Ancelotti vihet në dyshim, tifozët kërkojnë Mourinhon
Për cdo trajner, Reali Madridit është një stol që djeg vazhdimisht, por askush nuk mendonte se pas vetëm shtatë javësh Carlo Ancelotti do të vendosej në diskutim për të ardhmen në krye të Los Blancos.
Komentet e tifozëve por dhe deklaratat e tyre në media, se skemat e italianit nuk i japin një identitet skuadrës kanë krijuar krisjen e parë mes fansave dhe trajnerit, aq sa në “Santiago Bernabeu” kanë filluar të kërkojnë shumë shpejt Jose Mourinhon.
Mediat, drejtuesit por dhe vetë tifozët, të cilët e urrenin portugezin janë në unison në një pikë, me “The Special One” në stol, humbje si ajo me Atleticon, apo fitore me zemër në dorë si me Elchen nuk ndodhnin kurrë. Fansat e Realit, por dhe Marca, e cila pati një luftë të hapur me trajnerin portugez, kanë bërë prapakthehu duke pranuar, se përtej konflikteve jashtë fushe, Real ii Mourinhos, ishte më i bukur, më efektiv dhe më me vetëbesim se ai i Ancelotit, transmeton supersport.al.
Deri në këto momente, Los Blancos ishin përballur me skuadra të dorës së dytë, si Betis, Getafe, Granada apo Villareal, dhe me Elchen, me të cilën fituan me një 11-metërsh të dyshimtë dhe në momentin e parë që gjetën përballë një ekip të pjekur si Atletico, dolën të shpërfytyruar nga fusha e lojës, duke u mundur në të gjitha aspektet nga skuadra e Simeones.
Ancelotti sipas mediave iberike nuk ka mundur ende t’i japë një identitet kësaj skuadre dhe deri në momentin, që nuk do të realizojë dicka të tillë dhe Reali të rikthehet te fitoret bindëse, stoli i tij jo vetëm që do të djeg, por kur të qëndrojë ulur mbi të, hija e Mourinho-s do të zgjatet mbi tapetin e “Santiago Bernabeut”. E kush e mendonte në qershor, se Los Blancos do të ndjenin kaq shpejt nostalgji, për ish-trajnerin e tyre të urryer.