Site icon PORTALB

Skandal: Deputeti holandez transmeton karikatura të Profetit Muhamed

Geert Wilders

Geert Wilders

Politikani holandez, Geert Wilders të mërkurën transmetoi karikatura të Profetit Muhamed në televizionin nacional holandez, shkruhet në revistën The Wall Street Journal.

Wilders, i cili udhëheq me Partinë Holandeze për Liri, i transmetoi karikaturat në programin e rezervuar për partitë politike. Ai tha se këtë e ka bërë për të shfaqur lirinë e shprehjes, pavarësisht se sipas Islamit cilido vizatim fizik i profetit është blasfemi.

“Myslimanët, terroristët, nuk duan që ne t’i shfaqim këto karikatura. Por terrori dhe dhuna kurrë nuk mund ta mposhtë lirinë e shprehjes”-tha Wilders. “Ne duhet të bëjmë pikërisht atë që terroristët na ndalojnë të bëjmë”-theksoi ai.

Gjatë spotit tre-minutësh, Wilders transmetoi 9 karikatura të profetit Muhamed. Njëra prej tyre shoqërohej me tekstin: “Unë dola fitimtar falë terrorit.”

Kritikët e shohin transmetimin e fundit të Wilders si një akt provokues, sidomos tani gjatë muajit Ramazan, muajit të shenjtë për myslimanët në tërë botën. Ndërkohë mediat holandeze bëjnë të ditur se autoritetet holandeze kanë marrë masa parandaluese në rast të ndonjë proteste të dhunshme. Ambasadat në shtetet islamike u njoftuan dhe diplomatët u porositën të sqarojnë se transmetimi reflekton qëndrimin e një prej politikanëve, por jo të qeverisë holandeze.

Me këtë rast një grup i xhamive marokene javën e kaluar lëshuan një karikaturë që e përshkruante atë si një fëmijë të pakënaqur të shfaqur në një bombë. “Të injoruarit e tij ose përdorimi i humorit është mënyra më e mirë për t’i përgjigjur atij (Wilders-it)” –tha Aisaa Zanzen. “Ne nuk lejojmë që ai ta polarizojë shoqërinë tonë.”-shtoi Zanzen.

Për ndryshe zyrtarët e qeverisë holandeze publikisht e kanë denoncuar qëndrimin e Wilders ndaj Islamit, por thanë se e mbrojnë lirinë e tij të shprehjes.

Wilders është i njohur si një nga kritikët më të mëdhenj të Islamit, të cilin ai e ka përshkruar si ideologji fashiste. Politikani aktualisht po ndiqet penalisht në Holandë për diskriminim dhe gjuhën e urrejtjes mbi vërejtjet që i ka bërë origjinës së holandezëve-marokenë.

Karikaturat e transmetuara në Televizonin nacional holandez së pari ishin shfaqur në një ekspozitë të karikaturave të Profetit gjatë muajit të kaluar në Garland, Texas, ku Wilders ishte njëri prej folësve. Ngjarja ishte sulmuar nga dy persona të armatosur, të cilët hapën zjarr drejt rojes së sigurisë dhe u vranë nga policia. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Shteti Islamik.

Ky transmetim erdhi 6 muaj pas sulmit të ekstremistëve të Shtetit Islamik drejt revistës satirike Charlie Hebdo, ku u vranë 12 njerëz përfshirë këtu edhe disa nga karikaturistët më të famshëm.

Exit mobile version