Site icon PORTALB

Nexhipi dhe Starova në luftë të ftohtë

Pankina e KF Partizani - Tiranë

Pankina e KF Partizani - Tiranë

Te skuadra e kuqe e Partizanit, marrëdhëniet midis trajnerit Starova dhe kapitenit Nexhipi duket se nuk janë shumë të qeta, madje edhe disi të tensionuar në raportet trajner-kapiten. Nëse deri tani ka vetëm “xixa” mediatike, ato mund të shndërrohen në një problem serioz për skuadrën e kuqe të kryeqytetit.

Gjithçka është zbuluar pas miqësores Partizani-Renova (2:2), pak ditë më parë në “Qemal Stafa”. Mosaktivizimin që në fillim të ndeshjes, kapiteni Nexhipi e kontestoi, duke deklaruar se ai nuk ishte një lojtar stoli, duke i bërë edhe një lloj paralajmërimi mediatik trajnerit Starova për përzgjedhjet e gabuara që kishte bërë.

Por kapiteni Nderim Nexhipi i Partizanit do ta ritheksonte edhe sot në “Panorama Sport” qëndrimin se ai është një lojtar, i cili nuk e pranon stolin. Pa përmenduar vlerat sportive që i lë të nënkuptohen se ato janë të afirmuara, mesfushori i skuadrës së kuqe pretendimin e mbështet në argumentin se ai është kapiten i Partizanit, një arsye më shumë sipas tij, për të mos qëndruar në stolin e skuadrës së kuqe.

“Problemin” kapiteni i Partizanit, më shumë se me trajnerin Starova, e ka veten. Nexhipi e pranon edhe vetë këtë kur shprehet se: “Ai është një lojtar, që nuk e pranon stolin!”. Këtë “dobësi” të tij, kapiteni i të kuqve Nexhipi e ka demonstruar në mjaft raste edhe në marrëdhëniet me ish-trajnerin Duro, të cilat në fundin e kampionatit erdhën duke u përmirësuar, drejt normalitetit të raporteve trajner-kapiten.

Përballë kësaj “kapriçioje” të kapitenit të Partizanit, qëndron trajneri Sulejman Starova, i cili natyrisht ka filozofinë e tij dhe tagrin për të përzgjedhur skuadrën që do të hedhë në fushë. Po të rrëmosh në të kaluarën e trajnerit të skuadrës së kuqe, do të shikosh se kur ai ka drejtuar Tiranën, ka patur guximin “të konfrontohet” edhe me yje të skuadrës bardheblu, si Indrit Fortuzi e Devi Muka, të cilët nuk ishin dakort me filozofinë e trajnerit Starova. Këtë mesfushori dhe kapiteni i Partizanit, Nexhipi, nuk di dhe dikush duhet t’ia tregojë.

Në të kundërt, “xixat” në marrëdhëniet midis kapitenit Nexhipi dhe trajnerit Starova mund të kthehen në një “zjarr” në klubin e kuq, i cili mund të shpërthejë në “flakë” që në ndeshjen e sotme miqësore Laçi-Partizani.

Exit mobile version