, duaje edhe ti atë, dhe pas kësaj Xhebraili fillon që ta dojë dhe më pas tij i njofton gjithë çka ka në qiell që edhe ata ta duan atë. Pasi që ta duan ata të qiellit, dalëngadalë dashuria depërton në zemrat e atyre që janë në tokë. Është normale që çdokush e do njeriun e mirë që e ka të afërt, mirëpo dashuria e Allahut ndaj një personi reflektohet jo vetëm te të gjithë njerëzit, por edhe te kafshët dhe gjallesat e ujit apo të detit, dhe ato e duan atë dhe bëjnë dua për të.

3. Ka hadithe të shumta që e mbështesin tezën për zbukurimin e Xhennetit. Në një hadith thuhet: ”Që në fillim të vitit Xhenneti zbukurohet për Ramazan”. Kjo tregon për madhërinë e Ramazanit. Sikur kur ke ndonjë një mysafir ose dasëm, dhe përgatitjet fillojnë më herët.

4. Si rezultat i lidhjes së shejtanëve, në Ramazan zvoglohet shuma e gjynaheve, për shkak të shtimit të rahmetit, magfiretit, bereqetit, dhe shejtanëve nuk u mbetet terren që të veprojnë dhe automatikisht zvoglohen punët e këqija. Këtë mund ta vërejmë edhe në jetën e përditshme ku shihet se nuk pihet/ose pihet më pak alkool, ka më pak zina, vjedhje, etj.

Në anën tjetër, ka njërëz të cilët pa marrë parasysh muajin e Ramazanit vazhdojnë të bëjnë gjynahe të cilat i kanë bërë edhe para Ramazanit, nuk ndërrojnë asgjë në veprimet e tyre. Për këtë shumë mirë na tregon ky hadith: ”Kur njeriu bën një gjynah, në zemrën e tij i vihet një leqe e zezë, e nëse pendohet, ajo pastrohet, mirëpo nëse nuk pendohet, ajo ri aty dhe për çdo ditë kur do të bëjë gjynahe, do t’i mbushet zemra me leqe dhe ajo më nuk do të reagojë ndaj punëve të këqija dhe njeriu nuk mund t’i perceptojë punët e mira. Këtë më së miri mund ta shohim në ajetin (Mutaffifun-17) (Kella bel rane ala Kulubihim) – ”Jo, është e vërtetë se zemrat e tyrë janë të prishura”.

Kemi raste të ndryshme kur një njeri është mësuar me një gabim dhe atë e bën pa asnjë problem. Por, nëse njeriu nuk është i mësuar ta bëjë një gjynah, gjegjësisht nëse zemra e refuzon atë, si p.sh. rasti me njeriun që e pi alkoolin dhe kjo për të është normale, mirëpo të njëjtit po t’i jepet mish derri, ai atë e refuzon. Edhe pse të dyjat janë haram dhe bëjnë pjesë në një kategori.

E njëjta vlen edhe për Ramazanin, njeriu i cili bën çdo gjë jashtë Ramazanit, ai mësohet me të, dhe atë e bën edhe në Ramazan, ndërsa njerëzit që ruhen jashtë Ramazanit, në Ramazan janë edhe më të kujdeshëm.

5. Në ditën e fundit të agjërimit, agjëruesve u falen gjynahet. Në hadithin që e përmendëm më lartë u pa se sahabët menduan se mos bëhet fjalë për natën e Kadrit, mirëpo Muhammedi a.s. u tha se çdo për punë që bëhet, shpërblimi merret në fund të punës, dhe kjo vlen edhe për Ramazanin.

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button