Në USHT u mbajt simpoziumi shkencor mbi Implantologjinë

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës dje filloi punimet Simpoziumi shkencor ndërkombëtarë, me temë: “Implantologjia si sfidë ose imperativ i stomatologjisë moderne”. Në emër të USHT-së, të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua prodekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. dr. Qenan Ferati, i cili njëherit edhe solemnisht e shpalli të hapur këtë simpozium. “Ndjehem i nderuar që t’Ju drejtohem me fjalë rasti dhe njëkohësisht t’Ju përcjell urimet e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti në hapjen solemne të Simpoziumit shkencor, me temë: “Implantologjia si sfidë, ose imperativ i stomatologjisë moderne”, që organizohet nga Universiteti ynë, përkatësisht Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë dhe Shoqëria Stomatologjike Shqiptare. Me këtë rast, ju uroj mirëseardhje të gjithë studiuesve dhe punonjësve shkencorë, të cilët sot do të referojnë në këtë simpozium shkencor nga lëmi i  stomatologjisë”. Ai, më tej vlerësoi se “ky aktivitet që e realizojmë sot është një ngjarje e veçantë për stomatologjinë bashkëkohore, aq më tepër kur vëmendje e posaçme i kushtohet shëndetit të njeriut dhe, si i tillë ka zgjuar vëmendjen e stomatologëve të njohur, për të prezantuar pikëpamjet e tyre shkencore për stomatologjinë që zhvillohet në kohën e sotme dhe për metodat që aplikohen në vendet tona”, shtoi mes tjerash Doc. dr. Qenan Ferati.

Kryetari i Shoqërisë Stomatologjike, dr. Nedim Kasami theksoi se qëllimi i këtij simpoziumi me pjesëmarrje ndërkombëtare është që mjekët të edukohen në suaza të edukimit  kontinual mjekësor. “Ne si shoqëri organizojmë evenimente të tilla me karakter ndërkombëtar, aktivitete të këtilla organizojmë tre herë brenda vitit. Këtë vit e organizuam një në Kumanovë, sot e kemi në Tetovë, këtu në USHT, dhe aktivitetin e tretë do e mbajmë në Strugë. Në këto suaza, ne e pamë të arsyeshme që këtë simpozium me pjesëmarrje ndërkombëtare ta organizojmë këtu në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe shpresoj se pjesëmarrësit me punimet e tyre do t’i prezantojnë zhvillimet më të reja në fushën e stomatologjisë”. Ai, po ashtu e vlerësoi lartë mbështetjen dhe organizimin e këtij simpoziumi që e bëri USHT. “Sa i përket organizimit, unë jam i fascinuar me objektin e USHT-së, pasi më parë nuk kam qenë këtu. Organizimin e kanë bërë në nivel mjaftë të duhur dhe dua t’i përgëzoj për këtë punë kaq mbresëlënëse që kanë bërë në organizimin e këtij simpoziumi me pjesëmarrje ndërkombëtare”, vlerësoi mes tjerash, dr. Nedim Kamberi.

Organizimin e simpoziumit  “Implantologjia si sfidë ose imperativ i stomatologjisë moderne”  që u zhvillua në USHT, e vlerësuan lartë edhe studiues të ndryshëm nga vendi dhe rajoni.

DSC_3123

Sipas profesorit nga Shqipëria, Ramazan Isufi, ky  simpozium me pjesëmarrje ndërkombëtare i fiton dhe i gëzon këto përmasa jo vetëm nga pjesëmarrja e studiuesve dhe lektorëve të fushave të ndryshme, por shikoj që interesimi dhe mënyra e organizmit është jashtëzakonisht e mirë.  “Mendoj që vlerat e këtyre prezantimeve do të përçohen në të gjithë masën e stomatologëve dhe implantologëve, për të rritur më shumë nivelin në implantologjinë orale dhe në mundësinë e zgjidhjes së mungesave të dhëmbëve, gjë e cila do të shkojë në përmirësimin e shëndetit të pacientëve që kanë nevoja të mëdha në ditët e sotme për implantologji. Nga ajo që pash në auditor, përveç stomatologëve më me përvojë dhe specialistëve, më ra në sy një numër mjaft i madh i studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, drejtimi i stomatologjisë, gjë që më bën të mendoj se në të ardhmen kjo do të ndikojë në rritjen e nivelit profesional dhe shkencor të këtij fakulteti, dhe mendoj se në të ardhmen, pikërisht këta studentë do ta çojnë stafetën lartë e më lartë”, deklaroi prof. Ramazan Isufi.

Ndërsa profesoresha nga Kosova, Teuta A. Pustina-Krasniqi, pjesëmarrëse në simpozium, vlerësoi se organizimi i këtij simpoziumi është mjaft në nivel, pasi që pjesëmarrja e studiuesve është masive. “Jam njëra prej ligjërueseve të ftuara në simpozium, tema ime është ,,Estetika në implantologji”, do të thotë si njëra prej pjesëve të dukshme të punimeve protetikore dhe atyre kirurgjikale. Sa i përket organizimit të këtij aktiviteti vlerësoj se simpoziumi është me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe se pjesëmarrja është mjaftë masive. Organizimi është mjaft në nivel dhe prezantimet e para që i dëgjuam ishin të një niveli tejet të lartë. Kjo është hera e parë që vij në godinën e re të USHT-së dhe mendoj se i përmbush të gjitha nivelet për manifestime shkencore të këtij niveli dhe për simpoziume të ardhshme, të cilat do të mbahen në USHT, dua të përgëzoj drejtuesit e USHT-së për gjithë këtë mbështetje që japin në zhvillimin dhe avancimin e shkencës”, vlerësoi prof.  Teuta A. Pustina-Krasniqi.

Simpoziumi “Implantologjia si sfidë ose imperativ i stomatologjisë moderne” është organizimi i parë shkencor i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së dhe Shoqatës Stomatologjike Shqiptare në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button