Dilema dhe udhëkryqi i Maqedonisë: mes proceseve demokratike dhe stabilitetit

Ish-diplomati maqedonas, Denko Maleski,konsideron se regjimi autoritar drejtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, po zvarrit bisedimet, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet liderëve politikë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, dhe me këtë ai po sfidon fatin e vendit, transmeton REL.

Malevski më pas konsideron se sistemi autoritar i instaluar në Maqedoni më shumë se një dekadë nuk mund të rrënohet brenda natës.

“Nuk mund të kishim pritje të mëdha nga këto bisedime. Mendoj se do të ishte shumë naive të mendohet se për 24 orë do të zgjidhet një çështje tejet serioze siç është kiza politike në Maqedoni. Kryetari Gligorov e kishte traditë që të thotë se Maqedonia është një formulë e përbërë. Dhe, me të vërtetë ne jemi një formulë e përbërë”. 

“Në këto rrethana, ajo që ishte e panjohur ishte fakti si do të sillej faktori ndërkombëtar. Në njërën anë, ishte përfaqësuesi i opozitës dhe në anën tjetër përfaqësuesi i partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE-së dhe dy partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH. Pritjet që perëndimi të pozicionohet në anën e lirisë, nuk u realizuan. Në mes lirisë dhe rendit juridik, përfaqësuesit ndërkombëtarë gjithmonë në plan të parë vendosin rendin juridik gjë që është edhe e kuptueshme”, vlerëson Denko Maleski, ligjërues i Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar gjatë procesit të zgjidhjes së ngërçit politik që ka kapluar Maqedoninë, shumë më shumë është i interesuar për ruajtjen e stabilitetit në aspektin e sigurisë sesa avancimin e demokracisë.

“Tani negociatat do të vazhdojnë, varësisht nga pozita që do të marrin palët dhe në këtë mënyrë do të orientohet edhe faktori ndërkombëtar”. “Kjo, ngase nëse në njërën anë keni një pushtet autoritar, përfaqësuesi i së cilës thotë: unë mbetem në krye të qeverisë, qoftë edhe nëse e tërheq tërë shtetin në kaos, atëherë ata (ndërkombëtarët) në këtë situatë tërhiqen, ngase është e dukshme se faktori ndërkombëtar nuk ka apetite që në formë të drejtpërdrejtë të intervenojë në punët tona të brendshme”.

“Pra, mbetet të shihet si do të hapërojnë, liria në njërën anë dhe rendi juridik në anën tjetër. A do të mund të hapërojnë bashkërisht njëra dhe tjetra, vetëm në këtë rast mund të kemi mbështetje nga faktori i jashtëm sa i përket procesit të zgjidhjes së krizës politike”, thekson Maleski.

Nga ana tjetër, Shpëtim Nuredini, gazetar, konsideron se faktori ndërkombëtarë i qaset me shumë delikatesë situatës në Maqedoni, sepse, siç thekson ai, vendi për momentin ndodhet në një pikë shumë të ndjeshme si në aspektin politik, ashtu dhe atë të sigurisë.

“Gjendja në Maqedoni tashmë është destabilizuar. Kemi protesta të vazhdueshme, grupe të ndara nëpër tenda para Qeverisë dhe para Kuvendit, kishim rastin e Kumanovës, dhe deklarata nga zyrtarë se gjendja e sigurisë është e brishtë”.

“Teza që po hidhet është anakronike. Ndërkombëtarët, posaçërisht Unioni Evropian, por edhe SHBA-ja, fillimisht po angazhohen për zgjedhjen e krizës politike, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në gjendjen e sigurisë, por edhe rikthimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë, në përgjithësi”,thekson Nuredini.

Ai nënvizon se Maqedonia, posaçërisht qeveria, nga viti në vit ka marrë vërejtje gjithnjë e më serioze, nga diplomatët e huaj. Madje edhe në Raportin e fundit të progresit të KE-së të konstatohet se Maqedonia ka hyrë në një udhë pa krye.

“Teza e këtillë, se faktori ndërkombëtar ruan stabilitetin në kurriz të demokracisë, hidhet nga subjekte vendore. Qarqe të afërta me opozitën e hedhin një tezë të tillë për të ushtruar presion mbi faktorin ndërkombëtar, për përfshirje më të fuqishme të SHBA-së, që të rrisë shtypjen mbi kryeministrin Gruevski për dorëheqje dhe finalizimin e marrëveshjes së arritur më dy qershor, në Shkup. Sa di unë, kjo tezë u hodh menjëherë pas mossuksesit të bisedimeve në Bruksel, më 10 qershor”, shton Nuredini, gazetar dhe njohës i zhvillime.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button