Maqedonia është përfshirë nga një kaos politik pasi në vend të numërimit të investimeve nëpër vendbanime të ndryshme, ajo merret me numërimin e të vrarëve dhe shtëpive të rrënuara. Këto akuza i lëshoi sot deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi në adresë të kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë mbledhjes së parë të Kuvendit pas ngjarjeve në Kumanovë ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve. Ibrahimi kujtoi Gruevskin se të zhvendosurit shqiptarë të Kumanovës nuk trajtohen njësoj si të zhvendosurit maqedonas nga konflikti i vitit 2001.
“Kryeministër, a e dini ju dhe Ali Ahmeti se Qeveria juaj i ka shkatërruar dhe rrënuar mbi 100 shtëpi, a e dini ju se janë mbi 100 familje shqiptare me pleq, gra, fëmijë e invalidë që enden rrugëve të qyteteve gjithandej? Çka ka ndërmarr Qeveria nëse krahasojmë se me vite të tëra të zhvendosurit maqedonas të rajonit të Likovës i ka strehuar në vendbanime kolektive me mbështetje materiale, me mbështetje të Qeverisë e sociale vetëm për të bë këtë krahasim dhe ne sot shohim mijëra shqiptarë të zhvendosur prej vendbanimeve të tyre”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.
Nga ana tjetër, Gruevski tha se Qeveria mbanë llogari për të gjithë qytetarët njësoj. Sipas tij shteti do të kompensojë 100 % të gjitha dëmet e shkaktuara në Lagjen e Trimave në Kumanovë.