Në USHT u promovua libri ,,Mjekësia Ligjore”i autorëve Agim Ramadani dhe Sabri Hoxha

Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës  u promovua libri “Mjekësia Ligjore”, me bashkautorë Doc. dr. Agim Ramadani dhe Doc. dr. Sabri Hoxha. Prorektori për  Bashkëpunim Ndërkombëtar i USHT-së, Prof. dr. Arbër Çeliku tha se Universiteti Shtetëror i Tetovës mbetet  i angazhuar që arsimit dhe kërkimit shkencor t’i jep rolin që i takon. “Në këtë drejtim kemi përmbushur disa nga objektivat tona, por i kemi vënë vetes për detyrë, që të vazhdojmë të realizojmë synimet tona edhe në lëmin e botimeve, me qëllimin që t’i pajisim studentët dhe profesorët tanë me literaturën e duhur në programet dhe drejtimet studimore të të gjitha fakulteteve. Ne si drejtues të Universitetit e çmojmë lartë punën shkencore të autorëve në hartimin e këtij teksti,  i cili vjen para studentëve dhe pedagogëve, pas një angazhimi serioz disavjeçar në fushën e kërkimit dhe të mësimdhënies në dy universitetet tona publike, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Tiranës”, tha Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i USHT-së, Prof. dr. Arbër Çeliku.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, njëherit edhe recensent i librit, Doc. dr. Nasir Bexheti tha se libri ,,Mjekësia Ligjore” në vete ngërthen 12 kapituj ku janë të përfshirë njohuritë bazë të hetimit mjekësor. “Ky tekst hartohet në kuadër të unifikimit të teksteve në fushën e mjekësisë ligjore dhe është fryt i punës së përbashkët midis dy institucioneve të mjekësisë ligjore në USHT dhe Universitetin e Tiranës. Autorët, veçanërisht Doc. dr. Agim Ramadani me punën e vet në mësimdhënie është një pedagog i mirëfilltë i cili opinionin shkencor gjithmonë e ndan me kolegët dhe dijet e tija nga lënda e Patologjisë Forenzike dhe Klinike, si në vend ashtu edhe jashtë vendit”, deklaroi Doc. dr. Nasir Bexheti.

Bashkautori i librit, Doc. dr. Sabri Hoxha foli për historikun e mjekësisë ligjore. “Krimet kundër jetës, ashtu sikurse veprat penale të tjera, janë dukuri historike e shoqërore. Në rendin e bashkësisë primitive kishte individë të veçantë që kryenin vrasje brenda fisit ose jashtë tij. Në këtë kohë krimi kryhej me mjete primitive, heshtë, gurë etj. Edhe në rendin skllavopronar vrasja ishte diçka e zakonshme, sidomos vrasja e skllevërve që nuk konsiderohej krim, kurse për vrasjen e skllavopronarit zbatohej  hakmarrja ose dënimi me vdekje”, u shpreh Doc. dr. Sabri Hoxha.

Ndërsa bashkautori tjetër, Doc. dr. Agim Ramadani tha se teksti mësimor ,,Mjekësia Ligjore” si punim shkencor ka për qëllim unifikimin e teksteve në fushën e mjekësisë ligjore. “Thellimin në njohjet dhe vlerësimin mjekoligjor të veçorive të traumave në bazë të ekzaminimeve  klinike-imazherike, si dhe ekzaminimin e kufomave në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të Mjekësisë Ligjore në Tetovë, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe në hetimin dhe gjykimin cilësor të rasteve me karakter kriminal ose aksidental nga ana e policisë gjyqësore, prokurorisë dhe gjykatave”, shtoi mes tjerash Doc. dr. Agim Ramadani.

Për librin “Mjekësia Ligjore” folën edhe dy recensentët e tjerë të librit, profesorët universitarë Prof. dr. Biljana Janeska dhe Prof. dr. Aleksej Duma.

Lajme të ngjashme

Back to top button