Site icon PORTALB

Ku janë nisur këta të ri?

Luljeta Mulaki

Luljeta Mulaki

Një Pedagog i imi dikur na thoshte: “Asgjë nuk lakmoj tek ju të rinjtë sot‚ përveç moshës”. Atëherë më dukej ironike kjo‚ por sa shumë të drejtë i jap sot atij pedagogu dhe thënies së tij “ironike”.

E di që çdo moshë ka bukurinë e vetë dhe duhet t’ia gjesh e ta shijosh atë. Po çfarë bukurie mund t’i gjesh moshës së rinisë së sotme?! Moshë e mbushur përplot energji‚ ide‚ pasion‚ ëndrra  e aspirata pa fund. Po çe do?! Kur këtë energji sistemi i kësaj kohe e shumëzon me zero duke të shndërruar kështu në një pseudoparazit.

Rrugët dhe lokalet e vendit tim janë të mbushura përplot me të rinj të diplomuar në fytyrat e të cilëve arrin të lexosh vetëm dëshpërim‚ zhgënjim dhe një pesimizëm të shfrenuar. Sikur kanë harruar dhe kane fobi edhe te ëndërrojnë TË GJEJNË NJË PUNË. Një punë‚ ku të kanalizojnë ato njohuri dhe eksperienca te marra gjatë studimeve e të arsyetojnë ndopak sakrificat e cdo lloj forme të bëra gjatë studimeve.

?’e ardhme i pret këta te rinj dhe Republikën e Maqedonisë‚ ku sa herë hap një derë institucioni përplasesh në fytyrat e lodhura të gjyshërve të cilët janë në limitet e fundit të dëshirës dhe mundësisë për të punuar. Nuk e di nëse i lodh më shumë puna apo realiteti i hidhur i jetës së nipërve dhe mbesave të tyre që enden lartë e poshtë rrugëve‚ apo janë duke pirë diku një kafe pa shije mes tymit‚ të cilës çdo ditë i shtohet një dozë helmi që shuan nga pakë aspiratat e tyre‚ vret ëndrrat‚ zbeh pasionin dhe dëshirën për të jetuar në këtë vend.

Një paradoks edhe më i madh i këtij sistemi të çoroditur jetese është tek dëgjon një i ri te thotë: “Jam i punësuar‚ por nuk shkoj në punë‚ thjeshtë shteti më jep një rrogë”. Po a nuk është kjo njëlloj si ajo vrasja e ngadalshme me cianurë që të vret çdo ditë nga pak pa e kuptuar ti dhe pa lënë gjurmë?! Një vrasje mu në kulmin e adrenalinës së jetës kur ti mund të bësh maksimumin për të ardhmen tënde‚ profesionin‚ komunitetin dhe vendin tënd. Për këtë vend që të ka “nxjerrë në pension” në moshën e rinisë që të punosh pastaj deri në moshën 65 vjeçe në pleqëri‚ atëherë kur ti në fakt duhet të shijosh benefitet e rinisë tënde‚ në këtë rast të një rinie të djegur dhe çuar dëm nga ky sistem i dalë binarësh dhe aspak dobiprurës. ?’ideologji e zmbrapsur dhe një akt i paprecedent që nuk ndodh në asnjë vend të botës!

Ndaj kështu të zhytur në detin e pashpresës  në këto ditë të ftohta dimri kur fëmijët shprehin dëshirat e fundvitit ndaj Babagjyshit të Vitit të Ri‚ ne të rinjtë e Republikës së Maqedonisë në mënyrë unanime shprehim dëshirën dhe lutjen ndaj Babashtetit tonë që pati fatin të na lindë e të na risë‚ të reflektojë pak‚ t’i thërret mendjes e të liroj gjyshërit nga puna të shkojnë në shtëpi dhe le të gëzojnë ata duke na parë neve tek punojmë dhe gëzojmë një rini të shëndoshë e të mos i shohim ne ata çdo ditë duke shkuar në punë tek rënkojnë nga sëmundjet e tyre duke na u dhënë në këtë mënyrë edhe ne një mundësi të bëjmë diçka për këtë vend dhe të mos zbrazim energjitë e të shkëlqejmë në shtetet Evropiane‚ por të shkëlqejmë këtu dhe të bëhemi bashkë promotorë të progresit e krijimit të standardeve bashkëkohore‚ të sjellim Evropën këtu për të mos ikur ne atje dhe  ti shkulim rrënjët kësaj ideologjie të zmbrapsur që ka kapluar këtë vend‚ ti japim fund sindromit “Rinia e sëmurë në pension”  dhe paraardhësit tanë të mos na lakmojnë më vetëm për moshën rinore‚ por për të gjitha premisat që posedojmë dhe produktivitetin që dimë dhe mund të japim pikërisht në këtë moshë për këtë vend.

Exit mobile version