Familja Rexhepi përgënjeshtron MPB-në për përfshirjen në Kumanovë

Rexhep Rexhepi, të cilin Ministria e Brendshme e përmendi dje mes të dyshuarve për rastin e Gushincës dhe Kumanovës, ka qenë në paraburgim gjatë ndodhive në Lagjen e Trimave. Ai është arrestuar gati 3 javë përpara konfliktit në Kumanovë, pas bastisjes së shtëpisë së tij dhe vëllezërve të tij. Ndaj tij është ngritur padi penale për posedim dhe përpunim të materialeve shpërthyese, por deri dje nuk është lidhur as me rastin e Gushincës, as me Kumanovën.

“Vëllai im Rexhep Rexhepi prej 23 prill është i arrestuar, me pretekst armëmbajtje pa leje, për eksplozivin e gjetur. Vëllai im nuk mund të jetë në 2 vende në të njëjtën kohë, edhe në burg, edhe në Kumanovë. Vëllai im është invalid, ai nuk mund të merr pjesë në aso aksioni, siç mendojnë ata”, tha Shefki Rexhepi, vëllai i Rexhep Rexhepit.

Në konferencën e djeshme ku ishin ftuar vetëm disa media, Kotevski theksoi se ekspertiza e ADN-së ka vërtetuar se 7 persona që kanë marrë pjesë në konfliktin në Kumanovë, kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin e Gushincës. Mes tyre, ai kishte përmendur edhe emrin e Rexhep Rexhepit.

“Sektori për krim-teknikë përfundoi ekspertizën forenzike të materialeve të siguruara në vendngjarje gjatë hetimit të bërë pas sulmit në stacionin policor në Gushincë, është vërtetuar se 7 anëtarë të grupit të eliminuar dhe neutralizuar në Lagjen e Trimave të Kumanovës, ka marrë pjesë edhe në sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë”, deklaroi dje Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

I kontaktuar nga Alsat M, Kotevski sot ndryshoi deklaratën e tij, duke thënë se 6 prej 7 personave janë arrestuar në Lagjen e Trimave, ndërsa Rexhep Rexhepi ka qenë në paraburgim për vepra të tjera penale. Megjithatë menjëherë pas arrestimit në prill të këtij viti, vetë ish Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska kishte mohuar çdo lidhje të mundshme të Rexhepit me rastin e Goshincës.

“Bastisja e djeshme dhe aktiviteti i djeshëm i policisë, i kryer me urdhër adekuat, tani për tani nuk lidhet me aktin terrorist në Gushincë”, deklaronte Gordana Jankullovska, ish Ministre e Brendshme (24.04.2015).

Nga burimet tona në hetuesi, Alsat M ka siguruar të gjitha emrat që janë përmendur nga personat e arrestuar, si pjesëmarrës në sulmin e Gushincës. Në mesin e tyre nuk përmendet emri i Rexhep Rexhepit. Bëhet fjalë për 11 persona, edhe atë Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj, Demë Shehu, Genci Sefa, Osman Sulejmani, Nasuf Beqiri, Fadil Fejzullahu, Faruk Imeri, Ilmiu nga Gjilani, Valdet Zekaj dhe Beg Bajra. Sipas dëshmive të të arrestuarve, në sulmin në Gushincë kanë marrë pjesë 7 deri 8 persona, ndërsa të tjerët kanë ndihmuar me logjistikë. Ky numër dallon ndjeshëm nga informatat e para të policisë, të cilët thonin së stacioni në Gushincë ishte sulmuar nga 40 persona me 2 vetura.

Ndryshe, Rexhep Rexhepit ishte arrestuar pasi në oborrin e tij ishte gjetur 800 gram material shpërthyes TNT. Familjarët kanë dyshime të mëdha për montimin e këtij rasti, për shkak të mos respektimit të procedurave.

“Pas 3 orë e gjysmë kërkuan nga familjarët që të dalim nga shtëpia. Policia ka qenë e Shkupit, nuk ka qenë e Kumanovës, në momentin që është gjetur dinamiti. Përnjëherë na thanë që është gjetur dinamit, pas 3 orë e gjysmë kërkimi. Nuk ka pasur as dëshmitar, as asgjë hiç… Dinamiti ka dalë negativ, siç shpjegon Kotevski, ekspertizat forenzike, nuk ka shenja të vëllait ose pavarësisht të asnjërit të familjes tonë”, tha Shefki Rexhepi, vëllai i Rexhep Rexhepit.

Rexhepi ka edhe probleme shëndetësore dhe ka nevojë urgjente për kontrolle, pas operimit që ka bërë, por një gjë e tillë nuk i lejohet nga Gjykata e Kumanovës. Më 24 maj atij i është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë të tjera./Alsat-M/

Lajme të ngjashme

Back to top button