АNALIZË: A do të marrin fund punësimet në administratën shtetërore!?

Përderisa qeveria është duke e realizuar njërin nga operacionet më masovike për punësim të përhershëm të mbi 3.500 personave në administratën shtetërore, dhe gjatë këtyre ditëve u ndanë vendime në Manastir, Ohër, Prilep, Shtip, Bashkimi Evropian, nëpërmjet raportit të cilin eurokomesari Johanes Han, javën e kaluar ia dorëzoi zëvendëskryeministrit Fatmir Besimi, kërkon moratorium urgjent të këtij procesi. Në pako me këtë kërkesë, KE-ja thekson se administrata duhet rinumërohet. Një pjesë e ministrive ose janë të përmbajtura ose thonë se veprojnë në bazë të ligjeve, mirëpo sipas ekonomistëve më me rëndësi është se çka shkruan për këtë çështje problematike në propozim-planin e kryeministrit Gruevski që do të shqyrtohet dhe do të vlerësohet nga BE-ja.

Moratorium për punësimet e reja, rinumërim i administratës…

Me titullin “Depolitizimi i administratës publike”, Komisioni Evropian në adresë të qeverisë dërgoi rekomandime serioze në lidhje me operacionin aktual për punësime të përhershme në sektorin shtetëtor dhe publik. Në pjesën e raportit që i kushtohet administratës, BE-ja potencon disa vërejtje dhe kërkesa që duhet të zbatohen. Njëra nga kërkesat kryesore është që të vendoset moratorium për procesin aktual të transformimit të punësimeve të përkohshme në punësime të përhershme, mirëpo edhe rinumërim të numrit të të punësuarve në administratë. Në raport thuhet:

“Të vendoset moratorium në implementimin e Ligjit për transformimin e vendeve të përkohshme të punës në kontrata të përhershme, derisa nuk respektohet në tërësi parimi i meritave në procesin e transformimit. Të sigurohen të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në shërbimet publike në të gjitha ministritë, agjencitë dhe organet e tjera shtetërore, të ndarë sipas sektorëve”, theksohet në raport, transmeton Portalb.

Deri tani, Ministria për Financa, e cila e realizon këtë procedurë, nuk ka dalë me qëndrim në lidhje me këtë rekomandim, mirëpo si dhe në çfarë niveli është trajtuar kjo çështje do të zbulojë propozim-plani i qeverisë, i cili do t’i jepet për shqyrtim Bashkimit Evropian. Përndryshe, vendimet e para për punësime të përhershme u nënshkruan nga fundi i muajit të kaluar, kur ministri i financave, Stavreski, nënshkroi 2.667 vendime. Atëherë ministri deklaroi se kjo masë përparon në mënyrë solide dhe se në fund të operacionit 3.500 njerëz do të fitojnë punësim të përhershëm.Sipas planit të qeverisë, numri më i madh i punësimeve, ose 1.360, janë në shëndetësi, pastaj në mbrojtjen sociale dhe në çerdhet e fëmijëve, ku punësim të përhershëm do të fitojnë rreth 500 njerëz, ndërsa në arsim 277 persona.

Sa i përket kërkesës së dytë për përcaktimin e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në administratën shtetërore, opinioni në Maqedoni akoma spekulon me numrat, edhe pse me zgjidhjet e reja ligjore që kanë të bëjnë me administratën, kërkohet rinumërimi i saj. Në mungesë të të dhënave zyrtare, sipas vlerësimeve të një pjese të biznesmenëve dhe të ekonomistëve, numri i nëpunësve publikë dhe shtetërorë arrin edhe deri në 160.000.

Sipas profesorit Semi Bislimi, duhet të jepet përgigje në disa pyetje, para se të vendoset se a na duhet një administratë e këtillë, sa është ajo efikase, sa është numri i saj dhe në fund a kemi mundësi ta paguajmë atë. Sipas profesorit, numri i të punësuarve në administratë rrotullohet prej 140.000 deri në 160.000, ndërsa mesatarja për një vend si Maqedonia, është 60.000 deri në 70.000 të punësuar.

“Jemi dëshmitarë se në 20 vitet e fundit ne grumbullojmë administratë, ajo vazhdimisht rritet, dhe në këtë periudhë prej 20 vitesh nuk krijuam kushte për rritjen e të punësuarve në sektorin privat. Sipas disa vlerësimeve, në 6 vitet e fundit, në institucionet shtetërore janë punësuar 40.000 njerëz, prej tyre 6.000 shqiptarë. Është e vërtetë se duhet të respektohet Marrëveshja e Ohrit në aspekt të përfaqësimit të drejtë, mirëpo duhet të respektohet edhe profesionalizmi, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare. Jam i bindur se edhe në mesin e maqedonasve edhe në mesin e shqiptarëve, ose të ndonjë kombësie tjetër, ka profesionistë, mirëpo është çështje tjetër se si arrihet deri te vendi i punës. Përveç çelësit nacional, këtu është edhe ai partiak”, deklaroi para do kohësh për “Portalb”-in profesori Bislimi.

Profesionalizëm dhe transparencë në punësime…

Përveç moratoriumit të procesit të transformimit të punësimeve të përkohshme në punësime të përhershme, Komisioni Evropian kishte edhe dy kërkesa në lidhje me administratën.

“Zbatim rigoroz i kornizës së re ligjore, i Ligjit për nëpunës shtetërorë dhe i Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, respektim i plotë i parimeve të transparencës, meritave dhe përfaqësimit të drejtë. Politikat për punësim duhet t’i respektojnë parimet e transparencës, meritave dhe të përfaqësimit të drejtë në administratën shtetërore, nëpërmjet thirrjes publike. Nuk duhet të ketë punësime të mëtutjeshme në qoftë se nuk respektohen rregullat”, thuhet në raport, transmeton Portalb.

Përderisa qeveria mundohet të bindë se zgjidhjet e reja ligjore për administratën do të sjellin profesionalizëm dhe do ta rrisin efikasitetin, një pjesë e ekspertëve vlerësuan se këto ligje do të mbeten vetëm “shkronja” në letër. Rrogat rriten, jepen pesëshe dhe njësha për të punësuarit në administratë – mirëpo, numri i atyre që janë të punësuar në aparatin shtetëror dhe administrativ edhe më tej mbetet i panjohur, thonë analistët.

“Mendoj se tepër eksperimentojmë me gjëra që janë të njohura në botë. Tani bëjmë ndarje në administratë shtetërore dhe publike, miratojmë ligje për rritjen e efikasitetit, e në fund mbetet të nа lodhë një problem, e ai është se sa njerëz punojnë në institucionet shtetërore. Unë nuk e kam të qartë se si ka mundësi që në një vend me 2 milionë banorë nuk mund të numërohet numri i të punësuarve në administratë. Mendoj se tani ofrohen zgjidhje të këtilla ligjore vetëm për një arsye, e ajo është të vendosen në plan të dytë problemet që janë të rëndësishme, si papunësia dhe rritja ekonomike”, sqaron për Portalb, profesori universitar, Semi Bislimi.

Punësimet e fundit masovike në institucionet shtetërore u realizuan në “Pyjet e Maqedonisë” kur u pranuan 1.600 persona. Për një pjesë të tyre, akoma nuk është gjetur vendi i punës. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button