Site icon PORTALB

Tre institutet shqiptare, bashkë për Isa Boletinin

Të premten në Prishtinë i zhvilloi punimet Konferenca shkencore me temë: “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”. Bashkëorganizatorë të kësaj konference, ishin tre institutet shqiptare në trekëndëshin Prishtinë-Tiranë-Shkup: Instituti i Historisë i Prishtinës, Instituti i Historisë i Tiranës dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve Shkup.

Në pjesën e hapjes së konferencës, folën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Sabit Syla, dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të cilët çmuan lartë figurën historike të heroit të kombit, Isa Boletini.

Më pas, punimet e tyre shkencore i lexuan gjithsej 24 profesorë e studiues të njohur të historisë sonë kombëtare, si: Pajazit Nushi, Sabile Keçmezi – Basha, Bujar Dugolli & Jusuf Osmani, Proletar Hasani & Bernard Zotaj, Marenglen Verli, Fatmira Musaj, Ledia Dushku, Sokol Gjermeni, Nebi Dervishi, Qerim Lita, Halim Purellku, Hakif Bajrami, Lush Culaj, Fitim Rifati, Gjet Ndoj, Dritan Egro, Frashër Demaj, Xheladin Shala, Sylë Ukshini, Isa Bicaj, Teki Kurti, Adem Zejnullahu, Asllan Murati. Nga ITSHKSH, me kumtesë u paraqit Sevdail Demiri, rreth pasqyrimit të figurës së Isa Boletinit në burimet dokumentare dhe shtypin bullgar gjatë vitit 1912. Ai poashtu i njoftoi pjesëmarrësit me aktivitetet që po zhvillohen në Shkup, rreth vendosjes së shtatores së Isa Boletinit në Komunën Saraj.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ishte pjesë e Këshillit organizues të konferencës, bashkë me Sabit Sylën, Beqir Metën, Sabile Keçmezi – Basha dhe Marenglen Verlin.

Kjo ishte hera e parë që në këtë format bashkëpunojnë këto tre institucione të rëndësishme shkencore në hapësirën shqiptare. Konferenca e cila u zhvillua nën patronatin e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, u parapriu aktiviteteve për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini në vendlindjen e tij më 10 qershor 2015.

 

Tre institutet shqiptare, bashkë për Isa Boletinin
Exit mobile version