Site icon PORTALB

Dekani në USHT, Fatmir Sulejmani mbajti fjalim në tryezën e rrumbullakët “Letërsia Shqipe në Maqedoni”

Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Doc. dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në tryezën e rrumbullakët, me temë “Letërsia Shqipe në Maqedoni”, që u mbajt në hapësirat e Institutit Albanologjik të Prishtinës në organizim të Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës.

Me këtë rast, ai në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi:  “Po, të dalim në temën bosht të tryezës së sotme, për të cilën do të mundohem të jap vetëm një pasqyrë modeste, sa për t’jua freskuar kujtesën dhe për të hapur mundësinë e një debati ku do të kyçemi barabarësisht të gjithë ne. Udha e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni qe më e vështirë se ajo e viseve të tjera shqiptare. Ajo u nis nga hiçi dhe e pengua me të gjithë mekanizmat e mundshëm të pushteteve totalitare, që nuk e ndalën kurrë mekamin e ndrydhjes së vullneteve tona, shpëlarjen e trurit, zhveshjen sistematike nga tiparet e racës, shndërrimin në turmë amorfe pa asnjë vetëdije, në rajë të pakujtesë, në masë injorante e të paqytetëruar, në robër lehtësisht të nëpërkëmbshëm, për të cilët vlerat shpirtërore ishin gjërat e fundit ku mund t’u shkonte mendja”, tha Doc. dr. Famir Sulejmani, dekan i Fakultetit Filologjik të USHT-së.

Në vijim e keni ligjëratën e plotë të Dekanit të Fakultetit Filologjik të USHT-së, Doc. dr. Fatmir Sulejmani.

I nderuari auditor!

Më lejoni që fillimisht të falënderoj organizatorin e kësaj tryeze – Klubin e Shkrimtarëve të Kosovës, që më ofroi mundësinë për të thënë dy fjalë lidhur me letërsinë shqipe në Maqedoni dhe me shkaqet e kumonikimit të munguar brendakulturor shqiptar, që shpresoj do të tejkalohet me ardhjen në skenën kulturore të një gjenerate krijuesish si Adil Olluri, Gëzim Aliu, Agron Gashi…, të cilët letërsinë shqipe e shohin si një të tërë, pavarësisht hapësirave gjeografike ku është krijuar e krijohet aktualisht.

Është ky ogur i mirë, sepse mospërfilljet dhe përbuzjet e cilësdo pjesë integrale të letërsisë shqipe na bëjnë më të varfër dhe bashkëfajtorë në thellimin e hullive ndarëse, që gjithsesi burojnë nga faktorët jashtëletrarë dhe janë jashtë interesave të etnisë, e cila, nëse aktualisht nuk ka fuqi të riparojë sakatimet historike, mund të bëjë shumë në integrimin e  vlerave shpirtërore, për t’mos lejuar edhe më tej disbalancet e së shkuarës.

Po, të dalim në temën bosht të tryezës së sotme, për të dhënë një pasqyrë modeste, sa për t’jua freskuar kujtesën dhe për t’hapur mundësinë e një debati ku do të kyçemi barabarësisht të gjithë ne.

*

Udha e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni qe më e vështirë se ajo e viseve të tjera shqiptare. Ajo u nis nga hiçi dhe u pengua me të gjithë mekanizmat e mundshëm të pushteteve totalitare, që nuk e ndalën kurrë mekamin e ndrydhjes së vullneteve, shpëlarjen e trurit, zhveshjen sistematike nga tiparet e racës, shndërrimin tonë në turmë amorfe pa asnjë vetëdije, në rajë të pakujtesë, në masë injorante e të paqytetëruar, në robër lehtësisht të nëpërkëmbshëm, për të cilët vlerat shpirtërore ishin gjërat e fundit ku mund t’u shkonte mendja.

Pushteti maqedonas ka ndjerë frikë të përhershme nga fjala e shkruar që, qysh në antikë, ka pasur fuqinë e magjishme të ndezjes së zjarreve prometeane dhe frymës liridashëse. Për këtë shkak, u inauguruan “seçat” permanente – prerjet e kokave të mençura dhe eliminimi nga skena e njerëzve me ndikim në sferën e kulturës dhe të arsimit.

