Ndërkohë që ishte në Lazarat me detyrë shtetërore ku edhe humbi jetë, Ibrahim Basha ishte duke kryer edhe një detyrë tjetër gjatë aksionit për kapjen e personave të armatosur në fshat, atë ndaj Krijuesit. Ibrahim Basha ishte agjërueshëm kur u qëllua, raporton portali Albeu.
Myslimanët e kanë obligim agjërimin gjatë muajit të Ramazanit dhe Ibrahim Basha ishte një besimtar mysliman.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dënuar aktin e vrasjes së efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha duke kërkuar nga drejtësia gjetjen e autorëve dhe gjykimin e tyre.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe merr pjesë në dhimbjen e saj, ndërkohë lutet për shërim të shpejtë për dy të lënduarit e tjerë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Efektivi Ibrahim Basha ra në krye të detyrës shtetërore në luftën kundër krimit, ndërkohë që ishte në përmbushje të detyrës si agjërues i Muajit të Bekuar të Ramazanit. Ai njihej në rrethin e tij si një besimtar dhe njeri i përkushtuar në detyrë. Për këtë lusim Allahun e Madhëruar që ta mëshirojë dhe ta pranojë në xhenetet e Tij të larta”, – shprehet KMSH.
Një skuadër e forcave RENEA ra në pritë sot në mëngjes në fshatin Lazarat nga persona të paidentifikuar gjatë një aksioni për kapjen e elementëve të armatosur që kishin shtënë me armë gjatë natës së djeshme.
Gjatë të shtënave raportohet se ka humbur jetë efektivi Ibrahim Basha dhe janë plagosur dy të tjerë.