Site icon PORTALB

Partitë: A është e dobishme marrëveshja e 2 qershorit për shqiptarët?

Liderët në takim me Han

Partitë opozitare nuk e vlerësojnë të dobishme për shqiptarët marrëveshjen e arritur midis katër drejtuesve politikë, në bisedimet e ndihmuara nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian Johanes Hahn.

Lëvizja për reforma PDSH, Lëvizja Besa dhe RDK gjithashtu shprehim dozë të lartë skepticizmi se kjo marrëveshje na është zgjidhja e vërtetë për tejkalimin e krizës politike në vend.

RDK: Marrëveshja e arritur me komesionerin Hahn nuk është marrëveshje e qëndrueshme

 Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi vlerëson se marrëveshja e arritur me komesionerin Hahn nuk është marrëveshje e qëndrueshme.

“Marrëveshja e arritur me komesionerin Hahn nuk është marrëveshje e qëndrueshme dhe ne gjykojmë se kjo marrëveshje do të dështoj. Zgjidhja e krizës politike nuk arrihet nëpërmes zgjedhjeve të parakohshme sepse Maqedoni mund të thyej edhe rekordin botëror për zgjedhje të parakohshme ku nga viti 2008 së bashku me këto që paralajmërohen për prill të vitit 2016 mbahen 4 zgjedhje të parakohshme. Zgjidhja është dorëheqje e tërësishme e kësaj qeverie, dhe caktimi i një qeverie ekspertësh ku asnjëri nga aktorët aktual nuk do të jenë pjesë e qeverisë kalimtare që do të ketë për obligim të çrrënjosin këtë krim që ka kapluar shtetin. Jemi thellë të bindur se Gruevski, nuk do të pranoj këtë që themi, dhe prandaj takimi i 10 qershorit në Bruksel do të dështoj, me gjasë reale që shpërthimi i bombave të Zaevit do të vazhdoj edhe më tutje, por tani me shpalosjen e bombave më senzitive si ajo e Monstrës dhe shumë monstra tjerra”, tha për Portalb Memedi.

Besa: Kjo marrëveshje nuk është aspak në dobi të shqiptarëve

Afrim Gashi nga Lëvizja BESA konsideron se kjo marrëveshje nuk është aspak në dobi të shqiptarëve.

“Ne jemi të bindur se shqiptarët po humbin një rast historik që ta ridefinojnë rregullimin juridiko-kushtetues, duke e bërë Maqedoninë shtetin konsensual shqiptaro-maqedonas. Kriza aktuale politike nxori në shesh se si në të vërtet funksionon ky shtet duke u nisur nga shteti i së drejtës, nga dimensioni i sigurisë, ai mediatik etj. Të gjithë u bindëm se ky sistem në thelb ka qenë i kurdisur që të diskriminojë dhe ti mbajë shqiptarët sa më larg institucioneve kyçe në shtet. Nga ana tjetër, nga pikat e kësaj marrëveshje kuptohet se kriza është bartur plotësisht në dimensionin e betejës ndërpartiake mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Këtë gafë shqiptarët nuk do duhej të guxonin ta lejojnë por duhej të konsistonin që të shtrojnë si çështje thelbësore këtë moment të keqkurdisjes së sistemit juridiko-kushtetues. Për fat të keq, nga publikimi i “bombave” të Zaevit u bë e qartë se përfaqësuesit aktual politik të shqiptarëve janë zhytur thellë në hipoteka dhe nuk mund të ngrenë zërin që të kërkojnë ndryshimet kushtetuese me çka shqiptarët do të  bëheshin popull shtetformues, shqipja do të ishte zyrtare në gjithë territorin, do të zbardheshin rastet e montuara politike “Monstra”, “Sopoti”, “Brodeci”, të zbardhet vrasja e Harun Aliut. Madje të kërkojnë ndarje të drejtë të buxhetit, mbylljen e Jugohromit etj etj, ose së paku të kishin kërkuar që të ndryshojnë emrat e shkollave në Çair, por si duket nuk kanë guxuar të hapin gojën as edhe për këtë gjë minore, përveç se të vazhdojnë garën mes vete se cili prej tyre do t’i shërbejë më mirë e më shumë Nikolla Gruevskit”, tha Gashi.

Reforma në PDSH: Kemi dozë të lartë skepticizmi se kjo marrëveshje na është zgjidhja e vërtetë për tejkalimin e krizës

Lëvizja për reforma – PDSH vlerëson angazhimin dhe kontributin e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar në tejkalimin e krizës politike në vend, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kishte lëvizje nga status-quo-ja. Megjithatë shprehim dozë të lartë skepticizmi se kjo marrëveshje na është zgjidhja e vërtetë për tejkalimin e krizës politike në vend.

“Akti i parë drejt hapjes së rrugës për zgjidhjen e krizës politike do të ishte dorëheqja e tërë qeverisë, që më pas të diskutohet formati i përkohshëm qeveritar që do të ketë kapacitetin dhe kredibilitetin e nevojshëm për të konstatuar shkeljet dhe keqpërdorimin e institucioneve shtetërore, riformatimin e Komisionit qendror zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, pastrimin e listave zgjedhore, regjistrimin e popullsisë, gjyqësorin e pavarur dhe informimin e drejtë të servisit publik.  Akti i dytë i rëndësishëm që do të kontribuonte në zgjidhjen cilësore të krizës politike do të ishte përfshirja në diskutime e subjekteve opozitare shqiptare, për shkak se dy figurat shqiptare të margjinalizuara në këto bisedime Ahmeti dhe Thaçi janë figura të komprometuara, pa kredibilitet moral dhe politik dhe pas ngjarjeve të Kumanovës, sigurisht që janë edhe pa legjitimitet politik. Akti i tretë do të ishte pranimi i pohimit se Marrëveshja e Ohrit, tashmë 12 vite nuk implementohet, përkundër garancave të faktorit ndërkombëtar, si rrjedhojë e kësaj urgjentisht duhet të hapen diskutimet për Marrëveshje të re historike mes maqedonasve dhe shqiptarëve, si zgjidhje e vetme”, thonë nga zyra për informim.

Gjithash nga kjo parti vlerësojnë që kriza politike e këtyre përmasave nuk do të zgjidhet nëse për tejkalimin e saj amnistohen dhunuesit, shkelësit e kushtetutës, ligjeve të vendit, dokumenteve të garantuara nga ndërkombëtarët, vlerave të demokracisë, pjesëtarët e krimit të organizuar etj. /Portalb

LEXO MË SHUMË:

Thaçi: PDSH do të vazhdojë me politikat konstruktive

Ahmeti: Marrëveshja e 2 qershorit rikthen stabilitetin politik në vend

Çfarë është biseduar në takimin me Han, përmendën marrëveshjen por asgjë nuk thanë

Marrëveshja politike, çfarë të presim nga liderët në Maqedoni?

Ahmeti sqaron detajet për marrëveshjen e arritur me ndërmjetësim të komisionerit Han

Marrëveshja në Shkup: Hap pozitiv, por…?

Han: Zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm

Exit mobile version