Në këso rrethanash letërsia zuri fill shumë vonë me shkrimet modeste të Rexhep Vokës (1847-1917) – shkrimtarit, dijetarit dhe teologut, i cili me veprën “Mendime”, të shkruar me shkronja arabe, bënte lutje dhe i këshillonte shqiptarët që të arsimohen, ta respektojnë kombin dhe vetveten; ta mësojnë, krahas turqishtes, edhe gjuhën shqipe; t’i bëjnë kolibet shkolla, për t’mos mbetur të paditur si shtaza…

Parë për nga vlerat, ajo që shkroi Rexhep Voka, është apel modest në raport me veprat e bashkëkohanikëve të tij Rilindës, po në këto anë ai ishte i pari dhe, si i tillë, meriton vëmendje serioze nga studiuesit e brezave të ardhshëm.

Përpara tij, sipas historianit Ali Vishko, në territorin që sot është Maqedioni ka pasur poetë bejtexhinj me emra dhe vepra që fatkeqësisht nuk u mbijetuan furtunave të kohës. Sipas tij, ata organizonin lexime e gara poetike nëpër tempuj fetarë, si në Teqen bektashiane Harabati Baba të Tetovës.

Pas vitit 1912 u shqua romansieri e dramaturgu Haki Stërmilli (1895 – 1953) – autori i dramës “Dibranja e mjerueme” dhe romaneve “Sikur t’isha djalë” dhe “Kalorësi i Skëndërbeut”. Ai lindi në Dibër të Madhe dhe u formuar në rrethet kulturore të Shqipërisë londineze…

Në vija të trasha, pa u ndalur në emra autorësh të viseve të tjera, që kanë lëvizur, punuar e jetuar njëfarë kohe në Shkup, Tetovë a gjetiu, si puna e Pjetër Bogdanit – krijuesit me përmasa ndërkombëtare për rrethanat e kohës së tij, këto janë fillet e letërsisë së shkruar shqipe në Maqedoni, e cila nisi të rrisë shtatin mirëfilli me veprat e krijuesve që bënë emër pas përfundimit të luftës antifashiste, përkatësisht pas Plenumit të Brioneve, kur u zbut dhe u sofistikua në masë të prekshme dhuna mbi shqiptarët e mbetur nën çadrat e të tjerëve.

Gjer diku, krijimtaria në fjalë ndau fatin e letërsisë së krijuar në Kosovë. Por, në stinët më histerike të diktaturës moniste, ata pak intelektualë krijues të kësaj ane i qenë nënshtruar ndjekjes nga syri vigjilent e i partishëm, sepse Maqedonia nisi ta luajë vullnetarisht rolin e sejmenit të perdorshëm serb, duke persekutuar shqiptarët – veçmas klasën e krijuesve, duke i studiuar e duke vënë në sprovë ritmin e rrahjes së pulsit të tyre.

Të ngujuar në një hapësirë të ngushtë kulturore, mes kufijve shtërngues që na i vunë të tjerët; të gjendur në një mes pa publik lexues dhe pa treg vlerash, krijuesit shqiptarë të Maqedonisë bënë jetën e të humburit, duke u përpjekur të hapin, secili për vete, udhën e vështirë të xhunglës.

Kjo, natyrisht, e pengoi rritën normale të vlerave shpirtërore dhe mori në qafë disa krijues të cilësuar me talent shumë të veçantë. Dëshmi për këtë është burgosja dhe më pas eliminimi i mistershëm i poetit dhe dramaturgut të talentuar tetovar – Sadudin Gjurës (1926-1962), të njohur si autor të dramave: “Lalë Bajrami”, “Fejesa në djep”, “Shqipja e malit”, “Dervish Cara”…, Për Sadudinin nuk është thënë akoma ndoshta as A-ja e asaj që duhet të thuhet  dhe kjo flet shumë për mënyrën se si u qasemi vlerave tona…

Në kësi rrethanash, vetëm falë altruizmit emblematik të rilindësit të fundit shqiptar Esad Mekulit – frymëzimit dhe trimërimit të kriujuesve të paktë të kësaj ane, nisi kultivimi i letërsisë, gazetarisë dhe publicistikës në gjuhën e bukur dhe vendore shqipe dhe doli në skenë një brez i ri krijuesish prometejë, me afinitete për të kapur në kohën e duhur kalbësitë e një sistemi, që vetëm së jashtmi dukej liberal.

Është kjo koha e paraqitjes në skenën letrare të krijuesve, si: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ali Aliu, Myrteza Peza, Mehmedali Hoxha, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi, Nijazi Saliu, Adem Gajtani, Fejzi Bojku, Luan Starova…, kurse pak me vonë edhe Agim Vinca, Resul Shabani, Xhabir Ahmeti, Nehas Sopaj, Murtezan Arifi e disa të tjerë, të cilët e pasuruan letërsinë shqipe me prurje, që ishin në unison me atë që krijohej në Kosovë.

