Shifra dhe fakte interesante për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë janë takuar 26 herë në Bruksel, prejse këtu nisën negociatat në nivel politik, më 19 tetor 2012. Tri herë u takuan Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq, ndërsa 23 herë Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.
Kryeministrat kanë kaluar me tepër se 450 orë duke folur me njëri tjetrin. Klan Kosova ju sjell disa fakte dhe deklarata interesante nga takimet me të veçanta të dialogut Prishtinë-Beograd.

Takimi i djeshëm në Bruksel, ishte i treti ndërmjet Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Para tyre, një gjë të tillë, në zyrat e BE-së, e kishin bërë 23 herë Hashim Thaçi e Ivica Daçiqi. Bëhet fjalë për bisedime e negociata, sigurisht, të ndërmjetësuara nga Catherine Ashton!

Klan Kosova ka gjetur një informacion interesant në internet se dy të fundit dhe dy të parët, biseduan ndërmjet vete, rreth 450 orë, prej takimit të parë ndërmjet kryeministrave të Kosovës e Serbisë, që u mbajt më 19 tetor 2012.

Në gjithë këto bisedime, pati momente të veçanta. Edhe nënshkrime historike. E nuk munguan as deklaratat bombastike.

Kur kishte marrë fund takimi i parë, ai i vjeshtës së para tri vjetëve, Hashim Thaçi kishte thënë se ai, Ashton dhe Daçiq hapën një kapitull të ri për normalizimin e raporteve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai qysh në atë ditë kishte profetizuar fundin e dialogut.

“Do të mbyllet me njohje reciproke të dy vendeve, si shtete sovrane”, ka thënë ai, rikujton Klan Kosova.

Detajet e para interesante

E duke qenë se po bënte historinë, që si kryeministri i parë serb po pranon të negociojë me një homolog shqiptar nga Kosova, i cili ishte edhe komandant i UÇK-së, edhe Daçiq nuk pati ngurruar të shiste patriotizëm, pas takimit ku organizatorët ishin përpjekur te evitonin çfarëdo shenje e simboli që ka të bëjë me shtetësi e pavarësi.

Ai tregoi qysh kishin arritur ai dhe Thaçi, të kontrabandojnë diçka nga këto simbole, në takimin te Ashton. Bëhet fjalë për flamuj aksesorë të shteteve, që i kishin venë në jaka të xhaketave. I tij, gjoja se ishte më e veçantë.

“Unë e kam pasur simbolin tim, por edhe Thaçi e ka pasur simbolin e tij, megjithatë, shenja ime ishte më e madhe”, ka thënë Daçiq.

Ai pati treguar edhe një detaj interesant nga takimi që kishte zgjatur një orë e 40 minuta.

“Thaçit i kam thënë – aq sa është Kosova e tij, aq është edhe e imja. Unë jam i lindur në Kosovë”, ka bërë të ditur shefi i qeverisë serbe.

Përgjigja e Thaçit, sikur kishte raportuar Klan Kosova më 19 tetor 2012 ishte e shpejtë.

“Po, e di se ke lindur në Prizren. Apliko kur të duash për pasaportën e Kosovës, pasi në e pranojmë dyshtetësinë “, ka thënë kosovari.

Si e nisën Edita dhe Borko

Në kësi fryme kishte kaluar edhe takimi i parë i nivelit të teknik, ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Edita Tahiri nga Kosova dhe Borko Stefanoviq nga Serbia, e kishin nisur dialogun më 8 mars 2011, në zyrën e ndërmjetësit Rober Cooper, këshilltar i Catherine Ashton.

Serbi e kishte përshkruar shqiptaren si një negociatore të vështirë. E kjo e kishte dëshmuar një gjë të tillë, duke arritur që qysh në njohje, t’i tregojë atij dhe krejt Serbisë se po takohej me përfaqësuesin e një shteti tjetër.

“Më vjen mirë që po takoj përfaqësuesin e Republikës së Serbisë, dhe unë po ashtu sjell përshëndetjet nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tymi i bardhë i 19 prillit 2013

Arritja më e madhe e dialogut deri tashti është marrëveshja 15 pikëshe e 19 prillit 2013. Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq kishin vënë inicialet e tyre, ndaras, në dokumentin, që pos tjerave, paralajmëronte themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, shpërbërjen e MUP-it dhe mospengimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Parafimi i marrëveshjes ishte aq i rëndësishëm sa pajtimi për të ishte krahasuar me simbolikën e zgjedhjes së Papës së ri, në Vatikan.

“Tymi i bardhë doli, kemi marrëveshje!”, pati shkruar ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, në Twitter, pak momente pas aktit historik.

Tym të bardhë nuk vollën shumë dje, oxhaqet e ndërtesës në Bruksel, ku u takuan Mustafa e Vuçiqi.

Ata s’u morën vesh për kodin telefonik të Kosovës, pronësinë e liqenit dhe hidrocentralit të Gazivodës, largimin e Parkut të Paqes dhe as Asociacionin e Komunave Serbe.

Lajme të ngjashme

Back to top button