“Bombat” që po shkatërrojnë arsimin shqip në Maqedoni

Thënia “Nëse dëshiron ta shkatërrosh një popull, fillo nga arsimi” e përshtatur aktualisht për shqiptarët e Maqedonisë do të ishte “nëse dëshiron të vet-shkatërrohesh, shkatërro arsimin”. Për politizimin e arsimit në Maqedoni jemi dëshmitarë të gjithë dhe atë duke nisur nga çerdhet, duke theksuar haptas “lidhjet partiake” apo duke pëshpëritur fshehtas sasinë e mitos që duhet për tu realizuar një punësim apo shërbime të tjera në sferën akademike.
Materialet e fundit të përgjuara që i publikoi opozitarja LSDM të quajtura “bomba” në numër e 38-ta, edhe një herë dëshmojnë për ndikimet e forta politike të BDI-së në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Përveç rivaliteteve, punësimeve në baza partiake, në një bisedë të Xhevat Ademit qartësohen ndikimet partiake në këtë universitet dhe ndërhyrjet në punësime dhe gjëra të tjera, ku shfaqen edhe klane dhe grupime të ndryshme.

Për D-r. Nazmi Maliqin kujtimi i rrugëtimit deri te zyrtarizimi i universitetit shqip, që ishte i përcjellë me sakrifica, me rezistencë dhe me ndjenjë atdhetare bie ndesh me faktin se universiteti akoma nuk arriti të ketë madje një bibliotekë modeste dhe leximore, si vendtakime akademike të studentëve.

“USHT-ja po pengohet të marrë rrugëtimin e mbarë organizativ. Diktati partiak po krijon defekt e ndryshkë, po dëmton vlerën konkurruese kadrovike, po krijon dukuri primitive të nepotizmit, po dëmtohen vlerat universitare të programuara në kartën e Bolonjës.”-thotë dekani pranë Fakultetit të Shkencave politike e diplomacisë në Universitetin FON.

Maliqi sqaron se duke i invaduar hapësirat universitare të USHT-së, PDSH dhe BDI rrugëtimin akademik e vendosën në kornizë të grupeve të ngushta të interesit, në interesa personale, në interesa të inatit partiak dhe kështu neglizhohen normat universitare, krijohet vobektësi akademike, çrregullohet radhitja e hierarkisë akademike.

“Çthurrje të tilla i shohim me raste të instalimit të kuadrove partiake, në detyra dekanësh, bartës të programeve ligjëruese pa u respektuar rregullat adekuate akademike. Me keqardhje mund të konstatohet se kjo situatë përcillej dhe akoma përcillet me fukarallëkun kolegjial brenda profesorëve, despotizmin partiak, dëgjueshmëri servile, pa guxim intelektual (me shumë pak përjashtime) duke krijuar vakum organizimit kualitativ universitar për përcjelljen e ligjeratve dhe zbrazëti kadrovike adekuate. Partizimi i universiteteve në qarqet akademike të popujve që më herët se ne i kanë kaluar këto dhimbje, llogaritet si dukuri e shëmtuar.”-thekson Maliqi.

Sipas tij, partitë politike shqiptare duhet që një ditë ta shikojnë këtë universitet si vlerë të përbashkët brenda shqiptare. E profesorët universitar  duhet t’i rikthehen dëshirës për t’iu shmangur mjerimit edukativ dhe arsimor, duke u orvatur për t’u radhitur me modernen, për të realizuar normalen, mesataren, për t’i ngritur ambiciet për konkurrencë akademike brenda shqiptare dhe me të tjerët.

“Të kuptohemi pedagogët që merren më përsëafërmi me qëllimet edukative arsimore, rekomandojnë se nëse funksionojnë normat, rregullat, ligjshmëria, atëherë nuk ka nevoje te mendohet me tej për synimet e edukimit. Në raste të tilla, përkundër vështirësive që eventualisht mund të jenë prezent, synimet universitare kanë rrugëtim të mbarë për kultivimin e vlerave arsimore, kanë radhitje të kënaqshme.”-deklaron Maliqi.

