Maqedoni, 10.000 nxënës ende nuk janë regjistruar në shkolla të mesme

Megjithëse janë bërë tetë vite prej se në Maqedoni është i obligueshëm arsimi i mesëm, përsëri jo të gjithë nxënësit që kryejnë arsimin fillor janë të interesuar ta vazhdojnë shkollimin në këtë nivel. Përveç kësaj, është një masë e konsiderueshme e nxënësve të cilët edhe kur konkurrojnë të regjistrohen në shkollat e mesme, nuk plotësojnë pikët e nevojshme, shkruan KOHA.

Të dhënat për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin 2015/2016, tregojnë se në paraqitjen e parë të qershorit, dokumentet i kanë dorëzuar 17.948 gjysmë maturantë për 35.443 vendet e lejuara me Konkursin përkatës. Numri i kandidatëve potencial, pra i atyre që kanë përfunduar shkollimin fillor, sikurse bën të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), është 21.876 gjysmëmaturantë.

Rrjedhimisht, në paraqitjen e parë të qershorit, dokumentet i kanë dorëzuar 82 për qind e gjysmë maturantëve, të cilët në raport me vendet e planifikuara në Konkurs nuk kalojnë as 50 për qindëshin. Ende më të ulëta janë përqindjet nëse numri i gjysmëmaturantëve dhe vendeve të Konkursit krahasohet me numrin e atyre që u regjistruan në afatin e parë.

MASH informon se deri tani janë regjistruar 12.007 nxënës, e që i bie të jetë rreth 67 për qind e atyre që konkurruan, rreth 54 për qind e gjysmëmaturantëve dhe rreth 34 për qind e vendeve të lejuara për vitin e ardhshëm shkollor 2015/2016. Vendet e planifikuar me Konkurs janë plotësuar vetëm në gjashtë shkolla të mesme, pesë prej të cilave në Shkup dhe njëra në Manastir.

Për nxënësit shqiptarë, në afatet e radhës nuk do të ketë më vend në ZLM, ku thuhet se janë plotësuar të gjitha vendet për 15 paralelet e Konkursit si dhe në “Georgi Dimitrov” ku nga 12 paralele gjithsesi ishte caktuar edhe një në gjuhën shqipe – edhe atë në drejtime pylltari dhe arkitekt pejsazhi. Në të gjitha shkollat tjera kanë mbetur plot vende të lira, respektivisht edhe 23.436 vende.

Bazuar në shifrat që jepen nga MASH-i enkas me paraqitjen e parë të regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme, në afatin e qershorit del se në nivel shteti – kanë mbet pa u regjistruar rreth 10.000 nxënës, ose saktësisht 9869 saktësisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button