Situata politike në Maqedoni do të jetë një prej temave për të cilat të hënën në Luksemburg do të debatojë Këshilli për punë të jashtme të BE-së.
Në prill të vitit 2015, Këshilli shprehi shqetësim serioz lidhur me përkeqësimin e gjendjes në vend e në veçanti në fushën e të së drejtës, drejtat elementare dhe liritë e mediumeve. Këshilli iu bëri thirrje të gjitha palëve që të marrin përgjegjësi dhe masa urgjente për zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë konstruktive të përfshihen në rifillimin e dialogut politik për kthimin e besimit në institucione.
Liderët politik të Maqedonisë në takimin e fundit sërish nuk arritën marrëveshje konkrete ndërsa caktuan edhe një takim me 29 qershor. Çfarë pritet deri më atëherë, a ka gjasa që gjërat të lëvizin përpara?
Analistët në Maqedoni vlersojnë se vera është koha më e mirë kur mund të arrihet marrëveshje.
“Vera është kohë më e mirë për zgjidhje të çështjeve më të rënda, pikërisht për atë se njerëzit janë në pushime dhe presioni i opinionit publik ndaj palëve në bisedime është i ulët”, thotë Musliu për REL.
Ai gjithashtu shtoi se presioni më i madh për dalje nga kriza vjen nga vet qytetarët.
“Vera, edhe pse supozohet që është kohë më e vështirë për politikë, un mendoj se për marrje të vendimeve të vështira është periudhë shumë e mirë”, thotë ai.
Musliu thotë se tek shqiptarët situata është më ndryshe dhe krejtësisht e kundërta, gjatë stinës së verës vijnë gurbetqarët dhe ka më shumë njerëz se zakonisht, por partitë politike të Shqiptarëve sipas tij, nuk janë në qendër të vëmendjes së kësaj krize politike.