ANALIZË: Maqedonia punëson – populizëm ose masa reale?
Përderisa në institucionet shtetërore me vendim për punësim të përhershëm u punësuan 2.667 persona, qeveria paralelisht e realizon edhe projektin “Maqedonia-punëson”, nëpërmjet të të cilit, sipas të dhënave të fundit që janë në dispozicion, në sektorin privat janë punësuar 1.580 persona. Në rastin e parë punësimet bëhen me shpenzime të drejtpërdrejta buxhetore, ndërsa në të dytin, edhe pse bëhet fjalë për punësime në kompani private, megjithatë, ato përsëri janë të përkrahura me para buxhetore. A u fut qeveria në “fushatë për punësime”, e cila sipas një pjese të biznesmenëve, jo vetëm që nënkupton harxhime të reja, por është edhe joreale.
Masat me paketim atraktiv – a do të japin efekt?
Firmat që do të punësojnë persona të papunësuar, me kushtet e përcaktuara, do të lirohen nga pagesa e kontributeve në periudhë prej tre deri në pesë vjet. Ky beneficion që ofrohet si pjesë e projektit “Maqedonia punëson”, bëri që rreth një mijë kompani të paraqiten në konkurs, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për lehtësime të konsiderueshme tatimore të cilat do të financohen nga buxheti, në kurriz të kompanive të tjera që e mbushin arkën shtetërore.
Njëra nga drejtoreshat e mëparshme të Agjencisë për punësim konsideron se masat që u ofrohen biznesmenëve për të hapur vende të reja të punës, u shndërruan prej masave ekonomike në masa populiste, që sjellin vetëm pikë politike, mirëpo jo edhe zgjidhje afatgjate për papunësinë.
“Gjithçka u shndërrua në marketing dhe populizëm, dhe me qëllim që të hiqen nga lista e të papunësuarve, atyre u jepen para, u hapen firma, dhe Zoti mos e dhashtë të mos kenë sukses me biznesin, mendoj se nuk guxojnë të paraqiten si të papunësuar për shkak se kontrata i obligon që në 4-5 vitet e ardhshme të mos jenë ngarkesë për shtetin, gjegjësisht derisa ta kthejnë kredinë”, thotë për “Portalb”-in, Biljana Jovanovska.
Me përqindje të papunësisë prej më shumë se 27 për qind, Maqedonia edhe më tutje është lider në Evropë sipas numrit të të papunësuarve. Zgjidhje për këtë problem nuk mund të kërkohet as në masat sporadike e as nëpërmjet punësimeve në administratë, konsiderojnë ekspertët.
“Zvogëlim të papunësisë nuk mund të presim me qasje parciale si projekti më i ri “Maqedonia punëson”, ku efekti kryesor për krijimin e vendeve të punës pritet nga lirimi i punëdhënësve për t’i paguar kontributet e domosdoshme sociale. Qasja e tillë është dështuese si për shtetin social dhe fondet e tij, ashtu edhe për paguesit e rregullt të kontributeve sociale, mirëpo edhe për vetëdijen sa i përket të drejtave sociale”, thotë profesoresha Maja Gerovska – Mitev./Portalb