Testi i madh për qeverinë italiane

Parlamenti italian do të votojë më vonë gjatë ditës së mërkurë për të vendosur mbi të ardhmen e qeverisë së kryeministrit Enrico Letta dhe koalicionit qeverisës mes të djathtëve të Silvio Berlusconi dhe të majtës së PD-së.

Votëbesimi u thërrit nga vetë kryeministri Letta pas vendimit të Berlusconi-t për të tërhequr nga qeveria pesë ministrat e tij. Por pavarësisht tërheqjes së ministrave, të hënën dhe të martën drejtues të lartë të PDL-së deklaruan se do të mbështesin qeverinë Letta, por me disa kushte.

Angelino Alfano, një prej njerëzve më të afërt të Berlusconit, tha të martën: “Jam vendosmërisht i bindur se partia jonë si një e tërë duhet të votojë për ta besuar sërish Lettan nesër”.

Deklarata e tij erdhi pas apeleve të ngjashme nga politikanë të tjerë të Popullit të Lirise, siç ishte ajo e Carlo Giovannardi, senator dhe ish-ministër, i cili tha se do të grumbullonte mbështetjen e nevojshme për kryeministrin Letta.

Edhe Fabricio Cicchito, një prej deputeteve të Partisë Populli i Lirisë, tha se, “rrëzimi i qeverisë do të ishte një gabim i rëndë”.

Kjo krizë nisi kur Berlusconi, tre herë kryeministër i Italisë dhe një prej pronarëve të mediave në Itali, sulmoi qeverinë për rritjen e taksës së shitjes.

Letta, nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, e akuzoi atë se po e përdor tezën si një alibi për problemet e tij personale. Të shtunën Berlusconi urdhëroi ministrat e tij të japin dorëheqjen nga qeveria.

Ai kërcënoi se do ta rrëzonte ekzekutivin nëse dëbohet nga Senati, pas dënimit për evazion fiskal. Një komision i Senatit pritet të vendosë për dëbimin e Berlusconit këtë javë, pasi Gjykata e Lartë mbështeti dënimin e dhënë kundër tij.(TCH) 

Lajme të ngjashme

Back to top button