Nga kjo plejadë krijuesish do të veçoja shkrimtarin dhe poetin e shquar Murat Isakun – autorin e romaneve me tituj shumë sugjestivë: “Plagët”, “Rreckajt”, “Rrengu”, “Shtjella”, “Fatprerët”, “Gjaku i sharraxhinjëve”…, për të cilin ka botuar një studim të rëndësishëm kolegu im Salajdin Saliu, që e kishte ndërmend të flasë diçka më shumë për Muratin në tryezën e sotme, po, për arsye objective, nuk mundi të vijë në Prishtinë. Shi për këtë, unë po mjaftohem duke thënë se disa poezive dhe romaneve të Murat Isakut, mund t’ua kenë zilinë edhe krijuesit më të shquar letrarë shqiptarë – veçmas disa kapitujve të tyre, sepse gjenialiteti i një krijuesi qëndron shpesh në një varg a në një fragment proze.

E them me plot përgjegjësi: faqe të tëra të disa romaneve të Murat Isakut, që trajtojnë kryesisht jetën plot vuajtje të bashkëvendasve të tij…, qëndrojnë denga-deng me perlat narrative të Ismail Kadaresë.

Një tjetër zë i veçantë, të paktën për shijen time estetike, është ai i poetit Adem Gajtani, i anashkaluar nga kritika dhe studimet letrare dhe i ranguar ulët në raport me poetët e nivelit së tij për shkaqe jashtëletrare e jashtëkulturore. Sipas studiuesit e kritikut të mirënjohur Ali Aliut dhe jo vetëm atij, me veprat “Dritë në zemër”, “Ti këngë, ti zog i largët”, “As dru, as zog, dashuri…, Adem Gajtani, dëshmoi se është mjeshtër i  organizimit të poezisë dhe reflekseve të reja ekspresive, usta i funksionalizimit maksimal të figurës, me aftësi për të zhbiruar në pjesët më të skajshmë të botës së njeriut…; për të shkruar ndryshe  nga bashkëkohësit e vet, i çliruar paragjykimesh dhe konsideratash kurtoaze mbi autoritetet e kohës; për të shprehur në mënyrë të veçantë e të bindshme ndjenjën e braktisjes së vetvetes dhe njeriut përgjithësisht…

Po kaq të suksesshëm janë dhe autorët e nje brezi tjetër në mesin e të cilëve do të dalloja poetët Resul Shabanin e Nehas Sopajn.

Resul Shabani, autori i përmbledhjeve poetike: “Përsëri për shelgun vajtues”, “Mëkat i trilluar”, “Hamleti me plis të zi”, “Ora e liqenit”… është vlerësuar si poet i rangut kombëtar, si këngëtar i vendlindjes, liqenit, fëmijërisë dhe rinisë së hershme të ikur në pakthim. Përmes vargjesh e metaforash universale ai dialogon me të shkuarën dhe qorton të tashmen e sertë e të mjegullt…

Nehas Sopaj krijoi gjithashtu poezi me peshë në përmbledhjet “Këngët e blerta”, “Lulet e verdha”, “ Alga e dalë nga deti”… Vargjet e tij janë cilësuar si jetëshkrim i poetit, që rend pas zbulimit të botës, një rrugëtim që fillimisht është i hareshëm dhe i shoqëruar me vasha, bimësi, lumenj, zogj e këngë…, kurse më pas i mbushur me dëshpërrim, zymtësi, tërheqje, mbyllje në vetvete, korba të zinj, trishtime… Kjo e bën poetin një sizmograf interesant stinësh të shkuara e aktuale, kohërash e hapësirash që janë tonat, po aq sa edhe të lexuesve, të cilët jetojnë realitete të ngjashme me ne…

Në fund të kësaj pjese të ligjeratës sime, gjithnjë me drojën se po e keqpërdor durimin tuaj, do të ndalem fare shkurt në emrat e tre poetëve të një brezi të shquar, që aktualisht bëjnë pjesë ndër krijuesit më të mirë në shkallë kombi. Është fjala për poetët: Linditë Ahmeti, Salajdin Saliu e Lulëzim Haziri, që, siç shprehet kritika kompetente, janë të denjë për të përfaqësuar poezinë shqipe në cilëndo gjuhë të botës.

