13 qershori – Triumfi i gjysmëfinales

Që nga Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë cak i vrasjeve, diskriminimit, torturave, tradhtive dhe vuajteve. Këto tortura dhe vuajtje, vrasje e diskriminime, vijnë edhe më shumë në shprehje pas viteve ’90. Efektet e një diskriminimi të tillë antishqiptar prodhuan, degradim të sistemit politik dhe arsimor shqiptar, varfëri të skajshme të shqiptarëve,  zhvillim të dobët ekonomik në vendbanimet shqiptare si dhe shumë procese të montuara politike ku padyshim cak ishin shqiptarët.

Ajo që për shqiptarët i bën edhe më të dhimbshme këto efekte diskriminuese, janë pikërisht garniturat politike shqiptare, të cilat vazhdimisht kanë ardhur në pushtet me votën shqiptare, por që kanë prodhuar rezultate të njëjta antishqiptare, ato lejuan që me qasjet e tyre të dështuara politike dhe vasalitetin e skajshëm ndaj ‘shefave’ të tyre të jenë pengesë për ditë të mira dhe prosperitet të shqiptarëve. Meritë e tyre sot është getoizimin i vendbanimeve shqiptare, arsimi jo i mirëfilltë dhe degradues, vrasja dhe përgjakja e shqiptarëve e shumë e shumë raste tjera.

A do vijnë ditë të mira për shqiptarët? A do ndryshojë statusi juridiko-politik i shqiptarëve? A do të ndaloj më diskriminimi dhe vrasja e shqiptarëve? A duan shqiptarët lidership të ri që do ti përfaqësoj?

Protesta gjithëshqiptare e 13 qershorit ishte përgjigjeja e pyetjeve të lartëpërmendura, si dhe pyetjeve tjera të shumta që në kontinuitet i mundojnë shqiptarët. Nën moton “Protestoj SHQIP” këshilli organizativ i protestës dëshmoi punën e palodhshme, ndërsa shqiptarët dëshmuan vullnetin dhe i thanë MJAFT qeverisë antishqiptare dhe diktatoriale. Për herë të parë, nën hije të himnit dhe flamurit kuq e zi u protestua për liri, drejtësi dhe të drejta të barabarta për shqiptarët.

Protesta “Protestoj SHQIP” me mesazhe të qarta dëshmoi se shqiptarët janë për ndryshime dhe duan lidership që do ti përfaqësoj denjësisht. Karakeri i protestës dhe zëri artikulues i kërkesave konfirmuan fitore në dëshminë se shqiptarët delegjitimuan lidershipin aktual politik shqiptar.

Si çdoherë, në aktivitetet e tilla të qytetarëve shqiptar nuk munguan as kërcnimet edhe ate nga të gjitha subjektet politike shqiptare jo përkrahëse të protestës në fjalë. Mirëpo, krahas gjithë kësaj, vullneti, guximi dhe trimëria e shqiptarëve ishte mbi gjitha, e pacenuar dhe krenare.

Protesta e 13 qershorit ishte fitorja në triumfin e gjysmëfinales, ishte fitorja e popullit shqiptar ndaj të koruptuarve, ndaj mafiave urbane, ndaj sherifave partiak dhe ndaj atyre që janë ‘veren do smrt’ të kriminelëve.

Populli shqiptar u drejtoj edhe një porosi: SHIHEMI NË FINALEN E MADHE.

Daim Luçi,
Anëtarë i Këshillit Qëndror i Lëvizjes BESA

Lajme të ngjashme

Back to top button