Rinkevics: Këshilli i BE-së kërkon që partitë politike të Maqedonisë të respektojnë marrëveshjen

Tema kryesore e diskutimit të Këshillit të djeshëm për Punë të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, që u mbajt në Luksemburg, ishte situata në Republikën e Maqedonisë dhe gjithçka që ndodh në këtë vend. Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dje pas një orë e gjysmë diskutim për krizën politike në Republikën e Maqedonisë, vendosën që miratimin zyrtar të konkluzioneve për këtë vend ta lënë për ditën e sotme, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilli për Punë të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, në mbledhjen e sotme miratoi konstatimet për Republikën e Maqedonisë që drejtuesit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, do t’i vërtetojnë në Samitin e Këshillit Evropian të enjten dhe të premten në Luksemburg.

Para se Këshilli i BE-së zyrtarisht t’i publikojë konstatimet për Maqedoninë, Edgards Rinkēvičs, ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, vend kryesues me Këshillin e BE-së, në një konferencë për shtyp theksoi se Këshilli për Punë të Përgjithshme ka pasur debat për Maqedoninë dhe se janë miratuar konstatime relevante.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend dhe procesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian, i cili gjithashtu përfshin mesazhet e dërguara të Bashkimit Evropian ndaj liderëve politik të vendit. Ne theksuam se partitë politike duhet të respektojnë marrëveshjen e 2 qershorit dhe atë të 19 qershorit. Njëjtë theksuam shumë herë deri më tani rëndësinë e zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë këtu edhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë e mediave dhe lirinë e zgjedhjeve, si dhe korrupsionin dhe politizimin e institucioneve shtetërore”, theksoi Rinkēvičs.

Në pyetjen se në qoftë se nuk qetësohet situata politike në Maqedoni, a planifikon Bashkimi Evropian reagime shumë të ashpra ndaj Maqedonisë, këtu edhe ndalimin e fondeve, kryetari i Këshillit të BE-së është përgjigjur negativisht.

“Jo, në këtë kohë nuk mendojmë për hapat e mëtejshme. Dua të tregojë se komisioneri Hahn, i cili është përgjegjës për politikën e zgjerimit bën angazhime të mëdha që t’i kushtohet situatës në terren, të përkushtohet dialogu me të gjitha palët e përfshira. E përshëndesim punën të cilën e bën ai, ndërsa edhe mbrëmë kemi pasur debat për IRJ të Maqedonisë në Këshillin e Punëve të Jashtme. Debati i sotëm u koncentrua në konstatimet e Këshillit dhe dërguam mesazhe të qarta deri te të gjitha partitë politike, deri te të gjitha partitë të procesit politik në IRJ të Maqedonisë se duhet t’i përkushtohen dialogut politik, të vazhdojnë procesin reformues, një pjesë e së cilës janë edhe në konstatimet e Këshillit”, deklaroi shefi i diplomacisë së Letonisë, Edgards Rinkēvičs.

Sipas tij, Bashkimi Evropian shpreson se ky mesazh duhet dëgjuar në Maqedoni. “Nëse situata ndryshon, nënkuptohet, siç thamë më shumë herë, ne definitivisht do t’i kthehemi kësaj çështje dhe do të kemi diskutime shtesë për atë që është pjesë e Bashkimit Evropian. Por, për momentin nuk ka diskutim për hapat dhe masat e mëtejshme të cilat duhet t’i ndërmarrë Bashkimi Evropian”, shtoi Rinkēvičs.

Lajme të ngjashme

Back to top button