Stemat shqiptare në koleksionin e Ollovës të vitit 1689 që gjendet në Bolonjë (FOTO)

Lexo pjesën paraprake: Stemat shqiptare në koleksionin e stemave të Koreniq-Neoriqit nga viti 1595 (FOTO)

Në bibliotekën universitare të Bolonjës gjendet edhe një koleksion stemash që mban signaturën Codex 103/I i mbiquajtur prej Solovjevit Koleksioni i Ollovës.

Është shkruar në letër të formatit 19,9 X 14,2 cm, i palidhur, i broshuar me letër të thjeshtë. Ngërthen 8 faqe të pa numëruara dhe 174 të numëruara, Sigurisht është kopjuar prej koleksionit të Koreniq-Neoriqit, sepse stemat renditen sipas radhës së njëjtë. Por ky supozim mund të jetë edhe i kontestueshëm sepse ka edhe disa ndryshime, siç janë: në koleksionin e Ollovës ka 174 stema, në vend të 157 stemave sa ka në koleksionin e Koreniq-Neoriqit. Ky ndryshim vjen ngase në mesin e në fundin e koleksioni të Ollovës janë dhënë disa stema të tjera.[1] Ndryshimi tjetër qëndron në faktin se këtu titujt janë vetëm me alfabetin latin,

figura 10, 11

Figura 10.                                                                                            Figura 11.

e te Koreniq-Neoriqi edhe me alfabetin latin, edhe me atë cirilik. Ndryshimi kryesor qëndron në faktin se koleksioni i Ollovës nuk është me ngjyra, por stemat janë vizatuar vetëm me ngjyrë shkrimi e pa vija heraldike dhe për këtë shkak nuk mund të lexohen as numrat. Helmetat në koleksionin e Ollovës janë të kohës më të re, e jo me zelada të vjetra, siç janë te Koreniq-Neoriqi dhe te Althani.[2]

Solovjevi mendon se koleksioni i Ollovës është punuar sigurisht në Dubrovnik prej ndonjë Ivani (Giovani) Benigni prej Ollovës së Bosnjës, i cili në Dubrovnik shkruante historinë e Bosnjës dhe e përshkroi manastirin e Ollovës, ku sigurisht ishte kujdestar i tretë i manastirit. Ai e ka punuar në Dubrovnik koleksioninOllovës sigurisht para vitit 1689 dhe gjatë ndonjë shtetëgimi Ilok dhe atje ky ka rënë në duart e Pavle Riter Vitezoviqit, e pastaj edhe në duart e kontit Marsili.[3]

Në fletën II si titull shkruan: “Breve Ristretto del Regno di Bosna, oue si descriui la sua positura l’origine diquestra Natione con l’insigne delle Nobili, et Antiche Famiglie d’esto Regno e del Illiria la discendenza de Prencepi, Re et Imperatori…”

Në fletët V—VIII janë dhënë sipas radhës alfabetike të gjitha stemat që janë në koleksion. Prej fletës 17 e deri në 174 radhiten stemat familjare.

Në faqen 24 të këtij koleksioni gjendet stema e Kastriotëve (fig. 10). Stema është vizatuar shumë mirë. E ka vizatuar dikush që ka pasur prirje për art. Vizatimi është bërë në letër të bardhë, me tush të zi. Për shkak se nuk është vizatuar me vija heraldike, nuk mund t’i dimë ngjyrat. Shqiponjat janë vizatuar aq mirë, saqë u shihen puplat. Helmeta është e vjetër me mbulesë për sytë, kurora është e stolisur me diamante. Në shiritin nën stemë shkruan: “Kastriotich”. Stema e dytë është e Dukagjinëve (fig. 11) dhe gjendet në fq. 43.

Edhe kjo është punuar shumë bukur në teknikën zi-bardhë. Në shiritin nën stemë shkruan: “Dukaginouich”.

 Stema shqiptare në stematografinë në dorëshkrim

të Pavle Riter Vitezoviqit të vitit 1694

Në bibliotekën universitare të Bolonjës, ruhet stematografia e rilindësit kroat, Pavle Riter Vitezoviq e vitit 1694 si dorëshkrim. Është interesant të shihet ndryshimi midis kësaj stematografie të papublikuar dhe të asaj që e ka publikuar në vitin 1701, për të cilën më tutje do të bëhet fjalë më shumë. Stematografia në dorëshkrim gjendet në fondin shkencor të kontit Luigj Ferdinando Marsili që është i pasur me materiale dorëshkrime sa i takon historisë së popujve ballkanikë. Konti Marsili ka lerë në Bolonjë në vitin 1658. Pas kryerjes së shkollave ushtarake qe bërë oficer në Monarkinë austriake. Rreth vitit 1678, i shoqëruar nga senatori venedikas Petar Ciurani, udhëtoi për Stamboll me qëllim që të përshkruajë ushtrinë turke, gjendjen e brendshme të perandorisë otomane, fortifikimet e saj, organizimin ushtarak etj. Pas kthimit nga udhëtimi shkroi veprën “Stato militare dell ‘Impero Ottomano”, vepër kjo që edhe sot është kontribut i çmuar. Në vitin 1683 ishte kolonel, e pastaj u bë gjeneral në ushtrinë austriake. Ka marrë pjesë në negociatat për paqen e Karllovcit. U degradua në vitin 1703. Pastaj shkoi në vendlindjen e vet në Bolonjë dhe formoi “Instituto delle sciente e belle arti”, ku i la dorëshkrimet e tij, planet, skicat, hartat etj., që kishin të bëjnë me popujt ballkanikë.[4] Për veprimtarinë shkencore dhe ushtarake të kontit Marsili janë botuar shumë libra.[5] Në bibliotekën universitare të Bolonjës e pashë këtë fond shumë të madh të kontit Marsili që përbëhet prej shumë dorëshkrimesh e librash, që të gjitha së bashku kanë signaturën Codex 103. Edhe stematografinë që rilindësi kroat Vitezoviq e përgatiti për shtyp, e gjeta në fondin e Marsilit. Stematografia e Riterit ka titullin: Regnorum et provinciarum illyrocorum insignia genuina. Stemat në stematografi janë

