Policia zbardh detajet e ngjarjes në Lazarat

Disa orë pas ngjarjes së ndodhur sot në Lazarat, Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të tjera, mbi atë se çfarë ndodhi në fshatin Lazarat ku humbi jetën një polic i Forcave Speciale Rena dhe mbetën të plagosur dy të tjerë

Policia thotë se efektivët ishin me shërbim në Lazarat, ndërkohë që janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat nga persona të paidentifikuar.

“Më 24 qershor ora 02:30 në fshatin Lazarat forcat e FNSH të cilat ishin të planizuara me shërbim në vendin e quajtur ‘Kazinoja’ mbi ish Pularinë tek kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë, si dhe të grupit që ishte me shërbim te kryqëzimi i përroit të Kordhocës janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat nga persona të pa identifikuar. Po kështu në orën 04:44 grupi tjetër i FNSH që ishte me shërbim në vendin e quajtur ‘Furra e bukës’ Kordhocë njoftoi se nga qendra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri”, sqaron Policia nisjen e sulmit.

Pas dëgjimit të këtyre të shtënave me armë, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u ngrit grupi i drej timit dhe u morën masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e personave të cilët kanë qëlluar forcat e policisë.

Me ardhjen e forcave RENEA në orën 09:00 filloi operacioni për kapjen e grupit e personave te armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Drejtorisë Policisë Qarkut Gjirokastër. Gjatë operacioni për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës u konstatua një automjet Benz i bardhë pa targa, i cili mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë.

“U bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit i cili është shtetasi Xhulio Ilirjan Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera të RENEA-s me mjetin tip Volsëvagen me targa MB 060 AA, ku në afërsi të vendit të quajtur ‘Pularia’ në drejtim të këtij au tomjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA, ku punonjësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër ka gjetur vdekjen, ndërsa punonjësit e policisë J. I. dhe P. H. janë çuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë për një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip Benz i bardhe së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo,” thuhet më tej në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Gjatë këqyrjes së automjetit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në këtë automjet janë gjetur, një arsenal armësh: Një automatik kallashnikov,një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e arma tosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm ndër ta edhe fishekë mitralozi , një kasetë fishekësh me disa krehra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparate celulare si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si kokainë.

Gjithashtu Policia njofton se po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve të tjerë nga fshati Lazarat për të parë kanë lidhje me ngjarjen apo jo. Ndërkohë forcat e policisë mbajnë në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhet te ish Pularia në fshatin Lazarat.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur është hartuar një plan operacional , për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur që qëlluan punonjësit e policisë. Në ndihmë të forcave të policisë kanë mbërritur grupe të tjera të FNSH dhe të Reneas si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për t ë transportuar forcat e policisë”, sqaron më tej Policia.

Në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka arritur drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako , Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Altin Qato , Prokurori i Krimeve të Rënda Andan Zholi, si dhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Krimeve të Rënda.

Po vijon operacioni për kapjen e personave të armatosur. Policia është e vendosur për të zbatuar rreptësisht ligjin për kapjen dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që goditën punonjësit e policisë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo tërheqje të Policisë.

Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë” në bashkëpunim. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button