Nazim Rashidi: të rinjtë duhet patjetër të sjellin impulse të reja (Intervistë)

Nazim Rashidi për #VIZIONE flet shumë sinqerisht. Normal atë e kemi pyetur më shumë për mediet dhe rolin e tyre në shoqëri, me theks të veçantë tek edukimi, inspirimi dhe motivimi i të rinjëve. Ai ju jep një këshillë të bukur të rinjëve dhe gjithashtu tregon se është i dashuruar pa fund në librin “Kronikë në gurë” të Kadaresë. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët! 

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Nazim, për 12 vite keni pënuar me dhe për BBC. Si i vlerësoni mediet sot në Maqedoni. A luajnë rol në motivimin, inspirimin, edukimin dhe arsimimin e të rinjëve?

N.RASHIDI: Sot mediet në Maqedoni po kalojnë një krizë të thellë, jo aq për faj të tyre, se sa për shkak të mungesës së të kuptuarit nga qendrat e pushtetit, se gazetaria është oksigjeni i nevojshëm për frymëmarrje e shoqërisë, pa të cilin ajo vdes. Dhe kjo jo për shkak të gazetarëve por për shkak të lirisë së shprehjes që është thelbi i demokracisë dhe që është jetike për njerëzit.

Ashtu siç kemi të kapur shtetin në fusha të tjera ashtu edhe gazetaria është pre e interesave direkte, nga e cila gjendje më shumë se të gjithë humbin njerëzit sepse ose janë të painformuar, ose më keq ende të keqinformuar.

Sigurisht ka edhe medie dhe gazetarë që ia vlejnë të ndiqen dhe lexohen por tablloja e përgjithshme nuk është premtuese. Dhe si rrjedhojë media nuk arrin të luajë një nga rolet e saj themelore edukimin, dhe sidomos jo edukimin e të rinjve për vlera reale si kombëtare ashtu edhe shoqërore, civile, evropiane, etj. Sërish duke nënvizuar përjashtimet, por që nuk dominojnë këtë frymë progresive që do të duhet ta kishin mediet.

Nga fakti se keni jetuar e punuar edhe në Maqedoni edhe jashtë shtetit, a mendoni se përvojat jashtë shtetit hapin disa horizonte tjera në punët këtu tek ne?

N.RASHIDI: Çdo përvoje pune të rrit e të zhvillon. Këtë do t’ia kisha sugjeruar secilit. Por përvojë dhe punë reale nga e cila në të ardhmen jo vetëm se përfitohet, por edhe del dukshëm në sipërfaqe në krahasim me të tjerët. Në këtë kontekst përvoja “jashtë shtetit” është shumë e vlefshme. Jo mbase për faktin se është diku jashtë, por sepse të krijohen mundësi për të parë dhe vepruar në rrethana të cilat nuk i gjen këtu, por që për shkak të zhvillimit vinë me vonesë. Kjo të jep përparësi pa diskutim, por sërish, vetëm nëse dëshiron që të përfitosh nga përvoja e cila siç thashë është e vlefshme kudo ku fiton. Njoh dhe plot të tillë që janë jashtë dhe s’kanë parë as gjë.

Jeni shqiptari i parë nga Maqedonia që nga vitet 1920 që jeni angazhuar me një post të lartë në një qeveri shqiptareme, ishit Keshilltar për Rajonin dhe Marrëdhëniet ndërkombëtare, pranë Minisrisë së Kultuës në Shqipëri, pjseë e qeverisë Rama. Si e parashikoni rolin e rinisë shqiptare në politikën e rajonit për 10 vitet e ardhëshme?

N.RASHIDI:Jo vetëm rinia, por e gjithë politika do të duhet të marrë një hov drejt një modernizimi, ku vlerat evropiane, të përqafohen fortë, dhe kështu i gjithë rajoni të shkojë përpara. Kjo që them nuk dua të tingëllojë, boshe dhe sipërfaqësore, por realisht mendoj se vetëm duke fuqizuar prirjet e rilindësve tanë, por tashmë me një qasje moderne të kohës dhe me teknologji, të gjithë në rajon do to ecin në shpejtë drejt zhvillimi. Kjo është barrë jo e rinisë por e baballarëve dhe nënave të tyre, të cilët në vrullin e brezit të tyre të mbushur me përplot trazira, nuk arritën të mbajnë të qëndrueshëm sistemin e vlerave. Prandaj përgjegjësia e rinisë sot rritet, sepse trashëgiminë se ka të ndritur. Një i ri sot nuk duhet të hutohet as nga prirjet dhe “moda” me elemente të fuqishme religjioze që vjen nga qarqe lindore, e as nga iluzioni se mund të shkosh përpara në jetë nëse je hyzmeqar partiak. Të rinjve dhe jo vetëm u duhet fuqizuar qëndrimi se vetëm suksesi me bazë merite dhe dije është afatgjati, si dhe ritheksimi me po aq fuqi i idealeve të baballarëve dhe nënave të kombit, të cilët rrënjët i kanë me shekuj në vlerta evropiane bashkë me popujt e tjerë.

Si aktivist i shoqërisë civile, a mendoni se protestat e fundit të organizuara në Maqedoni do të ju japin hapsira më të mëdha të rinjëve në politikë?

