Ish-kryeministri britanik Tony Blair sot në Tiranë, takim me Ramën
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Blair do të zhvillojë sot një vizitë në Tiranë ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Pas një takimi kom më kokë, Rama dhe Blair do të zhvillojnë një konferencë për shtyp në orën 10:15 në kryeministri.
Ky është takimi i dytë brenda pak ditësh mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit britanik Tony Blair.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Rama u takua me Blair ku diskutoi për sfidat dhe prioritetet e qeverisë së re.
Pas këtij takimi Kryeministri Rama u shpreh se shumë shpejt do të ngrihet një strukturë e posaçme për prioritetet e qeverisë shqiptare.
“Së bashku me kryeministrin Blair ne do të vëmë në jetë shumë shpejt një strukturë të posaçme të arritjes së rezultateve dhe të kalimit të çdo pjesë të programit në procesin e realizimit dhe të përkthimit në rezultate” është shprehur Rama.
Ditën e djeshme Blair ka vizituar Shkupin ku ka marrë pjesë në festivalin paqësor ballkanik, Sahara I cili mbështetet edhe nga fondacioni i ish-presidentit amerikan, Bill Klinton.
Ndërkohë Tony Blair mbetet një figurë popullore në rajon, për rolin që pati në mbrojtjen e shqiptarëve etnikë në Kosovë, në sajë të planifikimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish Jugosllavinë, në vitin 1999. / Balkanweb