Rritet biznesi femëror në Shqipëri, kryesojnë në tregti

Plot 28,5 % e ndërmarrjeve aktive, kanë pronare dhe administratore femra, shumica në fushën e tregtisë.

INSTAT përcakton këtë fushë si kryesoren pasi shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra dhe krahasuar me meshkujt, rezulton se femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive në tregti.

Gjithashtu 47,9 % e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitet ekonomik “Tregti”.

Sipas statistikave të regjistrit të ndërmarrjeve për vitin 2014, botuar së fundi nga INSTAT, rezulton se vetëm 16,1 % e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar zotërohen apo menaxhohen nga femrat.

Qarku i Tiranës kryeson në përqindjen më të madhe për këtë grup ndërmarrjesh, që zënë 47,5 % e ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra.

Femrat zotërojnë më pak drejtimin dhe pronësinë e ndërmarrjeve aktive në qarqet Kukës dhe Dibër.

Në krahasim me meshkujt, qarqet me përqindje më të lartë me pronare/administratore femra janë Tirana me 30,7 % dhe më të ultin e shënon Kukësi me 15,6 %.

Pozitiv duket trendi në hapjen e ndërmarrjeve të reja, pasi gjatë vitit 2014 rezulton se 31 % e tyre u hapën nga femrat si pronare dhe administratore të tyre. /ATSH/

Lajme të ngjashme

Back to top button