Lëvizja Vetëvendosje po e shënon 10 vjetorin e themelimit pa lider real, por me një “person teknik”.
Kështu vlerëson analisti Halil Matoshi, i cili për Klan Kosovën ka thënë se Visar Ymeri, përkundër pozicionit të ri në skenën politike mbetet vetëm një zë i zakonshëm.
“Visar Ymeri nuk është lider”.
“Ai është ‘person teknik’ në krye të Vetëvendosjes, ndonëse zyrtarisht i zgjedhur si kryetar i Lëvizjes”
“Ymeri shihet si ‘zëvendës’ dhe përkohësisht është në këtë rol”.
“Natyrisht se ambiciet e tij janë rritur, por ai mbetet vetëm një zë i rëndomtë në skenën politike kosovare”.
“Shumë gjatë do ta ndjekë ‘hija e Kurtit’ nga e cila nuk do të mund të lirohet shpejt”.
“Albin Kurti mendon seriozisht që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme kurdo që ato mbahen, prandaj ‘tërheqja e tij’ nga lidershipi i partisë është e natyrës taktike (për t’u rikthyer si kandidat i Lëvizjes VV për kryeministër dhe duke mos e lënduar statutin partiak)”.
“Mirëpo, realisht kjo tërheqje e tij e ka dëmtuar mobilitetin e trupit elektoral të kësaj lëvizjeje, sepse shumë anëtarë të VV-së po e shohin me dyshim tërheqjen e liderit të tyre karizmatik dhe me shpirt revolucionar”, deklaroi Matoshi për Klan Kosovën.
Visar Ymeri ishte zgjedhur si i pari i Vetëvendosjes më 97.42 për qind të votave, në një garë pa kundërkandidat.
Albin Kurti e kishte pritur me entuziazëm zgjedhjen e Visar Ymerit.
“Ky Këshill i Përgjithshëm edhe ma ftohë mendjen edhe ma ngrohë zemrën”.
“Bashkë me kryetarin e ri dhe kryesinë e re ne jemi të Kosovës e të Kombit Shqiptar”./ KlanKosova/