Maqedoni, a lihet me qëllim kaq periudhë e shkurtër për zgjedhjet e “drejta”?

Për dhjetë muaj sa na ndajnë nga zgjedhjet e paralajmëruara nuk mund të ndryshohen shumë gjëra që duhet të çojnë drejt zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, sepse ka shumë probleme juridike, ndërsa as regjistrimi nuk është kryer, thonë njohësit e rrethanave politike dhe sociale për Portalb.

Të pastrohet lista zgjedhore, të ndryshohet Kodi zgjedhor, të respektohen të drejtat e pakicave dhe të zbatohen rekomandimet e Komisionit Evropian për pavarësinë e gjyqësisë. Kjo, sipas eurokomisarit për zgjerim, Johanes Han, duhet të kryhet para zgjedhjeve të cilat do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm. Ai e përmendi edhe sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave në kontekst të kapitujve 23 dhe 24.

Sipas profesoreshës Mirjana Najçevska, dhjetë muajt që kanë mbetur deri në zgjedhjet eventuale janë periudhë shumë e shkurtër për t’u ndryshuar punët dhe për t’u realizuar zgjedhje të drejta dhe demokratike. Të paktën një vit, dhe në variantin më të mirë dy vjet, sipas Najçevskës, është periudha optimale për një qeveri teknokratike ose eksperte që të mund t’i përmirësojë punët.

 

“Në rast se përcaktohet periudhë prej dy vjetësh, atëherë mundësohet intervenim në organet më të larta gjyqësore, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat janë me rëndësi kyçe gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, por kjo gjithashtu do të mundësonte edhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, që sipas meje është një nga mjetet kyçe në pastrimin edhe të listave votuese“, tha Najçevska.

 

Edhe profesor Osman Kadriu mendon se një vit është periudha më e shkurtër e duhur në të cilën do të ishte bërë tentim për t’u ndryshuar punët, por edhe ai sugjeroi se ndërkohë është i domosdoshëm regjistrimi. Sipas tij në 10 muajt e ardhshëm mund vetëm të ndryshohen disa ligje, të sillen ligje të reja, të bëhet intervenim në Kodin zgjedhor dhe në listën zgjedhore.

 

“Gjërat që s’mund të bëhen në këtë periudhë janë këto: këtu duhet të bëhet dallimi mes asaj që quhet probleme dhe krizë politike dhe asaj që quhet probleme dhe krizë juridike. Ne tani në Maqedoni kemi krizë serioze juridike, krizë kushtetuese, kemi probleme edhe me funksionimin e gjyqësorit, pavarësinë e gjykatave dhe të prokurorisë. Bëhet fjalë për probleme juridike dhe zgjidhje juridike. Për zgjidhjen e tillë juridike të të gjitha këtyre problemeve, në këtë periudhë nuk mund të presim rezultat”, thotë Kadriu.

 

Përndryshe, në muajin mars, në mitingun në Sallën Universale në Shkup, lideri i LSDM-së Zoran Zaev tha se përveç qeverisë kalimtare pa Gruevskin dhe pa personat për të cilët ka dyshime se kanë qenë të involvuar në aktivitete kriminele, kërkojnë dorëheqje edhe nga prokurori publik Marko Zvërlevski dhe nga stafi udhëheqës i Radiotelevizionit Maqedonas. Nga partia konsiderojnë se, edhe pse afati për zbatimin e të gjitha pikave të cekura në atë që është marrë vesh është relativisht i shkurtër, megjithatë ka gjasa që të bëhen disa përparime në drejtim të asaj që do të thotë sigurim i ambientit fer dhe demokratik për mbajtjen e zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button