Po e nis me Linditë Ahmetin, autoren e veprave: “Mjedra dhe bluz”, “Ishulli adular”, “Brezi i zonjës”, “Vetë përballë erosit”, “Lulja alba”, këtë krijuese me shpirt vullkani, e cila tani më ka kapërcyer kufijtë e letërsisë kombëtare. Për vargun e saj që nuk njeh konvenca e kufizime  është shkruar e thënë shumë. Sytë e poeteshës shohin gjithçka, veçmas anët e trishtueshme të jetës sonë. Në poezitë e saj të cilësuara si ishuj më vete, gërshetohen realja me ëndrrën dhe mitiken, të cilën ajo e njeh me shumë kompetencë. Gjithë ajo që shkruan Linda mund të konceptohet edhe si sfidim iluzionesh – një betejë e pasosur vargjesh të pëpërsëritshme e të matura në peshore filigranësh për një jetë ndryshe nga ajo e shpirtit të robit…

Për shijen time, Lindita është LIRA më e veçantë e poezisë shqipe, jo vetëm aktualisht. Se si ia del të shkruajë me bojërat e shpirtit të saj bilur nuk e kam të qartë. Me gjasë është në pyetje sekreti të cilin nuk e di as vetë ajo, është rrezatimi i dorës së Zotit mbështetur koxha gjatë në supet e saj, është hyjnorja e shpërfaqur me penelata vargjesh shumëformëshe, që drithërojnë me vrushkuj ethesh palcën shpirtërore të adhuruesve të perlave, që mund t’i shkruajë vetëm një dorë maestroje.

Një albatros tjetër i poezisë shqipe që krijohet në Maqedoni është Salajdin Saliu (Vdes pas gjërave të imëta”, “Nata e parë e pushtimit”,  ”Vonë për gjëra të turpshme”…), i cilësuar ndër poetët më të veçantë që kanë aktualisht shqiptarët. Meqë e kam mik të mirë më gjatë se një çerek shekulli, për poezinë e tij po e lë të flasin të tjerët, në parafrazim të lirë.

Ali Aliu:

Salajdin Saliu është, para se gjithash, poet meditativ, për të cilin dashuria shndërrohet në kështjellë strehimi nga brutaliteti dhe agresiviteti i përditshmërisë. Ajo është oazë që të mbron nga rruga me sy të lig, nga smira dhe urrejtja, aq me tepricë përreth folësit lirik. Në krahët e këtyre dy jehonave, autori artikulon ekspresion modern në lirikën e vet intime. Në mbështetje të të dy ngasjeve, poeti arrin të shpalosë thellësitë mjegullore të dashurisë, të tërheqë rezonanca kuptimore për jetën dhe botën e njeriut…

Agim Vinca:

Salajdini i përket brezit të rokut, i çliruar nga komplekset dhe i zhveshur nga iluzionet; me pikëpamje dhe qëndrime më liberale ndaj jetës, që thinjet para baballarëve të tyre. “Ndoshta ngaqë baballarët e tyre besonin në parulla, kurse ata nuk besojnë”… Në poezinë e Salajdin Salihut hetohet qartë gërshetimi i dy përvojave: i përvojës së jetës së përditshme në mjedisin në të cilin jeton subjekti lirik dhe i përvojës së leximit, pra i përvojës empirike dhe asaj artistike… 

Juria e Çmimit SEREMBE, e cila iu nda autorit në Tiranë në vitin 2008:

“Salajdini është një zë i spikatun individual në poezinë e brezit të ri…”

Besoj, kaq është e mjaftueshme për këtë poet ndjeshmërishë dhe artikulimesh të reja; për këtë sfidues finok të shëmtive të jetës, për artistin rebel që ka për strehë shpirti dashurinë e shpërfaqur me vello misteri…

Emri i tretë që dua ta veçoj prej krijuesve të tjerë shqiptarë të Maqedonisë, është Lulëzim Haziri (“Kënga lind në vetmi”,  “Kur dyer hapen me zile”, “Dalje nga safari”…), i vlerësuar si “një zë ndryshe në letërsinë shqipe”.

Ja çfarë shkruan për poezinë e Lulit, Salajdin Saliu:

