Site icon PORTALB

Besimi në Athinë takon Kocias-in, diskutojnë çështjen e emrit

Fatmir Besimi

Fatmir Besimi

Kriza politike në vend ishte në qendër të takimit edhe të ministrit të jashtëm grek Nikos Kocias dhe zv/kryeministrit për çështje evropiane Fatmir Besimi në Athinë. Shefi i diplomacisë greke shprehu mbështetjen ndaj bisedimeve të liderëve që zhvillohen me ndërmjetësim të komisionarit Han. Nga ana tjetër në takimin e sotëm kokë më kokë Kocias-Besimi kanë qenë edhe çështja e emrit dhe masat për ndërtimin e besimit mes Shkupit dhe Athinës. Megjithëse nuk zbardhi detaje lidhur me përmbajtjen e këtyre masave, ministri i jashtëm grek tha se rreth disa çështjeve palët tashmë kanë qëndrime të përbashkëta. Kocias tha se më shumë detaje do të zbardh gjatë vizitës së tij në Shkup në fund të muajit.

“Unë shpreha mbështetjen për bisedimet që ndodhin mes partive politike dhe komisionarit Han. Ne folëm për bisedimet aktuale dhe ato që do të ndodhin në të ardhmen rreth çështjes së emrit. Gjithashtu folëm për masat për ndërtimin e besimit. Masat për ndërtimin e besimit do t’i zbardhim në Shkup, ku fillimisht do të zhvillohen bisedimet në mes drejtorëve politik. Kemi nevojë për sqarime shtesë për të definuar se çfarë do secila nga palët” , deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi ndërkaq tha se vizita e tij në Athinë përbën një hap drejt shkrirjes së akujve mes të dyja vendeve.

“Jam i lumtur që patëm mundësi të bisedojmë për çështjet e hapura mes nesh. Ajo që ram dakord është se këto çështje mund të zgjidhen, duke përmirësuar bashkëpunimin bilateral, duke kultivuar marrëdhëniet të mira ndër-fqinjësore dhe ndarë vlera të përbashkëta në të ardhmen në familjen euro-atlantike”, tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Exit mobile version