N.RASHIDI: Unë personalisht e dëshiroj një gjë të tillë. Të rinjtë me dinamikën e tyre duhet patjetër të sjellin impulse të reja. Por kam frikë se klasa politike, sidomos ata që janë të rastësishëm në politikë dhe që e dinë mirë se nëse ikin një herë nuk do të vinë më kurrë, do të bëjnë çmos që mos të lëshojnë pozicionet. Nuk është vendi këtu për analiza të thella pse është kështu, por s’ka njeri që s’po e kupton më se shumica e klasës politike aktuale (pozitë dhe opozitë) kanë interesa të tjera parësore edhe pse gojën e kanë plot me “popull” dhe “Evropë”. Në këto situata reagimi i rinisë duhet të jetë më i guximshëm, por jo vetëm me protesta, por edhe me ide të reja, që do të çonin më tej politik-bërjen. Nga ajo që shoh deri më tani ka vetëm kopje të poltik-bërjes aktuale dhe jo risi në veprimin politik. Mundësia është aty, njerëzit e rinj vetëm duhet ta shfrytëzojnë, por duke dhënë diçka të re dhe inovative, diçka që do jetë në përputhje me dinamikën e kohës që jetojnë. Këtë se kemi parë deri më tani dhe si rrjedhojë kemi këtë pamje të klasës politike.

Duke punuar me student dhe të rinjë gjatë këtyre viteve këtu, a mendoni se të rinjtë duhet të marrin më shumë përgjegjësi për një të ardhme më të mirë?

N.RASHIDI: Po sigurisht. Çdo brez ka sfidat e veta. Ai i imi kishte të bëjë me padrejtësitë etnike, me rënin e komunizmit, sfida për demokracinë, me luftërat e ish Jugosllavisë, me luftërat shqiptare në rajon. Mendoj se sfidat e këtij brezi janë përforcimi i demokracisë, të kuptuarit se kjo bazë e rëndësishme për liri nuk është se fitohet një herë, por se duhet kujdes i vazhdueshëm që mos të cënohet askush. Përgjegjësia e studentëve duhet të jetë sidomos për moslejimin e ndikimeve negative me prirje të çuditshme aspak tipike për shqiptarët, siç janë ato me elemente të theksuara fetare. Ngritja e zërit hapur për mbrojtjen e dijes, diturisë, laicizmit, liberalizmit shqiptar që gjendet që te Barleti e deri tek Kadareja. Përgjegjësia e studentëve, ashtu si edhe e imja, e jona, është që të fuqizojmë dijen dhe nxënien si “armën” kryesore të zhvillimit dhe përparimit me botën. Këto janë përgjegjësi të mëdha, që studentët sot, duan ose nuk duan, do ti kenë në barrë nesër.

A je dorëzuar ndonjëherë nga diçka?

N.RASHIDI: Kjo është pyetje interesante. Do të gënjeja nëse thosha jo. Por zgjidhja është tek forca që të vjen dhe që duhesh ta gjesh, për të vazhduar ose edhe për të gjetur të tjera sfida të cilat mendon se mund ti përballosh.

A jeni perfeksionist?

N.RASHIDI: Përpiqem. Ata rreth meje me përjetojnë të tillë, sidomos ata me të cilët punoj. Kjo i lodh disa here hahahaha, kështu më thonë. Unë vetë gjithmonë kam dyshime nëse kam bërë më të mirën e mundshme, gjithmonë! Shikoj dhe analizoj çdo detaj të vogël, dhe kjo mbase le atë përshtypje tek të tjerët, kurse unë jam në përpjekje.

Si duhet të veproj një i ri i pa punë?

N.RASHIDI:Të jetë i sinqertë me veten se çfarë do dhe ku do të arrijë. Përgjigjja e kësaj pyetje do t’ia hapë vetë rrugët, hapësirat dhe mundësitë. Nëse ende nuk e dinë se çfarë duan kur të rriten, çdo veprim sa do perfekt në dukje do të dalë huq. Unë mund të them vetëm një gjë, mos të dorëzohen në synimet e tyre, por dhe se këto synime ti arrijnë veç me punë dhe dije. Vetëm kështu përfitimet do të jenë në rritje dhe afatgjate.

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?

N.RASHIDI: Them se po. Janë modele dhe koncepte që nuk janë zbatuar më parë, të paktën jo me këtë dinamikë dhe emërtime. Çdo ide që ka një shans për ta provuar nëse mund të jetësohet them se i vlen.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?

N.RASHIDI: Ndiqni dëshirën tuaj dhe mos keni pendesë. Fokusoheni në gjëra të bukura dhe shumë dashuri. Çdo sekondë shndërrohet në një të djeshme të pakshim, dhe askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e çasteve të humbura, por me vizionin dhe dëshirën për të kërkuar arritje më të mëdha. Të jesh i lumtur dhe i qetë me veten, është baza për çdo synim që ke.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?

N.RASHIDI: Filmat dhe librat i dua shumë. Dhe sigurisht të veçoja vetëm nga një do ishte e vështirë.
Por filmi që më ka lënë më shumë mbresë në moshë të re ishte “Dead Poets Society” (Shoqëria e poetëve të vdekur), do ta kisha rekomanduar fuqishëm sepse flet për lirinë individuale dhe dëshirën e të rinjve të provojnë vetë jetën. Por filmi i fundit që më rrëmbeu plotësisht ishte “Mad Max” i ri. Jo se është një nga filmat e fundit por sepse realisht regjisori Georg Miller, sjell një spektakël vizual të një këndvështrimi jo edhe aq të mirë të së ardhmes. Dhe po, filmat përpiqem ti shoh në kinema!
Sa i përket librave Gabriel Markez ka qenë inspirues kur e kam zbuluar. Por impakt të konsiderueshëm ka pasur “Emri i trëndafilit” i Umberto Eco. I rikthehem shpesh Shekspirit, Lasgushit dhe Martin Camajt. Dhe e dua pa fund “Kronikë në gurë” të Kadaresë.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button