Ndërkaq profesori universitar, D-r Zekirja Idrizi thotë për Portalb se “Partizimi de facto shpie në shkatërrimin e arsimit, si atij fillor, të mesëm apo universitar.”

Sipas tij, në këtë mënyrë nuk përgatiten kuadro, por monstruoz. “Në partizimin e kuadrove arsimore, më nuk shohim pranimin e arsimtarëve si kuadër, por si anëtarë partie. E pa një kuadër kualitativ nuk mund të ketë gjenerata kualitative e të shëndosha. Patjetër duhet të shkohet me kualitete sepse nëse vazhdohet në këtë mënyrë do të kemi degjenerim të rinisë. Me vetëdije do të shkatërrohet kjo pjesë e shoqërisë së këtij shteti.”-thotë Idrizi.

Me këtë rast ai bën thirrje deri te partitë në pushtet jo që të bëjnë diçka më shumë, por thjeshtë t’u përmbahen dispozitave ligjore e kushtetuese, duke thënë “Skajshmërisht partitë politike në pushtet duhet të punojnë konform ligjeve  dhe kushtetutës, sepse ligjet e kushtetuta nuk thonë që për kuadër arsimor të pranohen anëtarët e partive politike, por profesionistët!” /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Titulli i shkrimit nuk është adekuat. Nuk e shkatërrojnë ”bombat” e Zaevit arsimin shqip, por vetë injorantët politikë, ata që deri dje s’kishin as tetëvjeçare e sot kanë nga një grumbull me ”diiploma” dhe ”tituj” të ndryshëm ”shkencorë”.
    Të gjithë jemi dëshmitarë se si filloi të jetësohet Univerziteti i Tetovës, sa sakrifica u bënë, bile edhe u derdh gjak që të rinjtë tanë të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, sa profesorë akoma edhe sotë nuk janë paguar për mundin e dhënë sepse qysh në fillim filluan intrigat, qysh në fillim filluan manipulimet, zhvatjet e parave që vinin në emër të UT-së e që nuk dihej se ku shkonin. Më kujtohet një rast kur udhëheqsia e UT – së së atëhershme kishte marrë mbi 40000 marka gjermane për paisjen e një kabineti për të cilin studentët kishin nevojë (e që u detyruan që të shkojnë në Prishtinë që ti kryejnë ushtrimet) , paratë flenin në xhepat e udhëheqsisë.
    – Ç’të themi sotë kur në të japin mësim çfarëdo rrugaçësh që nuk kanë as kulturën minimale (militant partiak që s’dinë asgjë tjetër pos që të agjitojnë ideologjinë partiake dhe ti kushtëzojnë studentët), ç’të themi sotë kur studentët mësojnë në objektin e një shkolle fillore dhe pushtetarët krekosen se sa shumë kanë bërë për arsimin shqip, ç’të themi kur këta studentë s’kanë asnjë sallë leximi, asnjë bibliotekë ( harrova, kujt i duhet salla dhe biblioteka, ne kemi kafiçat rreth e përqark ku ”profesorat” kanë biznest e tyre), ç’të thuash për sjelljen e studentëve që një pjesë mjaft e mirë prej tyre çdo gjë mund të jenë, por studentë asesi jo, ç’të thuash për udhëheqsinë dhe stafin punues të këtij univerziteti që kur vjen ndonjë sherif lokal, rreshtohen dhe detyrojnë edhe studentët të rreshtohen si dikur kur vinte TITO, zatën këta marksist – leninist të njëjtën ideologji e kanë.
    Atë që politika i bëri arsimit shqip sidomos këto nja dhjetë vjetët e fundit, nuk ja ka bërë asnjë sundues sllav më parë. Kjo politikë prodhoi analfabetë dhe injorantë me diploma dhe tituj shkencorë, ndërsa ata që me të vërtetë meritojnë janë hedhur diku në margjina të shoqërisë.

Back to top button