Në poezinë e Lulëzimit nuk ka simbole dhe figura të eksploatuara stilistike. Arti i tij është produkt i dhuntisë krijuese personale dhe asimilimit të dhuntisë krijuese të maestrove të letërsisë. Poezia e Lulit nuk lexohet asnjëherë në të njëjtën mënyrë. Ajo lexohet gjithmonë ndryshe nga leximi paraprak. Është poezi që na reflekton imazhe si në kaleidoskop. Është poezi e cila lindi nga tundimi për të thënë diçka që ishte heshtur për shkak të konteksteve, rregullave, kufizimeve, të jashtme e të brendshme. Kënga e Hazirit lindi në vetmi, lindi për t’u ndjerë dhe për t’u kënduar së brendshmi. Bota që e rrethon poetin është e ngushtë për shpirtin e tij, prandaj shkon përtej saj, kërkon më shumë nga ajo, e bën më të bukur nëpërmjet gjuhës së tij poetike. E pasuron me një dritare të re, nëpërmjet së cilës shihet një botë e humbur nga shikimi i njerëzve. Luli shkruan ndryshe mbi vetminë, dashurinë, përplasjen etër e bijë, prostitucionin, hipokrizinë, trivialitetin ngulfatës. Shkruan me diskurs poetik urban. Ai shkroi poezitë më të bukura që mund të shkruhen për Prishtinën, qytetin para të cilit çohet “në këmbë si para flamurit”. Ashtu sikurse ndodh me librat e veçantë letrar edhe librat me poezi të Lulëzim Hazirit, siç thotë Milan Kundera, janë më inteligjentë se autori, që do të komunikojnë me lexues kohësh të ndryshme.

Të nderuar miq e kolegë krijues!

Përveç dromcave të mësipërme, lidhur me letërsinë shqipe që krijohet në Maqedoni, do të doja ta hap dhe parantezën për komunikimin e munguar brendashqiptar, që sot është bërë brengë e çdo krijuesi, është bërë pengesë anakronike që nuk na lë të njihemi më mirë ndër vete, nëse jo për tjetër, të paktën që mos ta marrim mësyshë vetveten me vlerat që janë të mirëfillta vetëm kur kanë pranë objektet e përqasjes. Gjithçka tjetër mund t’u japë krahë arritjeve të parëndësishme, produkteve që mund të jenë edhe meskine e qesharake, komplekseve turlifare nga të cilët nuk guxon të infektohet kronikisht bota e artistëve.

Megjithatë, kjo është temë e gjerë që duhet të rihet në një takim të veçante.

Në fund fare, për hirë të korrektësisë ndaj këtij publiku të zgjedhur dhe për hir të vetvetes, më duhet t’u kërkoj ndjesë të gjithë krijuesve seriozë, emrat e të cilëve nuk arrita t’i përmend në ligjëratën time modeste, e cila fundja: as ka mundësi të zbresë vlerat e dikujt, as të shtojë vlerat e paqena të dikujt tjetër.

Jashtë fjalës sime mbetën emra shumë të shquar të letërsisë së vilatit tim. Mbeta pa thënë gjë ndoshta për lirikun më të rrallë të një brezi krijuesish – Murtezan Arifin; për poetin e tregimtarin Shazim Mehmetin, i cili është poet me tamam, jo vargnues i rëndomtë; për romansierin Kim Mehmetin, vepra e të cilit përfolet gjithandej në kontekstet më pozitive; për dramaturgun e shquar Refet Abazin; për poetin, romansierin dhe kritikun e mprehtë Ahmet Selmanin; për shkrimtarët, kritikët, studiuesit, poetët e prozatorët Ali Aliun, Eqrem Bashën, Agim Vincën, Xhabir Ahmetin…, të cilët pjesën më të frytshme të jetës së tyre e kanë kaluar në Prishtinë, ndaj dhe i njihni më mirë; për krijuesit Punëtorie Zibën, Halil Zendelin, Kalosh Çelikun, Remzi Saliun, Teuta Arifin, Fatmire D. Lumanin, Ejup Ajdinin, Zejnepe Rexhepin, Shkëlzen Halimin, Avni Halimin, Bejtush Mehmetin, Fadil Bekteshin…; për një brez fare të ri krijuesish shumë të talentuar e premtues, si: Numan Mustafa, Vjollcë Berisha, Arlind Farizi, Vigan Halimi, Xhemazije Rizvani etj. etj.

Mjerisht, koha që kam në disponim, nuk më lë të zgjatem e të them diçka më shumë edhe për disa revista letrare e kulturore, si: JEHONA, BREZI 9, PROKULTURA, DORUNTINA…, që në periudha të caktuara e luajtën rolin e tyre në punë të kultivimit të shijes estetike dhe të përafrimit të pjesëve të degdisura të një shpirti.

Në veçanti i kam hyrë në hak mjeshtrit të madh të prozës narrative shqiptare Luan Starovës, Saga ballkanike e të cilit sot ka pushtuar botën dhe ka arritur të jetë vepra më e përkthyer në gjuhët e mëdha të globit, pas asaj të Ismail Kadaresë.

Mbase ky është autori më fatkeq në planin e njohjes nga lexuesit e Kosovës, mbase dhe shkasi që meriton një takim të veçantë si ky i sotmi, ku me qejfin më të madh do të merrja pjesë si participient aktiv.”

Exit mobile version