figura12

Figura 12.

me ngjyra. Stemat nuk janë radhitur sipas ndonjë radhe sistematike, kështu në fletën I është stema e Nemanjiqëve, në fletën V e Dalmacisë, në fletën VI e Kroacisë, në fletën VII e Sllovenisë, në fletën IX e Bosnjës, në fletën X e Serbisë, në fletën XVII e Bullgarisë dhe në fletën XVI e Maqedonisë. Krejt stematografia ka 72 stema. Në këtë stematografi janë dhënë vetëm stemat territoriale, kurse stemat e shumta familjare-private që gjenden në të gjitha “stemat ilire” pa dallim, i konsideronte si më pak të rëndësishme e prandaj të gjitha i ka lënë. Kjo ka rëndësi dhe duhet nënvizuar si dukuri karakteristike vetëm e Vitezoviqit, që më vonë ka kaluar edhe te Zhefaroviqi.

Si thamë, kjo stematografi nuk ka stema të familjeve feudale. Vitezoviqi bëri stematografi të stemave territoriale, përkatësisht të stemave që janë të ndonjë vendi, territori, province dhe populli etj. Kjo është stema e parë territoriale e Shqipërisë (fig. 12). Ai e ka huajtur prej dikujt Vitezoviqi apo kjo është vepër e tij, nuk dihet. Sido që të jetë, duket se fortesa që është paraqitur në stemë duhet të jetë marrë prej ndonjë steme qyteti, për shkak se në heraldikë është bërë si zakon që stemat e qyteteve të kenë fortesa ose dyer fortesash, por vetëm në qoftë se qyteti ka mure. Prandaj mund të supozohet se ky emblemë është marrë edhe për shkak se në Shqipërinë e mesjetës ka pasur shumë fortesa, kulla me frëngji për pushkë etj. Sido që të jetë, si emblemë heraldik është shumë interesant, e prandaj edhe më vonë do të paraqitet dhe në burime të tjera heraldike. Mburoja në stemë ka formë katrore ose spanjolle. Fusha e mburojës është ndarë me dy ngjyra: dy të katërtat janë me ngjyrë të gjelbër, e një e katërta me të verdhë. Ngjyra e kaltër është e lart, ndërsa e verdha poshtë. Në mburojë gjendet fortesa-kullë si emblemë, me ngjyrë të bardhë, me dyer e frëngji për pushkë. Mbi mburojë është kurora e madhe e artë, siç kanë të gjitha stemat territoriale. Mbi mburojë shkruan “Albania”. Për shkak se tani nuk njihet ndonjë stemë më e vjetër territoriale e Shqipërisë përveç kësaj, kjo mund të konsiderohet si stemë e parë territoriale shqiptare.

[1] Solovjev, Prinosi, 110.

[2] Po aty, 111.

[3] Po aty, 111.

[4] Stjepan Beigl, Spisi grofa Marsiljija (Marsigli) u sveucilisnoj biblioteci u Bolonji. Glasnik Zem. Muz. U Borsni i Herceg. XIII. Sarajevo 1901, 537—538.

[5] Lodovigo Frati, Catalogo die monascritti de Luigi Ferdinando Marsili conservati nella biblioteca universitaria di Bologna. Firence 1928. Idem, Il Viaggio da Venezia a Constantinopoli di I. E. Marsili. “Nuovo Archivio Veneto, N. S. Vëll. VIII, Venezia 1904, 295—316. Memorie dell avita del den, Co. L. E. F. Marsigli, Bologna 1770. Avanture e militari impreso d’uno scenziato” , Nuova Antologia, vëll .94. Roma 1901, 252—268. Marsili, Nuovi studi sulla sua vita e sulle opere minori. Bologna 1921. L. E. Marsigli e la sua pera scuentifica. Memoria dell’Accad. d. scienza di Torino, Ser. II. Vëll. 65, 1916. Grof Marsigli Alojos Ferdinand jelentesci es teerkepei Budavar 1684—1686-iki. Budapest 1907.

Lajme të ngjashme

Back to top button