Site icon PORTALB

ILO: Në të gjithë botën ka 168 milionë fëmijë punëtorë

Fëmijë punëtorë

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), njoftoi se në të gjithë botën ka 168 milionë fëmijë punëtorë, raporton Anadolu Agency (AA)

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në zyrën e OKB-së në Gjenevë, zyrtarja e ILO-së, Corinne Vargha, ka dhënë informacione në lidhje me raportin “Fëmijët Punëtorë në Botë 2015”

Vargha, ka tërhequr vëmendjen se në vendet me të ardhura të ulëta afërsisht 30 përqind e fëmijëve fillojnë punën në moshën 15 vjeçare dhe se në të gjithë botën ndodhen 120 milionë fëmijë të punësuar të cilët i përkasin grupmoshës 5 deri në 14 vjeç.

Ajo ka theksuar se 47.5 milionë fëmijë të moshës 15 deri në 17 vjeç punojnë në punë të rrezikshme dhe deklaroi se reduktimi në numrin e fëmijëve që punojnë nuk ndikon në këtë grupmoshë.

Ndërsa zyrtari i ILO-së, Azfar Khan theksoi se numri më i madh i fëmijëve të punësuar është me 78 milionë në rajonin e Azi-Paqësorit, ku ndiqet nga rajoni nën-Sahara e Afrikës me 59 milionë fëmijë punëtorë.

Khan ka theksuar gjithashtu se sektori i bujqësisë është sektori ku punësohen më së shumti fëmijët punëtorë.

Ndërsa Kailash Satyarthi, aktivisti indian për të drejtat e fëmijëve dhe fitues i Çmimit Nobel të Paqes theksoi se edhe pse në 20 vitet e fundit ka një reduktim në numrin e fëmijëve punëtorë dhe të pa-arsimuar, komuniteti ndërkombëtarë ka dështuar të përmbushë premtimet e dhëna në lidhje për mbrojtjen e fëmijëve.

Satyarthi, tha gjithashtu se: “Për mua të punësosh fëmijët dhe ti privosh nga arsimi është si të ushtrosh dhunë ndaj tyre dhe nuk mund të jetë e pranueshme që mbi 100 milionë fëmijë të jenë të përballur me dhunën”.

– “500 mijë fëmijë janë ushtarë”-

Satyarthi, i cili ka tërhequr vëmendjen se në të gjithë botën janë afërsisht 500 mijë fëmijë që përdoren si ushtarë nga grupet e militantëve, ka theksuar se në vendet si Siri, Irak, Afganistan, Nigeri fëmijët rrëmbehen nga shkollat dhe shtëpitë e tyre dhe detyrohen të vendosen nën përdorimin e armëve.

Sipas raportit të ILO-së numri i fëmijëve të punësuar për vitin 2010 ka qenë rreth 246 milionë, ndërsa tani në të gjithë botën parashikohet se janë 168 milionë fëmijë që punojnë.

Exit mobile version