Testim ekstern apo traumë

Këto ditë ka filluar testimi ekstern në shkollat fillore dhe të mesme të vendit ku do të përfshihen pjesa dërrmuese e nxënësve në këto shkolla. Edhe këtë vit pyetjet në gjuhën shqipe me plot gabime dhe njëkohësisht duke na sjell traumë, plagë apo dëmtim të rëndë të një pjese të trupit, më mirë të them të trurit, që shkaktohet nga një goditje e jashtme, traumë të mbyllur apo të hapur, traumë në kokë e jo në gju apo në krah. Tronditje të fortë shpirtërore, që pëson dikush kur i ndodh një fatkeqësi apo diçka tjetër e rëndë dhe e papritur, një plagë shpirtërore. Një traumë psikike, vallë jemi duke pësuar një të tillë edhe ne arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe me gjerë, njerëzit që jetojnë afër ne me të ashtuquajturin “Testim ekstern”.
Ditët e para të muajt qershor dhe të fundit të vitit shkollor janë duke kaluar si më keq, me një kaos në shkollë të shkaktuar nga Institucioni i cili duhet të na udhëheq dhe të na sjell rend në shkollë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës me ministrin e saj famoz, Qimon. E Qimo-Qimo çfarë je duke na bërë, edhe pse jemi të bindur se nuk pajtohesh as ti e as partia jote me këtë testim ekstern, nuk pajtohen as prindërit e  nxënësve, nuk pajtohet as elektorati që ka zgjedh partinë tënde që të jetë në pushtet, besoj se askush nuk pajtohet, me përjashtim të atyre që kanë interes material e financiar të drejtpërdrejtë. Por çfarë të bësh shefi ka thënë se duhet të vazhdojmë, se dikujt prej tyre i shkon për shtati kjo punë, ndërsa ne na mban shpresa dhe jemi të bindur se në mot nuk do të kemi këtë testim, je apo s`je ti ministër.

Në shkollë lëvizje andej-këndej e punonjësve, e prindërve e posaçërisht më duket mua lëvizje kaotike e atyre, që janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra nxënësve të cilët në ankth dhe me makth presin për të kryer testimin, më duket se nxënësve gjatë këtij procesi sikur iu zihet fryma dhe tronditen me një ndjenjë të rëndë ndrydhëse, me një shqetësim të madh për fatin e tyre ose për fundin e diçkaje, për ankthin e ndjekjes, të pritjes së një note që në fund të fundit për të gjithë ne punonjësit e arsimit, aspak reale dhe e rëndësishme. Aspak notë e rëndësishme për mua si prind i një fëmije, nxënës i klasës së katërt, aspak me vlerë për mua si mësimdhënës i lëndës së gjuhës, për shumë arsye e ndër to të radhisim disa prej arsyeve siç janë: Pyetje me një mori gabimesh drejtshkrimore dhe përmbajtjesore, të përkthyera nga maqedonishtja, të përpiluara nga njerëz pa kompetenca, pyetje me gabime të panumërta, ndonjëherë të papërkthyera dhe shpesh joedukative dhe diskriminuese, ku Tomçeja është nxënës i mirë, ndërsa Agimi çoban lopësh, ku zona e Pellagonisë ndodhet në Argjentinë, Brazil e ndoshta edhe në Venezuelë, ku Polonia e Çekia janë “Polaki e Çelaki”, ku lumi bëhet liqen e Shkodra bëhet Skadar, ndërsa neve na ngel frika nga dështimi, nxënësve nga nota e dobët, ndërsa prindërve iu ngel shqetësimi dhe trauma e sipërpërmendur.

Sa për të ilustruar Rëndësinë e formulimit të drejtë të objektivave të orës mësimore dhe formës së notimit të një nxënësi në lëndën e gjuhës dua të theksoj se për këto kemi bërë mjaft përgatitje, kemi ndjekur seminare, punëtori dhe jam i mendimit se nxënësi duhet më tepër të notohet në bazë të evalvimit sumativ dhe jo vetëm për një orë, ngase ai gjatë vitit duhet të mësohet të lexojë rrjedhshëm, të lexojë lektyra, duhet të analizojë, të krijojë kulturë të të shprehurit me gojë dhe në formë shkrimi, të mësojë gramatikën, të flet gjuhën standarde, të recitojë e mbase edhe të aktrojë e tani pyes se kush më së miri e bën këtë vlerësim, mësimdhënësi që është në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me nxënësin apo përpiluesit pa kompetenca, të cilët marrin shpërblim, siç thotë Migjeni “Për qindenje afsh në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”. Prandaj lusim që sa më shpejtë të përfundojë kjo katrahurë e cila si e si do të përfundojë, por ne duam më shpejtë që të mos kemi pasoja edhe më tej. Trekëndëshi mësimdhënës, nxënës dhe prindër përditë e më shumë po bëhet vlerë… Prandaj kërkojmë që arsimi t`i kthehet arsimtarëve e jo të mbetet në duart e administratorëve që na mbikëqyrin, e dorën në zemër janë mjaft të kuptueshëm dhe bashkëpunues (të mos them nuk iu han palla për testimin)dhe dua të përfundoj me një thënie se: “Ai njeri që i bën  lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi”.

Lajme të ngjashme

Back to top button