Site icon PORTALB

Absurdi: Zgjedhje pa regjistrim të popullatës!

Komisari për politikë evropiane fqinje dhe negociata për zgjerim, Johanes Han pas takimit me liderët ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme janë caktuar për vitin e ardhshëm në muajin prill.

Njohësin e çështjeve politike shprehin dyshime për pastrimin e listave zgjedhore, duke pasur parasysh këtu edhe mungesën e procesit të regjistrimit të popullsisë.

Abdylmenaf Bexheti i cili në 2011 dha dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, shprehet për Portalb se nuk mund të konsiderohet një spastrim absolut i listës zgjedhore pa regjistrimin e popullsisë.

“Mendoj se nuk mund të konsiderohet një spastrim absolut i listës zgjedhore pa regjistrimin e popullsisë, por ky proces do të bazohet në bazë të të dhënave të zyrës civile, pasi që ata mbajnë evidencën e lindjeve dhe vdekjeve. Po të bëhet spastrimi pa hile, me të dhëna të sakta administrative, besoj që do të jetë shumë më i drejtë sesa që ishte zgjedhjet e kaluara”, tha Bexheti.

Ai u shpreh se edhe po të kishte vullnet politik për regjistrim të popullsisë, procesi nuk do të kryhej për kohën kur janë parashikuar zgjedhjet.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë është i patjetërsueshëm dhe shumë i nevojshëm, por nuk ka vullnet politik që të bëhet i njëjti. Në këtë periudhë edhe po të kishte ai nuk mund të realizohet në afat deri në kohën kur janë parashikuar zgjedhjet, sepse është një proces shumë kompleks dhe nevojitet kohë”, tha Bexheti.

Aktivisti i “Civil”, Xhabir Deralla tha se regjistrimi i popullsisë do të ndihmonte shumë tani në pastrimin e listës zgjedhorë, duke pasur parasysh se MPB është tërësisht nën kontrollin partiak.

“Në princip lista zgjedhore pastrohet duke u bazuar në të dhënat nga shërbimet amë, të cilat i ndryshon MPB. Regjistrimi i popullsisë është një proces statistikë që e udhëheq Agjencioni për Statistikë dhe gjithsesi është një proces shumë i rëndësishëm dhe i ndihmon procesit të zgjedhjeve, sidomos n kushte kur e dimë se MPB është tërësisht nën kontroll partiak. Të njëjtën mund ta themi edhe për të gjitha institucionet tjera”, tha për Portalb, Deralla.

Ai përkujtoji që procesi i regjistrimit ishte shumë pranë përfundimit mirëpo ai u shpall i pavlefshëm për arsye të ‘frikës’ së dikujt.

“Gjegjësisht Agjencia për statistika ishte poligoni për konfliktin dhe shpalljen e procesit të regjistrimit si të dështuar. Informacionet që kam unë janë se kishte mbetur edhe shumë pak punë që ky proces të përfundonte, mirëpo ai u shpall i pavlefshëm për arsye të ‘frikës’ së dikujt”, shtoi Deralla./ Portalb

LEXO MË SHUMË:

Nuk ka vullnet politik për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni

Edhe vitin e ardhshëm Maqedonia pa regjistrim të popullsisë

Loja etnike dhe migrimi bllokojnë regjistrimin

Ekspertët: Regjistrimi i popullësisë i domosdoshëm

Mediat, zgjedhjet dhe listat zgjedhore në shtet ku nuk është mbajtur regjistrimi i popullatës

Opozita: Mashtrimi mbulohet me mos-regjistrimin e popullatës

Maqedonia vendi i vetëm në botë pa regjistrim të popullsisë

Maqedonia pa regjistrim të popullatës, çfarë qëllime të errëta fshihen pas dështimit të tij?

Exit mobile version